POLITIKË

Artikull

Presidentja Ilijana Jotova për Radio Bullgarinë: Unë besoj më shumë në paqe sesa në armë

Presidentja Ilijana Jotova: Bullgaria e meritoi lirinë e saj, ajo e fitoi atë!

"Shteti bullgar është i gatshëm të mbrojë jetën dhe sigurinë e qytetarëve të vet - jo vetëm në Bullgari, por edhe të komuniteteve bullgare jashtë vendit" - tha kreu i shtetit në lidhje me përshkallëzimin e tensionit në Lindjen e Mesme

Martë, 3 Mars 2026, 06:20

Presidentja Ilijana Jotova

Presidentja Ilijana Jotova

FOTO: Presidenca e Republikës së Bullgarisë

Madhësia e shkronjave

Po festojmë 148 vjetorin e rikthimit të Bullgarisë në hartën politike botërore – një ditë që bashkon bullgarët në të gjithë botën. “Bullgaria e meritoi lirinë e saj, ajo e fitoi atë” – tha Presidentja Ilijana Jotova për programin shumëgjuhësh të Radios Kombëtare Bullgare – Radio Bullgaria, me rastin e festës kombëtare të vendit tonë. Në intervistën e saj të dytë për një media bullgare që nga marrja e detyrës si presidente e shtetit, Jotova komentoi çështje aktuale nga agjenda bullgare dhe ajo ndërkombëtare dhe u dërgoi një mesazh bashkatdhetarëve tanë në mbarë botën:

"3 Marsi është data e lirisë sonë, por kjo është një ditë kur të gjithë bullgarët, kudo që të jenë - në territorin e vendit, apo jashtë vendit, në të gjitha cepat e botës, i shtrijnë dorën njëri-tjetrit dhe kthehen në histori. 148 vjet më parë, kur Bullgaria fitoi lirinë e saj, kjo datë la gjurmë jo vetëm në historinë tonë. Ajo la gjurmë edhe tek ne si popull - dita kur Bullgaria u kthye në hartën politike të botës pas pesë shekujsh skllavërie. Bullgaria e meritoi lirinë e saj, ajo e fitoi atë! Lufta çlirimtare Ruso-Turke ishte fundi i një periudhe nga e cila u rilind Shteti i Tretë Bullgar. Por para kësaj, le të kujtojmë momentet e lavdishme në historinë bullgare – ruajtjen e popullit dhe identitetit bullgar, rolin e madh të Kishës Ortodokse Bullgare, manastiret që ruajtën gjuhën bullgare, të cilat mbetën qendra shpirtërore gjatë këtyre pesë shekujve. Sigurisht, fuqia e madhe shpirtërore e Rilindjes Bullgare – e mendimit intelektual të Bullgarisë, e Lëvizjes sonë Nacionalçlirimtare, e heronjve të Kryengritjes së Prillit, të cilët e bënë të gjithë botën të kthejë vëmendjen drejt një populli të vogël, të cilin shumë në atë kohë e kishin harruar se ekzistonte. E gjithë kjo çoi në Luftën çlirimtare Ruso-Turke, por Bullgaria dhe populli bullgar fituan të drejtën e tyre sot për të folur për një komb, për të folur për Rilindjen e një prej traditave më të vjetra shtetërore në botë dhe në Evropë.”

FOTO: Presidenca e Republikës së Bullgarisë

Ne festojmë lirinë tonë në një ditë kur bota është e tronditur nga konfliktet dhe ndjenja jonë e sigurisë është shumë e dëmtuar. Si do t'i siguronit qytetarët bullgarë në mënyrë që të kemi ndjenjën e mbrojtjes nga shteti?

"Deklaroj se shteti bullgar është i gatshëm të ruajë jetën dhe sigurinë e qytetarëve bullgarë - jo vetëm këtu, në Bullgari, por edhe të komuniteteve bullgare jashtë vendit. Sepse në këto kohë jashtëzakonisht shqetësuese na drejtohen edhe njerëz që prej shumë kohësh jetojnë jashtë vendit, të cilët nuk janë më pak të shqetësuar se ne për gjithçka që po ndodh në Lindjen e Mesme; kemi shumë bullgarë që punojnë dhe jetojnë në të gjitha këto vende.Bullgaria do të jetë e gatshme t'u ofrojë ndihmë secilit prej tyre. Është krijuarorganizata e nevojshme përmes Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme. Ne marrim vazhdimisht informacione dhe koordinojmë veprimet tona me shërbimet e sigurisë, Këshilli i Sigurisë i Këshillit të Ministrave ka mbledhje. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me aleatët tanë si në Bashkimin Evropian, ashtu edhe në lidhje me NATO-n. Më lejoni të them disa fjalë në një kuptim global - ndoshta sepse jam grua, unë besojnë më shumë në paqe sesa në armë. Besoj se ende ekzistonte një mënyrë për të zgjidhur konfliktet në mënyrë diplomatike, sepse historia është mësuesi ynë shumë i mençur - kur një konflikt dhe luftë shpërthen diku, ajo nuk qëndron kurrë në një vend. Dhe këtu pyes, ku është roli i institucioneve kryesore ndërkombëtare, ku është Organizata e Kombeve të Bashkuara? Këshilli i Sigurimit ka përfunduar qëndrimin e tij, por ju e shihni se edhe atje vendet janë shumë të ndara, për një kohë të gjatë vendimet nuk kanë qenë të detyrueshme për të gjithë. Prej shumë kohësh flas për nevojën që të ketë një reformë në këto organizata, të cilat duhet të garantojnë paqen në botë, ashtu siç e kanë garantuar kur janë krijuar. Dhe Bullgaria duhet të ketë zërin e saj. Unë nuk jam nga ata njerëz që mendojnë se ne jemi të vegjël dhe duhet të shikojmë vazhdimisht çfarë po ndodh në shtetet e mëdha të Evropës, si edhe në botë. Po, sigurisht, duhet të harmonizojmë politikat tona, por kjo nuk do të thotë të pajtohemi me gjithçka që vendosin të tjerët. Ne jetojmë në një rajon gjeografik shumë serioz dhe, do të thosha, shumë delikat. Nga ne varet stabiliteti i gjithë kësaj pjese të Evropës dhe botës. Ne jemi gjithashtu porta drejt Lindjes së Mesme. Turqia fqinje, siç e dini, ka një rol shumë të rëndësishëm në këto procese. Diplomacia bullgare duhet të jetë shumë aktive dhe atje ku merren vendimet, Bullgaria duhet gjithmonë të paraqesë qëndrimin e saj dhe të mbrojë veprimet e veta. Për fat të keq, prej shumë kohësh nuk flasim më për të drejtat e njeriut. Prindërit tanë na lanë trashëgim të jetojmë në kohë kur mendonim se paqja dhe të drejtat e njeriut ishin të garantuara. Sot kjo nuk është e vërtetë, jetojmë në një botë që po transformohet shumë shpejt, me sfida të reja, por detyra jonë më e rëndësishme, sipas meje, është t’u lëmë trashëgim këtë paqe dhe kushtet për mirëqenie fëmijëve tanë, atyre që vijnë pas nesh. Nëse çdo politikan dhe çdo qeveri, nga të cilët varen vendimet në nivel ndërkombëtar, i dëgjojnë zërat e paqes, mendoj se mund t’i zgjidhim konfliktet shumë më lehtë (…)."

Ilijana Jotova tek bullgarët në Tarakli

FOTO: Presidenca e Republikës së Bullgarisë

Cili është qëndrimi i qartë bullgar mbi situatën në Lindjen e Mesme sot?

"Ende nuk kemi një qëndrim të qartë - është shumë herët. Situata është shumë delikate dhe nuk do t'i rekomandoja askujt të bënte politikë nga kjo brenda vendit. E dini, jemi në një situatë parazgjedhore, të gjithë kapin ndonjë lajm dhe e përdorin si mjet. Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme! Roli ynë më i rëndësishëm tani është siguria e vendit tonë. Dhe së dyti - të bëjmë çdo përpjekje në mënyrë që bullgarët që jetojnë, punojnë ose janë turistë në këto vende të mund të evakuohen në mënyrë të sigurt. Kjo është arsyeja pse jemi në kontakt të vazhdueshëm me aleatët tanë, por nuk do t'i rekomandoja zgjidhje ekstreme dhe radikale askujt tani. Unë besoj se politika e vendit tonë duhet të jetë pjesë e atyre zërave që thonë - ndaloni armët dhe na lejoni të ulemi në tryezën e negociatave!"

Përmendët ndarjen e botës, por le të hedhim një vështrim edhe drejt Bullgarisë, a nuk është pikërisht ndarja ajo “robëri” nga e cila duhet të çlirohemi sa më shpejt sot, në mënyrë që shteti ynë të ecë përpara?

"E dini, në nëntë vjet në institucionin presidencial, si zëvendëspresidente dhe tani presidente, ndoshta nuk ka mbetur asnjë qytet apo fshat ku nuk kam qenë. Nuk ka ndarje midis njerëzve! Në fakt, më duket se jemi më të bashkuar si shoqëri se kurrë, kemi të njëjtat probleme, varfëri, padrejtësi, duke filluar nga sistemi gjyqësor dhe duke përfunduar me faktin se fëmijët nuk kanë një fillim të barabartë në jetë, se çekuilibrat në vend janë shumë të mëdha. Pra, nuk mund të flasim për ndarje në shoqëri. Por ka edhe diçka tjetër që është shqetësuese, e rrezikshme dhe ndaj së cilës të gjithë ne duhet të reagojmë – përpjekja artificiale për të ndarë njerëzit përmes politikës. Dhe një nga detyrat më të rëndësishme, përveç organizimit të mirë të zgjedhjeve të ardhshme, sipas meje, është që njerëzit të kenë mundësinë të votojnë me ndërgjegje.”

A ka shteti resurs për të kapërcyer mosbesimin e njerëzve ndaj procesit zgjedhor dhe institucioneve, në mënyrë që ata të votojnë lirshëm?

"Le të jemi të sinqertë, kjo nuk mund të zgjidhet me një shkop magjik dhe as në këto zgjedhje, por është e rëndësishme të fillohet diku, në mënyrë që njerëzit të ndiejnë se shteti ekziston. Këtu nuk flasim për represione, nuk flasim për spastrime, flasim për një proces normal, sepse njerëzit shohin se si blihen votat. Njerëzit shohin se si disa korporata i detyrojnë të votojnë për një parti apo një tjetër. Por ata nuk guxojnë ta thonë me zë të lartë, nuk guxojnë të tregojnë fajtorin për këtë, sepse deri tani shteti në asnjë mënyrë nuk ka treguar se mund t’i mbrojë. Kur ata të shohin një garant në fytyrën e shtetit, të qeverisë, të të gjitha institucioneve që kanë misionin të sigurojnë zgjedhje normale në vend, atëherë do të kenë edhe guximin të flasin. Sepse çfarë do të thotë në shekullin XXI blerja e votave? Kjo është një diagnozë për gjithë shoqërinë tonë, domethënë ka njerëz aq të varfër, sa janë gati të shesin një nga të drejtat e tyre më të rëndësishme – të drejtën e zgjedhjes. Proceset janë shumë të thella dhe për dy muaj kjo nuk mund të rregullohet, por jam e sigurt se hapat do të ndërmerren."

Ilijana Jotova tek bullgarët në Shqipëri

FOTO: BNR

Prej 90 vitesh Radio Bullgaria i tregon botës sa interesante dhe e pasur me histori dhe kulturë është Bullgaria – një mision eduaktiv që i ka sjellë vendit tonë miq të panumërt, nga India dhe Kina deri në Argjentinë, Amerikë dhe Evropë. Dhe sot, kur bota është e përçarë nga urrejtja dhe përplasjet, veçanërisht aktuale janë fjalët e njërit prej zërave të parë të emisioneve për jashtë vendit, intelektualit Petar Uvaliev, i cili thoshte: “Radioja i kapërcente hendekët e urrejtjes!”. Bota sot ka nevojë për më shumë humanizëm, një cilësi që u është e natyrshme grave. Si gruaja e parë presidente e Bullgarisë, çfarë mesazhi do t’i përcillnit botës përmes Radio Bullgarisë?

 “Kolege, më lejoni t’ju ​​përgëzoj, sepse ju jeni ambasadori më i mirë i Bullgarisë jashtë vendit. (…) Nuk e di nëse e kuptoni se çfarë mbani në duar, ju mbani jo vetëm imazhin e Bullgarisë jashtë vendit, ju mbani shpirtin e Bullgarisë, të cilin e përcillni përtej kufijve, zemrën dhe shpirtin e çdo bullgari. Cili është mesazhi im sot, më 3 Mars? Po, unë jam gruaja e parë presidente. Nuk është e lehtë, por ne gratë ia dalim. Le të mos tingëllojë pompoze, por kur shohin se ti mundesh, se dëshiron, se je mjaft e fortë dhe ke mjaft guxim, edhe gjysma mashkullore fillon të të ndihmojë, me dëshirë ose pa dëshirë. Mesazhi im në këtë botë shumë shqetësuese dhe të rrezikshme është: Njerëz, mendoni për fëmijët që lindim! Ata kanë nevojë për dashuri, për guximin tonë, për mbrojtjen tonë dhe për të ardhmen e tyre!”

 

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva