KULTURË

Artikull

Romani “Ostajnica” i Rene Karabash është nominuar për “Booker-in Ndërkombëtar”

Shtunë, 28 Shkurt 2026, 16:35

Romani “Ostajnica” i Rene Karabash është nominuar për “Booker-in Ndërkombëtar”

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Romani “Ostajnica” i Rene Karabash është mes 13 titujve në listën e gjatë për “Booker-in Ndërkombëtar” – çmimi më prestigjioz letrar për një libër të përkthyer në anglisht dhe botuar gjatë vitit, njofton BTA. Romani, i botuar në anglisht me titullin “She Who Remains”, është përkthyer nga Izidora Angel.

Pas “Kohëstrehim” të Georgi Gospodinov në përkthim të Angela Rodel, qu u bë laureat në vitin 2023, ky është romani i dytë bullgar që hyn mes të nominuarve për Booker-in.

“Lexuesi vendoset në epiqendrën e gjakmarrjeve në Shqipëri, atje ku vdekja ndjek si hije dhe shegët kurrë nuk piqen. Ashtu si në romanet e Ismail Kadaresë, libri shpalos temat e rënda patriarkale të këtyre trojeve dhe reflekton mbi mungesën e Zotit te njeriu”, shkruan shkrimtari Vlladimir Zarev për librin. 

FOTO: Facebook/sofialiteraryagency

Rene Karabash është pseudonimi artistik i shkrimtares bullgare Irena Ivanova, e lindur në vitin 1989. Për romanin “Ostajnica” ajo ka marrë çmimin kombëtar letrar “Elias Canetti”, një nominim për Romanin e Vitit nga Fondi Kombëtar i Dhuruesve “13 Shekuj Bullgaria” dhe çmimin letrar “Peroto” (“Pena”). Romani është përkthyer në 15 gjuhë, dhe botimi i tij brazilian e ka bërë atë romanin e parë bullgar të botuar në këtë vend të Amerikës së Jugut.

Në fund të vitit 2023, Marie Vrina-Nikolov fitoi Çmimin e PEN Klubit Francez për përkthimin e “Ostajnica” në frëngjisht. Po atë vit, përkthimi anglisht i Izidora Angel u vlerësua me Gulf Coast Translation Prize në SHBA, dhe në fillim të vitit 2025 – me çmimin prestigjioz HEIM të PEN Klubit Amerikan. Romani është nominuar gjithashtu për çmimin letrar suedez “Prisma”. “Ostajnica” është përfshirë në listën “21 librat më të mirë që priten në 2026” të "Service 95" - klubit letrar të këngëtares Dua Lipa.


Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva