Autor
Rosica Petkova
Artikull
Enjte 5 Mars 2026 07:00
Enjte, 5 Mars 2026, 07:00
FOTO: Rosica Petkova
Madhësia e shkronjave
Shëndetësia është një temë që prek secilin prej nesh – nga pacienti te mjeku, nga prindi te qytetari aktiv, i cili dëshiron të jetojë më shëndetshëm. Në Bullgari, ku vdekshmëria e parandalueshme dhe mungesa e specialistëve mjekësorë janë në nivele shqetësuese, biseda për shëndetin dhe profilaksinë është më se e nevojshme.
Me mbi 200 episode, në të cilat deri tani kanë marrë pjesë rreth 500 të ftuar – mjekë, shkencëtarë, ekspertë, pacientë dhe përfaqësues të organizatave të pacientëve – podkasti “Në qendër të sistemit” i Radios Kombëtare Bullgare është një format i kërkuar i gazetarisë shëndetësore në Bullgari. Autorja dhe moderatorja e tij është gazetarja Gergana Hrisçeva – reportere shëndetësore me mbi 22 vjet përvojë në programin “Horizont” të BNR-së, autore edhe e disa emisioneve të tjera të specializuara shëndetësore.
Me Rosica Petkovën nga Radio Bullgaria
FOTO: Rosica Petkova
“Ideja për të pasur një podkast të tillë është të ofrojmë biseda tematike shëndetësore me informacion të besueshëm nga specialistë të afirmuar të shëndetësisë në ndihmë të shoqërisë. Në fushën e shëndetësisë ndoshta më së shumti përhapen mite, legjenda, spekulime, lajme të rreme. Qëllimi është që shoqëria bullgare të ketë alternativë – të gjejë informacion të saktë, të verifikuar me të gjitha këndvështrimet. Kur tema i kushtohet një sëmundjeje konkrete dhe nuk përfshihet një rast pacienti, përpiqem të gjej ekspertët më të afirmuar dhe verifikoj nëse ata respektohen edhe nga pacientët. Ndonjëherë ke shumë mundësi, por duhet të vlerësosh që tema të jetë domethënëse për një numër të madh njerëzish. Sigurisht kemi bërë tema edhe për sëmundjet e rralla – sepse edhe këta pacientë kanë nevojë për zë.”
Podkasti “Në qendër të sistemit” është fitues i disa vlerësimeve prestigjioze – çmimit për media online të Forumit Bullgar të Pacientëve “Daniella Seizova – në emër të jetës”, mirënjohje nga Fondacioni “Bibliotekat Globale – Bullgaria”, ndërsa në janar të këtij viti Gergana Hrisçeva mori edhe çmimin vjetor për gazetari radiofonike “Sirak Skitnik” të BNR-së.
FOTO: Ani Petrova
Për shumë vite Gergana Hrisçeva ka dëgjuar në forume dhe konferenca shtypi se pacienti është në qendër të sistemit, një klishe që ajo e mori me idenë për ta vendosur realisht njeriun në qendër – përmes historive të tij, përmes temave që prekin përditshmërinë e tij. “Podkasti u zgjerua shumë përtej idesë fillestare dhe tashmë përfshin dhjetëra fusha të mjekësisë”, ndan Hrisçeva.
Bullgaria mbetet ndër vendet me vdekshmërinë më të lartë të parandalueshme në BE – pse vazhdojmë të jemi “kampionë” në këtë klasifikim të zymtë?
“Të dhënat tregojnë se Bullgaria është vërtet në vendet e para për nga vdekshmëria dhe sëmundshmëria nga sëmundjet kardiovaskulare, më pas nga sëmundjet onkologjike. Ka mbi 500 000 pacientë me diabet, dhe diabeti sjell një sërë komplikimesh pas vetes, veçanërisht kur është i patrajtuar dhe i pakontrolluar. Bullgari kërkon shumë rreptësisht të drejtat e tij, gjithmonë mendon se duhet të kërkojë mendim të parë, të dytë dhe të tretë, por shkon shumë vonë në institucionin mjekësor. Dhe pikërisht prej këtej vjen vdekshmëria e lartë në secilën prej këtyre sëmundjeve – shkuarja e vonshme te mjeku. Kjo është për shkak të mentalitetit tonë që të mos e vendosim shëndetin tonë në vend të parë. Bullgari nuk ushqehet aq shëndetshëm sa të tjerët, beson në çdo lloj spekulimi në internet për ushqimin, përveç kësaj bën shumë pak sport. Sporti masiv, obeziteti, stresi dhe depresionet – të gjitha këto janë gjithashtu të ndërlidhura.”
Gergana Hrisçeva dhe Prof. Ivelin Takorov
FOTO: Akademia Ushtarako-Mjekësore
Pse bullgarët kërkojnë ndihmë mjekësore shumë vonë? “Profilaksia në Bullgari ekziston, por ne nuk e përdorim”, ndan me dhimbje Gergana Hrisçeva:
“Guxoj të them se ne disponojmë të gjitha llojet e kontrolleve parandaluese përmes fondit shëndetësor, falas, të cilat do të na mbanin të shëndetshëm, nëse në periudhën e përcaktuar saktë do të shkonim dhe do t’i bënim. Vitet e fundit hynë shumë kontrolle shumë të mira parandaluese për kancerin e prostatës te burrat, mamografia te gratë. Ajo që mungon tek ne, si për shembull në Belgjikë – për të gjitha këto kontrolle parandaluese vjen njoftim me postë me letër. Tek ne megjithatë u krijua ‘E-shëndeti’. Kjo është dosja e pacientit, të cilën secili mund ta vendosë në telefon dhe ajo vazhdimisht mund të të sinjalizojë çfarë të pret dhe çfarë është bërë deri tani.”
FOTO: Sistemi Kombëtar i Informacionit Shëndetësor
Problem në kujdesin shëndetësor tek ne është mungesa në thellim e specialistëve mjekësorë.
“Për nga numri i mjekëve për frymë të popullsisë ne disponojmë një numër të mjaftueshëm mjekësh. Problemi është me numrin e infermierëve, i cili është në rënie gjatë viteve – sqaron Gergana Hrisçeva. – Mendoj se për momentin ata janë 22 000. Na duhen 2 ose 3 herë më shumë, në mënyrë që një infermier në Bullgari të mos kujdeset për më shumë se 5 të sëmurë. Më shpesh ndodh që ajo të kujdeset për më shumë se 15–20 të sëmurë. Na mungojnë edhe laborantë klinikë, specialistë në Qendrën Kombëtare të Radiologjisë, na mungojnë fizikantë mjekësorë, pasi aparatura në shëndetësi bëhet gjithnjë e më moderne dhe gjithnjë e më shumë hyn edhe inteligjenca artificiale. Atje gjithashtu do të na duhen shumë specialistë të trajnuar mes specialitetit kompjuterik dhe mjekësisë. Për shembull në spitalin e hematologjisë në kryeqytet ka mungesë të laborantëve klinikë. Këta janë njerëzit që marrin mostrat nga patologët pas biopsisë dhe gjithashtu kanë vendin e tyre në ndjekjen e llojit të tumorit. Atje një laborant klinik përpunon një numër të madh mostrash. E kuptoni që në rast lodhjeje të tepërt kjo mund të çojë në një gabim të madh. Sigurisht mungojnë sanitarët, mungon çdo personel mbështetës dhe e gjithë kjo është për shkak të pagesës jo të mirë dhe sigurisht punës jo tërheqëse.”
FOTO: BGNES
Megjithatë Gergana Hrisçeva vëzhgon edhe tendenca pozitive:
“Mjekët, të cilët 10–15 vitet e fundit kanë punuar jashtë vendit, filluan të kthehen në Bullgari. Specialistë shumë të mirë – gastroenterologë, urologë, kirurgë vaskularë. Kjo ndodh sepse Bullgaria tashmë ofron shëndetësi me aparaturë të nivelit botëror, spitalet janë gjithnjë e më moderne. Pagesa në raport me punën që do të kryejnë këtu në Bullgari është adekuate. ”
Ndër temat më të dëgjuara të podkastit “Në qendër të sistemit” janë ato kushtuar demencës, sindromës metabolike dhe obezitetit, hernieve diskale, kontratës kolektive të punës në shëndetësinë bullgare, të moshuarve në TikTok dhe të tjera. I lartë është interesi edhe për problemet e ndihmës psikologjike dhe shëndetit të fëmijëve:
Dr. Petër Iliev dhe Gergana Hrisçeva
FOTO: BNR
“Gjithnjë e më shumë bullgari dhe prindi bullgar kërkon ndihmë psikike dhe psikiatrike. Mendoj se bullgari tashmë u mësua të mos turpërohet dhe të mos ketë frikë të kërkojë ndihmë psikike dhe psikiatrike. Por këtu ekziston një problem serioz – një pjesë e madhe e gjendjeve dhe e ndihmës është jashtë Fondit të Sigurimit Shëndetësor. Ende nuk ka rregullore dhe ligj që të përfshijë ndihmën psikike dhe për këtë arsye gjithçka duhet të paguhet nga pacientët, por kemi psikologë të mirë.”
FOTO: BNR
Në botën bashkëkohore të zhurmës informative, podkasti shëndetësor i BNR-së “Në qendër të sistemit” dëshmon se gazetaria shëndetësore mund të jetë mision shoqëror. Në një vend që është ndër të parët për nga vdekshmëria e parandalueshme në BE, ku profilaksia ekziston, por neglizhohet, dhe spitali kombëtar i fëmijëve ende është vetëm projekt, platforma të tilla ndërtojnë kulturë shëndetësore.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski