Autor
Joan Kolev
Seksion
Dielë 8 Mars 2026 23:00
Dielë, 8 Mars 2026, 23:00
FOTO: AP/BTA
Madhësia e shkronjave
Lëshimi i një rakete balistike nga Irani drejt Turqisë e nxiti ministrin e Mbrojtjes Atanas Zaprjanov t’i kërkojë kryeministrit që të thërrasë një mbledhje të Këshillit të Sigurisë pranë Këshillit të Ministrave. Ajo u zhvillua dje, më 5 mars, dhe në të u ftuan edhe kryetarët e partive të përfaqësuara në parlament. Përfaqësuesit e “DPS – Fillim i Ri” dhe “Vëzrazhdane” u larguan nga mbledhja. Nga Lëvizja i bënë thirrje presidentes Ilijana Jotova të mbajë përgjegjësinë e saj dhe të thërrasë Këshillin Konsultativ për Sigurinë Kombëtare. Lideri i “Vëzrazhdane”, Kostadin Kostadinov, deklaroi se nuk ka garanci që qeveria bullgare nuk do të na bëjë pjesë të një aventure ushtarake.
“Bashkëkombësit tanë duhet të kujtojnë se për sigurinë e tyre kujdeset jo vetëm shteti bullgar, por edhe Aleanca e Atlantikut Verior. Si në kuadër të NATO-s, ashtu edhe në nivel kombëtar, ne kemi kapacitete me të cilat mund të mbrojmë shtetin tonë dhe, e theksoj, situata ende nuk ka arritur në një pikë kritike, por nëse kjo ndodh, ne mund të mbrohemi dhe kemi një strategji të qartë se si ta bëjmë këtë”, siguroi pas mbledhjes kryeministri Andrej Giurov. Sipas tij, “Bullgaria nuk është e kërcënuar drejtpërdrejt nga veprimet ushtarake, ajo nuk është palë në konflikt dhe nuk merr pjesë në operacionet ushtarake.”
FOTO: BTA
Gazetari Nikollaj Krëstev, me ndihmën e të cilit po përpiqemi të rregullojmë të paktën pjesërisht mozaikun e asaj që po ndodh prej disa ditësh, komentoi se sjellja e dy partive politike synon të tregojë se qeveria është e paaftë të përballojë situatën dhe nuk ka kapacitet për të zhvilluar politikë të jashtme dhe politikë në fushën e sigurisë. Sipas tij, kjo nuk është e vërtetë dhe Bullgaria e ka këtë kapacitet jo vetëm sepse është anëtare e NATO-s, por edhe sepse është një faktor i rëndësishëm për stabilitetin rajonal.
Çfarë është e rëndësishme të kemi parasysh për Bullgarinë nga tani e tutje, duke pasur parasysh marrëdhëniet tona me Iranin, të cilat datojnë prej më shumë se 120 vitesh – e pyetëm gazetarin dhe ekspertin e politikës ndërkombëtare Nikollaj Krëstev:
FOTO: Facebook/Nikolay Krastev
“Ekzistojnë rreziqe nga sjellja e Iranit në Ballkan. Ajo lidhet edhe me atentatin në aeroportin e Sarafovos në vitin 2012, kur organizata terroriste “Hezbollah” ishte në themel të tij. Për Bullgarinë, rreziku i përsëritjes së një atentati të tillë nuk është aspak i përjashtuar. Një nga bashkëbiseduesit e mi (Rusllan Trad në podkastin “#Ballkani”) thoshte se Irani ka ndikimin e tij në qytete të ndryshme përgjatë lumit Danub dhe në Detin e Zi. Këto janë qytetet e porteve Vidin, Ruse dhe Varna. E gjithë kjo nuk duhet t’i frikësojë bashkatdhetarët tanë, por rreziku mbetet dhe duhet të vëzhgohet nga ata që paguhen për këtë qëllim”, – shpjegoi Krëstev dhe shtoi: – “Aktualisht Irani përbën rrezik si për veten e tij dhe për njerëzit që luftojnë kundër këtij regjimi autoritar atje, ashtu edhe për të gjitha shtetet përreth.”
FOTO: REUTERS
Një shembull për këtë janë dronët e rrëzuar në territorin e Azerbajxhanit, njëri prej të cilëve ka prekur edhe aeroportin në enklavën Nahiçevan, që ndodhet rreth 10 kilometra nga kufiri midis dy shteteve.
“Nuk e di nëse në Iran e kuptojnë se me një sjellje të tillë po krijojnë më shumë armiq sesa miq. Shembulli me sulmin ndaj Nahiçevanit tregon se Irani po humbet fqinjë të afërt të tij, siç ishte Azerbajxhani, i cili ishte më tepër neutral ndaj veprimeve ushtarake në qershor të vitit të kaluar, por edhe tani. Prandaj nuk e di nëse Irani po fiton apo më tepër po humbet nga sjellja e tij”, – komentoi gazetari.
FOTO: AP/BTA
Çfarëdo që të ndodhë nga tani e tutje, Krëstev është i bindur se Irani do të vazhdojë të nxisë konflikte dhe të krijojë probleme:
“Qëllimi i Iranit është të krijojë më shumë kaos dhe dëshpërim në rajonet përreth tij, për të përkeqësuar ndjenjat e njerëzve që jetojnë në Lindjen e Mesme, në Kaukaz, madje edhe në Ballkan. Sa më shumë paqëndrueshmëri dhe pasiguri të ketë, aq më shumë kjo vetëm sa do të forcojë mosbesimin ndaj këtyre rajoneve për të cilat po flasim.”
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello