SHOQËRI

Artikull

Bullgarët në Skoci dhe Irlandën e Veriut:

Rregullat e reja do ta vështirësojnë votimin

Mërkurë, 4 Mars 2026, 07:00

Rregullat e reja do ta vështirësojnë votimin

FOTO: Pexels

Madhësia e shkronjave

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 19 prill për qytetarët bullgarë në vendet jashtë BE-së do të zhvillohen në deri në 20 seksione jashtë përfaqësive diplomatike dhe konsullore. Kjo u vendos përfundimisht nga deputetët, pasi kapërcyen veton e vendosur nga presidenti mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Kreu i shtetit Ilijana Jotova vendosi veton më 5 shkurt, me motivin se ndryshimet vënë në rrezik parimin kushtetues të përgjithshmërisë së të drejtës së votës.

Ilijana Jotova

FOTO: BGNES

Ndryshimi në Kodin Zgjedhor, i arritur me votat e 126 deputetëve, vjen vetëm 53 ditë para votimit, me çka parlamenti për herë të radhës nuk merr parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias që të mos kryhen ndryshime thelbësore në këtë ligj më pak se një vit para votimit, në mënyrë që të garantohet siguria e tij.



Epërsi të argumenteve politike ndaj atyre juridike në debatet para votimit pa ish-kryetari i KQZ-së Aleksandër Andreev. Sipas fjalëve të tij, kufizimi i të drejtës së votës së votuesve me supozimin se ata do të votojnë vetëm për një parti të caktuar nuk është normal:

Aleksandër Andreev

FOTO: KQZ

“Ky nuk mund të jetë argument i fortë, kur flasim për të gjitha shtetet jashtë BE-së, ndërsa pamë se ato janë të drejtuara konkretisht ndaj Turqisë. Por njëkohësisht u kufizua e drejta për të votuar në shtete të tjera, ku komunitetet bullgare nuk janë më të vogla – SHBA, Britania e Madhe etj. Kështu vendosëm në pozitë të pabarabartë qytetarë bullgarë në BE dhe jashtë saj, sepse zvogëlimi i numrit të seksioneve çoi në pamundësinë faktike për të ushtruar votën. Ky diskriminim nuk mund të ekzistojë mes qytetarëve bullgarë” – shpjegoi Andreev për BNR. Sipas tij, parlamenti ka vendosur “mina të fshehura” në ligj, të cilat do të përdoren nga të pakënaqurit nga zgjedhjet, sepse pamundësia për të ushtruar të drejtë të barabartë vote nga të gjithë qytetarët bullgarë automatikisht do të thotë se votimi mund të kontestohet mbi këtë bazë.

Me ndryshimet e miratuara në rregullat zgjedhore shtyhet formimi i një qarku shumëmandator zgjedhor “Jashtë vendit” – diçka për të cilën bashkatdhetarët tanë jashtë vendit kanë këmbëngulur prej vitesh, ndërsa presidentja Ilijana Jotova e kishte përfshirë në dekretin e nxjerrë para pak ditësh, me të cilin cakton numeracionin dhe emërtimet e qarqeve zgjedhore për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 19 prill 2026. Tani mundësia që bullgarët jashtë vendit të kenë përfaqësuesit e tyre të zgjedhur në parlamentin bullgar shtyhet me dy vjet. Pyetja është si do të ndikojë e gjithë kjo mbi dëshirën e bashkatdhetarëve tanë për të treguar aktivitet qytetar dhe për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese të votës:

Neli Ollova

FOTO: Arkiv personal

“Ideja jonë ishte që, nëse ka deputetë të zgjedhur drejtpërdrejt, që të përfaqësojnë bullgarët jashtë vendit, do të forcohej aktiviteti dhe përfaqësimi – kujton bashkatdhetarja jonë, e cila jeton në Edinburg, Neli Ollova. – Mendonim se do të ishin njerëz që do të komunikonin më konkretisht me ne dhe do të kujdeseshin për interesat dhe nevojat e diasporës. Krahas kësaj, luftonim edhe për votim elektronik.”

Nëse seksioni për Skocinë mbetet vetëm në Edinburg, kjo do të përsërisë atë që ndodhi në zgjedhjet e vitit 2021, kur në qytet votuan mbi 1000 persona – kujton vullnetarja zgjedhore Neli Ollova. Kjo do të thotë grumbullim serioz i njerëzve, pritje të gjata dhe zgjatje të ditës zgjedhore.

Mundësi zgjedhjeje – votim me fletë votimi në letër ose me makinë – do të ketë në të gjitha seksionet zgjedhore me përjashtim të atyre në vend, ku në zgjedhjet e mëparshme kanë pasur më pak se 300 votues, si edhe gjatë votimit me kuti të lëvizshme, në seksione në institucione shëndetësore dhe sociale. Votim me makinë jashtë vendit do të ketë në seksionet zgjedhore, për të cilat kërkesë për votim kanë paraqitur mbi 300 qytetarë. Për këtë qëllim deri më 24 mars qytetarët bullgarë, që kanë të drejtë vote dhe dëshirojnë të votojnë jashtë vendit, duhet ta deklarojnë këtë me kërkesë me shkrim sipas modelit ose me kërkesë elektronike përmes faqes së internetit të KQZ-së. Numri i kërkesave të paraqitura, përveçse do të ndikojë në mundësinë që të ketë makinë votimi në seksionin përkatës, do ta lehtësonte ndjeshëm procesin në ditën e zgjedhjeve, sepse do të shmanget nevoja për plotësimin e deklaratave në ditën e votimit dhe do të zvogëlohet koha, gjatë së cilës votuesit do të duhet të presin në radhë. Në këtë lidhje Neli Ollova bën thirrje edhe për rritjen e numrit të anëtarëve të komisioneve zgjedhore jashtë vendit:

Qendra e votimit në Edinburg

FOTO: Reuters

“Diçka që do të donim dhe kjo ndoshta varet nga KQZ-ja, është rritja e numrit të anëtarëve të komisioneve në 9 persona, në mënyrë që të përpunohen më shumë njerëz. Veçanërisht për Edinburgun, ku tashmë ka konsullatë, kemi folur për opsion me komision 9-anëtarësh dhe nga atje e mbështesin këtë. Shpresojmë që edhe ambasada ta mbështesë dhe që kjo çështje të ngrihet edhe për seksionet në qytete të tjera.”


Jam shumë e zhgënjyer nga kufizimi i numrit të seksioneve, sepse kjo e vështirëson të drejtën tonë kushtetuese të votës – është kategorike bashkatdhetarja jonë Nina Georgieva, e cila prej shumë vitesh jeton në qytetin verior-irlandez Eniskillen dhe gjithashtu ka përvojë si vullnetare në organizimin e zgjedhjeve për parlamentin bullgar jashtë vendit. Sipas saj, megjithatë, problemi nuk është vetëm në numrin e seksioneve dhe në mënyrën se si do të votojnë bullgarët:

Nina Georgieva

FOTO: Arkiv personal

“Kemi probleme në përgjithësi në ligjin zgjedhor, sepse popullsia jonë është e shpërndarë sipas qarqeve, ndërsa ata që jetojnë atje nuk janë më i njëjti numër njerëzish si para 10 apo 15 vitesh. Nga ana tjetër, zonimi nuk është ndryshuar dhe ka rajone ku me shumë pak vota mund të zgjidhet një deputet, dhe të tjera ku duhen mijëra vota dhe kjo nuk është e sigurt. Sipas meje vetë metodologjia duhet të rishikohet dhe gjithmonë mbi bazën e regjistrimit të popullsisë dhe lëvizjes së saj aktuale.”

Nina Georgieva është ish-mësuese, ka jetuar në rajone tek ne me popullsi të përzier, domethënë ku ka bullgarë etnikë dhe turq – në rajonin e Haskovos dhe në Smoljan. Viti i saj i parë si mësuese në vend përkon me shpërnguljen masive të qytetarëve bullgarë me prejardhje turke, e cila filloi në qershor 1989. Zhdukja e gjysmës së klasës së saj brenda një nate ka lënë gjurmë të përhershme në ndërgjegjen e saj. Ajo ndan se mungesa e dëshirës së qeverisësve në Bullgari për t’u konsultuar me qytetarët për çështje që i prekin drejtpërdrejt, e dallon atdheun e saj nga vendi ku jeton sot – Irlanda e Veriut.

Zhgenjim nga kufizimi i të drejtës së votës së qytetarëve bullgarë ka shprehur edhe konsulli i nderit i sapoemëruar i Bullgarisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut, dr. Robert Eadie – na tregoi më tej Nina Georgieva:

Dr. Robert Eadie

FOTO: Facebook / DrRobert Eadie

“Konsulli ynë i nderit iu bashkua grupit të vullnetarëve zgjedhorë këtu dhe filloi të diskutojë me ne një ide për të hapur në kufirin me Republikën e Irlandës seksione, në mënyrë që këta njerëz të kenë, megjithatë, mundësi të votojnë. Është qesharake, por edhe e trishtueshme, kur të huajt përpiqen të bëjnë çfarë është e mundur për të ndihmuar bullgarët më shumë sesa e bëjnë politikanët tanë.”


Shihni më shumë nga arkivi i Radio Bullgarisë:


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski