POLITIKË

Artikull

Pas Këshillit të Sigurisë pranë Këshillit të Ministrave

Nuk ka kërcënim të drejtpërdrejtë për Bullgarinë

Enjte, 5 Mars 2026, 16:16

Pas Këshillit të Sigurisë pranë Këshillit të Ministrave

FOTO: BNT

Madhësia e shkronjave

“Nuk ka kërcënim të drejtpërdrejtë për Bullgarinë; mund të ketë vetëm kërcënime potenciale asimetrike.” Këtë e deklaroi para gazetarëve kryetarja e grupit parlamentar të “BSP – E Majta e Bashkuar”, Natalija Kisellova, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë pranë Këshillit të Ministrave lidhur me situatën në Lindjen e Mesme. “Asimetrike do të thotë që aktivitetet përndryshe normale përdoren për të ndërprerë funksionimin e infrastrukturave të ndryshme civile ose qeveritare, por këtu bëhet fjalë për kërcënime potenciale; nuk po flasim për një kërcënim konkret dhe real”, sqaroi ish-kryetarja e parlamentit.

Sipas Ivajllo Mirçev, bashkëkryetar i “Po, Bullgaria” dhe deputet nga koalicioni PP-DB, qeveria duhet të marrë masa për valë të mundshme migracioni. Megjithatë ai sqaroi se deri tani nuk ka indikacione për fluks migrantësh. Sa i përket rritjes së çmimit të naftës, shteti duhet të mendojë edhe për masa konkrete ekonomike.  “Duhet të jemi të përgatitur me masa të tilla, edhe pse nuk e dimë sa kohë do të zgjasë konflikti”, shtoi deputeti.

“Biseduam dhe kërkuam informacion. E dini që ka informacion specifik të cilin nuk mund ta bëj publik, por qeveria teknike nuk është e sinqertë me qytetarët bullgarë; nuk ishte e sinqertë as me parlamentin”, komentoi kryetari i grupit parlamentar të “Ka një popull të tillë”, Toshko Jordanov. Deputeti shprehu shqetësim për praninë e avionëve amerikanë në aeroportin e Sofjes. Ai theksoi se ekzistojnë rreziqe për Bulgaria që lidhen me konfliktin në Lindjen e Mesme dhe shprehu shpresën që ato të mbeten vetëm në sferën ekonomike.

“Bulgaria nuk është e kërcënuar drejtpërdrejt nga veprimet ushtarake. Ajo nuk është palë në konflikt dhe nuk merr pjesë në operacione. Siç dëgjuam edhe nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, edhe ata nuk marrin pjesë në këto veprime ushtarake”, deklaroi në një konferencë për shtyp kryeministri teknik Andrej Gjurov. “Situata nuk ka arritur ende në pikën e saj kritike, por nëse kjo ndodh, ne mund të mbrohemi dhe e dimë si ta bëjmë këtë”, shtoi kryeministri dhe këshilloi që paniku të mos përdoret për propagandë politike.

“U morën masa për përforcimin e mbrojtjes ajrore të vendit nga stafi i mbrojtjes, përmes aktivizimit të forcave dhe mjeteve”, njoftoi ministri teknik i mbrojtjes, Atanas Zaprjanov. Sipas tij, do të rritet gatishmëria e sistemit të mbrojtjes kundër raketave të NATO-s, dhe vendi ynë do të bëjë kërkesa për përforcime shtesë nëse komandimi kryesor i Aleancës vlerëson se ka nevojë për një garanci edhe më të madhe të mbrojtjes kundër raketave dhe mbrojtjes ajrore.


Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova