Autor
Joan Kolev
Seksion
Hënë 2 Mars 2026 07:05
Hënë, 2 Mars 2026, 07:05
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Deri më 6 mars 2026, në Muzeun Historik Rajonal të Sofjes vazhdon ekspozita “Gra regjisore në kinemanë dokumentare bullgare gjatë shekullit XX”. Në të paraqiten portrete të krijueseve emblematike bullgare, ndër të cilat spikasin emrat e Adella Peeva, Binka Zheljazkova, Borjana Punçeva, Iglika Trifonova, Mariana Evstatieva – Biolçeva, Maja Vapcarova dhe të tjera. Përmbajtja është pasuruar me pamje unike nga procesi i xhirimeve të titujve të rëndësishëm nga filmografia e tyre.
FOTO: BTA
Një katalog me të njëjtin titull kontribuon në plotësimin e njohurive tona mbi punën e këtyre zonjave, të cilat në “kohë burrash” kanë arritur të lënë një gjurmë të ndritur në artin kinematografik bullgar.
Elica Goceva (në të djathtë)
FOTO: BTA
“Ideja jonë ishte të flisnim për figurat më pak të njohura të kinemasë dokumentare bullgare dhe ne mendojmë se këto janë pikërisht gratë, sepse ne flasim vetëm për regjisoret që kanë punuar deri në fund të shekullit XX. Në ato kohë ishte shumë më e lehtë pikërisht për burrat, emrat e të cilëve janë edhe më të njohurit në historinë e kinemasë bullgare,” shpjegon Elica Goceva nga Instituti për Studimin e Arteve pranë Akademisë Bullgare të Shkencave. Ajo është pjesë e ekipit tërësisht femëror që realizoi projektin. “Donim të tregonim se edhe gratë kanë pasur filma shumë të mirë, por me kalimin e kohës informacioni për to është zhdukur, ndërsa shumë prej regjisoreve nuk i kanë më një pjesë të filmave që kanë xhiruar deri në vitin 1989. Prandaj donim të rikthenim kujtimin për këto personalitete që patën guximin të krijonin.”
Sot situata është krejtësisht ndryshe dhe kushdo që ka dëshirë ka lirinë dhe mundësinë të xhirojë gjithçka edhe vetëm me ndihmën e telefonit të vet.
FOTO: Joan Kolev
“Kjo nuk ka qenë e mundur në vitet ’90 të shekullit të kaluar dhe në fillim të shekullit të ri. Secili varej nga fakti nëse kishte qasje në një kamerë dhe një ekip, gjë që nënkuptonte përshtatje me një sistem të ndërlikuar, në të cilin lejoheshin shumë pak njerëz. Nga kjo pikëpamje, sot është shumë më e lehtë që secili të shprehë veten, sidomos duke pasur parasysh edhe ekzistencën e programeve për subvencionimin e regjisorëve, skenaristëve, aktorëve të rinj etj.”
Sigurimi i informacionit të nevojshëm ka qenë një sfidë, shton Gergana Donçeva nga Instituti i Ballkanistikës pranë Akademisë Bullgare të Shkencave:
FOTO: BTA
“U mbështetëm kryesisht në materiale arkivore, veçanërisht nga Filmoteka Kombëtare Bullgare. U bënë shumë përpjekje për të gjetur trashëgimtarët e disa prej regjisoreve që nuk janë më në jetë. Doli se këto zonja nuk kanë shumë fotografi të ruajtura, ndërsa për ne ishte e rëndësishme të gjenim edhe pamje nga procesi i xhirimeve. Edhe pse kjo ishte pjesa më e vështirë, rezultoi se mblodhëm jo pak materiale, sepse duket se ka pasur njerëz, kryesisht operatorë, që kanë bërë fotografi gjatë procesit të xhirimit.”
FOTO: BTA
Edhe sot numri i grave të ulura në karrigen e regjisorit nuk është i madh, por shembuj si këta mund të shërbejnë si frymëzim për ato që ende nuk e kanë treguar potencialin e tyre.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello