SHOQËRI

Artikel

Në oazën e gjelbër të Sofjes – Kopshti Botanik i Akademisë Bullgare të Shkencave

Premte, 6 Mars 2026, 17:10

Në oazën e gjelbër të Sofjes – Kopshti Botanik i Akademisë Bullgare të Shkencave

FOTO: Kopshti Botanik i Akademisë Bullgare të Shkencave

Madhësia e shkronjave

Gjatë ditëve të shkurtra dimërore, Sofja ofron aktivitete të ndryshme brenda ambienteve të mbyllura, ndër të cilat ngjyrë dhe bukuri shton Kopshti Botanik i Akademisë Bullgare të Shkencave (BAN). Vendndodhja mund të gjendet lehtësisht në hartë – duket qartë oaza e gjelbër, e shtrirë mes lagjeve të kryeqytetit, Dragalevci dhe Bojana. Kopshti është i hapur për vizitorë çdo ditë pune, madje edhe gjatë sezonit kur bimët jashtë “flenë” një gjumë dimëror.


FOTO: Kopshti Botanik i Akademisë Bullgare të Shkencave

Në pesë serrat tropikale të kopshtit valon punë intensive, sepse gjatë dimrit lulëzojnë azaletë dhe të gjitha llojet e orkideve. Këto bimë, të sjella nga pyjet e Japonisë dhe Kinës, kërkojnë lagështi të lartë të vazhdueshme që të mos thahet ngjyra e luleve dhe të ndihen sikur janë në mjedisin e tyre natyror.

Këtu ka sigurisht mbi njëqind azalea të ndryshme në të kuqe, të bardhë, vjollcë, rozë dhe shumëngjyrëshe, por më të veçantat janë dy bimë të fuqishme me moshë madhështore. Ato kanë qenë pjesë e koleksionit të serrave të Mbretit Ferdinand, i cili ka mbledhur bimë nga afër dhe nga larg për të zbukuruar pallatin mbretëror. Deri në ditët e sotme kanë mbijetuar mbi 80 lloje bimësh. Disa nga bimët janë shpëtuar nga lufta dhe bombardimet mbi Sofje dhe, në këto rrethana, kanë mbërritur në koleksionin e Kopshtit Botanik.


FOTO: Gergana Mançeva

Kopshti i Akademisë Bullgare të Shkencave (BAN) është trashëgimtar i Kopshtit Mbretëror Botanik, i cili fillimisht zinte një vend qendror në qytet, pikërisht përballë rektoratit të Universitetit të Sofjes. Ai u themelua në vitin 1882, por në vitin 1947 u bë pjesë e Institutit të Botanikës. Në vendndodhjen e tij aktuale u zhvendos në vitin 1968, me mision kryesor krijimin dhe mirëmbajtjen e koleksioneve të organizuara dhe të dokumentuara shkencërisht të bimëve të gjalla. Këto shërbejnë për qëllimet e kërkimeve botanike në fushën e shkencave natyrore, për ruajtjen e biodiversitetit dhe për mbështetje të procesit arsimor. Kopshti i Akademisë Bullgare të Shkencave bashkëpunon me 450 kopshte botanike në mbarë botën, duke u kthyer njëkohësisht në një muze të luleve të  gjalla, i cili vizitohet si nga nxënës dhe studentë, ashtu edhe nga kopshtarë amatorë.


FOTO: Kopshti Botanik i Akademisë Bullgare të Shkencave

Koleksionet e saj përfshijnë afërsisht 4000 lloje bimësh të larta, që përbën më shumë se 1% të biodiversitetit botëror. Falë punës së botanistëve, është krijuar një nga koleksionet më të pasura të bimëve tropikale dhe subtropikale në Gadishullin Ballkanik. “Ky thesar botanik kontribuon ndjeshëm në ruajtjen e bimëve në shkallë globale, si dhe në studimin dhe përmirësimin e praktikave kopshtare në Bullgari”, thonë nga Instituti i Botanikës pranë Akademisë Bullgare të Shkencave.



FOTO: Gergana Mançeva

Gjatë dimrit vazhdojnë të lulëzojnë orkidetë mbretërore, të sjella në Bullgari nga firmat floristike në fund të shekullit të XIX-të. Ato janë jashtëzakonisht të bukura — me lule të mëdha dhe me ngjyrë të qëndrueshme vjollcë — shpjegon botanistja dhe biologe me përvojë shumëvjeçare, Diana Venkova, duke tërhequr vëmendjen tek puna e studiuesve në Kopshtin Botanik pranë Akademisë Bullgare të Shkencave.

Diana Venkova

FOTO: Kopshti Botanik i Akademisë Bullgare të Shkencave

"Veprimtaria jonë shkencore lidhet kryesisht me florën bullgare, me bimë nga natyra jonë — ne rritim edhe lloje më të rralla bimësh, sepse qëllimi i një kopshti botanik është pikërisht të krijojë një koleksion të tillë me specie lokale, dhe aktualisht jemi në fillim të krijimit të tij. Para nesh, kolegët tanë kishin ide të ndryshme — ata ishin vetëm kujdestarë të koleksioneve dhe i pasuronin ato përmes shkëmbimeve midis kopshteve botanike në mbarë botën, të cilat vazhdojnë edhe sot. Kështu u tërhoqën lloje dhe varietete të reja.

Gjithashtu, ne shërbejmë si bazë për studime të kolegëve nga institute të tjera shkencore dhe si bazë për praktikën e studentëve nga Universiteti i Pyjeve, Universiteti i Sofjes dhe Akademia Bujqësore. Vijnë edhe shumë nxënës — me ta zhvillojmë ligjërata tërheqëse dhe organizojmë kampingje verore mes luleve.

Vizitorët tanë mësojnë shumë gjëra interesante, sepse këtu rritim edhe bimë tropikale, duke filluar nga pyjet tropikale të shiut, bimët e shkretëtirës dhe e gjysmë-shkretëtirës, dhe lloje që pothuajse nuk mund të shihen askund tjetër. Ky është edhe thelbi i një kopshti botanik — ai është një muze i gjallë, ku njerëzit mund të afrohen dhe të njohin nga afër botën e luleve."

FOTO: Gergana Mançeva

Për fëmijët, veçanërisht interesante janë bimët insektivore – “ato që lëvizin”, si p.sh. mimoza e turpshme, bimët ujore dhe bimët tropikale. Gjatë çdo stine dhe në çdo kohë ka gjithmonë diçka interesante për t’u parë në Kopshtin Botanik pranë Akademisë Bullgare të Shkencave, thotë me bindje Diana Venkova.

FOTO: Kopshti Botanik i Akademisë Bullgare të Shkencave

"Në Institutin e Botanikës ka një seksion që merret me bimët medicinale; në disa projekte bashkëpunojmë edhe ne me ta. Aktualisht, projekti ynë më i ri është krijimi i një plantacioni me disa lloje trumzash, të cilat gjenden në habitatet e tyre natyrore në Bullgari. Tani ato janë në gjendje dimërore, por nga prilli-maji do të fillojmë të mbledhim lule, t’i thajmë dhe t’i studiojmë. Tek ne mund të shihen bimë medicinale tropikale dhe bimë që i kemi parë në reklama dhe broshura, si aloe vera medicinale, xhoxhoba, dhe në disa periudha edhe levzea, të cilat pastaj zhduken përkohësisht. Azaleja është një bimë e bukur në formë shkurre, që tani është në lulëzim dhe që në natyrë gjendet në nënpyjet e Azisë. Tek ne, edhe në klimë të moderuar, ajo ka mbijetuar si bimë dekorative e brendshme. Njerëzit e pëlqejnë sepse sjell ngjyra në hapësirën e tyre, dhe mund të marrin edhe një bimë të vogël për ta rritur vetë."

FOTO: Gergana Mançeva

Ekspertët në Kopshtin Botanik nuk kursejnë këshillat për mënyrën e duhur të rritjes së bimëve, dhe çdo vizitor mund të mësojë nga përvoja e tyre. “Tek ne ka një përzierje të mirë të tokës, që e përgatisim vetë në kopsht, dhe gjithmonë jemi të gatshëm për këshilla”, thotë Diana Venkova. Nisma të ndryshme, si ditët e dyerve të hapura, punëtoritë e kopshtarisë dhe aktivitete të tjera të ngjashme, tërheqin adhuruesit e luleve në këtë pjesë të qytetit të Sofjes.



FOTO: Kopshti Botanik i Akademisë Bullgare të Shkencave

Orkidetë që gjenden në natyrë në Bullgari përfshijnë “pantoflën e Venusit”, “brumbujt”, “bletën” dhe të tjera. Ato kanë këto emra popullorë sepse lule të tyre imitojnë në formë dhe ngjyrë insektet, një veçori që ndihmon në mbledhjen e polenit në natyrë. “Ato bimë në asnjë rast nuk duhet të merren nga habitatet e tyre natyrore, sepse janë lloje të mbrojtura”, kujton Diana Venkova.


Zonja Vallëzuese

FOTO: Gergana Mançeva