Autor
Gergana Mançeva
Artikull
Dielë 1 Mars 2026 08:00
Dielë, 1 Mars 2026, 08:00
FOTO: Çitalishte "Hr. Smirnenski" - 1889, qyteti i Zllaticës
Madhësia e shkronjave
Vullnetarët janë ata njerëz që i japin jetë dhe e çojnë përpara një nga institucionet më të vjetra unike të Rilindjes – shtëpitë e kulturës (çitalishtet) – të lindura që para se Bullgaria të rivendoste lirinë dhe pavarësinë e saj pas zgjedhës pesëshekullore osmane. Në vitin 2026 festojmë 170 vjet nga themelimi i çitalishtes së parë bullgare. Dhe për ata që nuk e dinë çfarë është çitalishteja, le të themi – ajo është një institucion përmbledhës, i angazhuar me funksione arsimore dhe ndriçuese. Qendra e parë e tillë kulturore u themelua në Svishtov në janar 1856 dhe mban emrin “Elenka dhe Kirill D. Avramovi”. Në fakt, po atë vit u ndërtuan edhe dy çitalishte të tjera – në Shumen dhe Llom.
Çitalishte “Elenka dhe Kirill D. Avramovi”, Svishtov
FOTO: YouTube
Sot çitalishtet në vendin tonë kanë arritur numrin mbresëlënës prej mbi 3500. Në fshatra dhe qytete, këto janë vendet ku përqendrohet jeta shoqërore. Shumë nga të ashtuquajturat “çitalishte popullore” kanë ruajtur në emrin e tyre edhe vitin e themelimit. Dhe madje në kohët tona dinamike dhe moderne këto qendra nuk e kanë ndryshuar modelin e tyre fillestar – përveç sallës së leximit me libra, në këto institucione organizohen kurse muzike, vallëzimi, sporti, gjuhësh të huaja, teatri, lexime letrare. Zhvillohen ligjërata dhe festa për shënimin e datave të rëndësishme, bëhen rikrijime të riteve dhe traditave popullore. Nuk janë një e dy rastet kur nga skena e çitalishtes së qytetit të vogël ka zbuluar talentin e tij ndonjë këngëtar apo aktor i njohur i joni. Por më besnikë ndaj traditës bullgare, të ruajtur pas mureve të çitalishtes popullore, mbeten vullnetarët. Ata janë ruajtësit e folklorit tonë, bartësit e shpirtit bullgar dhe të talentit autokton, që nuk kursejnë kohë dhe forca për të ruajtur dhe përçuar përpara krijimtarinë e pasur popullore.
FOTO: Çitalishte "Hr. Smirnenski" - 1889, qyteti i Zllaticës
Vullnetarët nga ansamblet tona folklorike janë krijues me rang interpretuesish dhe studiuesish. Ata vetë kërkojnë këngë të vjetra popullore, përralla, fjalë të urta, urime festive dhe jo vetëm i përshkruajnë në libra, por ringjallin tingëllimin e tyre në skenë. Prandaj publiku i vullnetarëve nuk është një grumbull “kalimtarësh të rastësishëm”, por në të shohim studiues, folkloristë dhe adhurues të vërtetë të këngëve bullgare dhe krijimtarisë popullore. Shkëlqimi në sytë e veprimtarëve të rinj të çitalishtes pas duartrokitjeve në sallë mund të krahasohet vetëm me shkëlqimin në sytë e sportistëve tanë pas fitimit të një medaljeje në një garë prestigjioze. Prandaj me të drejtë UNESCO pranoi që çitalishteja bullgare të regjistrohet në regjistrin e organizatës për mbrojtjen e praktikave të mira dhe të trashëgimisë kulturore jomateriale. Viti është 2017, kur në nominim thuhet se çitalishtet janë pa analog në asnjë nga shtetet e botës. Kështu, çitalishtet tona natyrshëm renditen në listën e praktikave të mira të UNESCO-s, krahas “thesareve” të tjera bullgare të kulturës sonë jomateriale, si vallja e Bistrishkite Babi, nestinarstvo (vallja mbi zjarr), kilimarstvo (endja e qilimave), martenica etj.
“Çitalishteja është një strukturë shumë komplekse, e ndërthurur organikisht në indin kulturor të shoqërisë bullgare dhe gëzon autoritet të lartë shoqëror” – thotë për Radio Bullgarinë dr. Silvena Bajrakova, drejtoreshë e Institutit Kombëtar të Çitalishteve pranë Unionit të Çitalishteve Popullore. Megjithatë, në kushtet bashkëkohore këto institucione përballen me vështirësi serioze:
Dr. Silvena Bajrakova
FOTO: BTA
“Një studim i Institutit Kombëtar të Çitalishteve tregon se çitalishtet tona neglizhohen, ato janë të nënvlerësuara dhe mungon kuptimi i duhur për kompleksitetin e kësaj veprimtarie. Ndërsa tek ne kjo është një institucion që punon në sfera të ndryshme dhe ka si funksion arsimor, ashtu edhe informativ, social dhe kulturor. Roli i çitalishteve ndryshon me kohën, në përputhje me nevojat e komuniteteve lokale. Tipari më specifik i çitalishteve është se ato lindin me iniciativën e vetë komuniteteve dhe janë fryt i nevojës reale të bullgarëve për të mësuar dhe për t’u zhvilluar shpirtërisht.”
FOTO: Çitalishte "Hr. Smirnenski" - 1889, qyteti i Zllaticës
Po çfarë do të ishin çitalishtet pa veprimtarinë artistike amatore që zhvillohet në to? Vetë ajo është një dukuri mahnitëse jo vetëm për shkak të punës vullnetare që bëjnë amatorët, por edhe për shkak të vetëqeverisjes demokratike që kanë strukturat e tyre. “Kjo është një mikro-komunitet me frymë demokratike dhe pikërisht kjo e bën tërheqës për këdo që dëshiron të marrë pjesë” – thotë dr. Silvena Bajrakova. Ajo i përcakton amatorët si njerëz me cilësi të shkëlqyera dhe talent të theksuar si këngëtarë, valltarë apo muzikantë, por në trupën vullnetare të gjithë janë të barabartë, aty bie çdo hierarki:
“Këta vullnetarë lidhen në një komunitet përmes interesave jopragmatike. Nuk është si të shkosh në punë dhe të presësh pagesë. Shumë profesionistë që punojnë në fushën e veprimtarisë së çitalishtes si drejtues shpesh impresionohen nga përkushtimi që shohin në ansamble dhe u bëhet kureshtare dhe interesante të punojnë si veprimtarë të çitalishtes. Ata nuk shkojnë atje nga detyrimi dhe pikërisht për këtë arsye prodhimet që realizojnë shumica e çitalishteve janë në nivel të lartë – punë e denjë për respekt. Dhe jo vetëm kaq – përfshirja e të rinjve në radhët e vullnetarëve është një mekanizëm i veçantë për ndërtimin e një publiku kompetent, që më pas do të ketë interes dhe do të mund të vlerësojë një apo një tjetër produkt kulturor.”
FOTO: Çitalishte "Hr. Smirnenski" - 1889, qyteti i Zllaticës
Njerëzit që kanë kaluar përmes veprimtarisë së çitalishtes bëhen qytetarë aktivë dhe jo rrallë kthehen për të drejtuar aktivitetet e çitalishtes, shton Silvena Bajrakova.
Në praktikë, sot shtohen shkollat dhe grupet teatrore e të vallëzimit që ato ofrojnë, të cilat në funksione në masë të madhe dublon punën në çitalishte, por me dallimin se në çitalishte janë të bashkuara të gjitha brezat. Kështu, natyrshëm, përmes vullnetarëve përcillet trashëgimia kulturore jomateriale. “Prandaj e quajmë çitalishteja bullgare fenomen, që nuk ka analog askund tjetër në Evropë, ajo është fole e kulturës dhe identitetit bullgar” – përmbledh dr. Silvena Bajrakova.
FOTO: Çitalishte "Hr. Smirnenski" - 1889, qyteti i Zllaticës
Neli Mihajllova është kryetare e Këshillit Shoqëror të një çitalishteje me histori 135-vjeçare – ajo mban emrin e poetit Hristo Smirnenski dhe ndodhet në qytetin nënballkanik Zllatica. “Çitalishteja jonë dallohet me një trupë teatrore shumë aktive, klub letrar dhe bibliotekë të pasur me sallë leximi” – thotë Neli:
FOTO: Çitalishte "Hr. Smirnenski" - 1889, qyteti i Zllaticës
“1 marsin ne e lidhim me marteniçat, që i shkëmbejmë për shëndet, me shpresën për zgjimin pranveror në natyrë, me pritshmëri të reja për gjithçka të bukur që do të na ndodhë. Dhe këtu është simbolika – veprimtaria artistike amatore sjell të njëjtën ripërtëritje dhe jetë. Sepse vullnetarët janë me shpirt të pasur, ata që mbajnë shpresën për zgjimin shpirtëror dhe ngritjen e kombit tonë. Vullnetarët e sotëm janë rilindësit popullorë të sotëm. Ata japin shembull se si mund të japësh kohë dhe energji për të mirën e përbashkët, dhe të jesh pjesë e komunitetit të vullnetarëve është shumë, shumë bukur.”
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski