MUZIKË

Artikull

Dueti “Mania” hyn në vitin e 26-të me këngën e re “Dikush tjetër”

Hënë, 9 Mars 2026, 06:55

Dueti “Mania” hyn në vitin e 26-të me këngën e re “Dikush tjetër”

FOTO: YouTube

Madhësia e shkronjave

Pas një serie koncertesh me të cilat festuan 25 vjet në skenë, motrat Julia dhe Dani nga dueti “Mania” hyjnë në vitin e tyre të 26-të me një këngë të re – “Dikush tjetër”. Kënga është me muzikë nga Jasmin Isinov dhe Cvetan Çobanov, me të cilët ato njihen prej kohësh. Në aranzhim bashkohet edhe Rado Minev, me të cilin dueti “Mania” bashkëpunon për shumë vite. Daniella Petkova – njëra nga këngëtaret e duetit – shkroi tekstin, në të cilin shpreh bindjen e tyre se jo gjithçka ndodh vetëm në botën materiale. Sipas saj, njerëzit duhet të jenë më të ndërgjegjshëm, më të mirë me njëri-tjetrin, të dhurojnë dashuri dhe t’i kushtojnë më shumë vëmendje edhe botës shpirtërore. Julia Dimitrova konfirmon se edhe këtë herë ato këndojnë për dashurinë:

FOTO: Facebook/Duet Mania

“Për dashurinë, po – sepse ku do të ishim pa dashurinë?! Kalojnë gjithnjë e më shumë vite dhe ne – shpresoj – jemi bërë më të mençur. Pikërisht për këtë këndojmë në këngën “Dikush tjetër”. Po, njerëzit janë të shumtë, të shumtë janë edhe të dashuruarit. Por ne duhet t’i japim njëri-tjetrit shtysë, të frymëzojmë njëri-tjetrin dhe të jemi sa më të sinqertë e të hapur dhe të nxjerrim në pah më të mirën që kemi brenda nesh. Që edhe njeriu përballë nesh të mund të marrë qoftë edhe një grimcë nga e mira që japim. Prandaj jini të zgjuar e të vetëdijshëm, njerëz të dashur, dhe le të zgjojmë të mirën që është brenda nesh. Ky është mesazhi ynë; për këtë flasim shpesh edhe në shumë nga këngët tona.”

Aktualisht, dueti “Mania” po përgatit një turne të madh nëpër vend, i cili do të nisë në fillim të prillit. Turneu do të prezantojë një spektakël-koncert që përmbledh këngët e duetit nga 25 vitet e karrierës së tyre. Përveç koreografisë dinamike dhe serioze, vallëzimeve dhe performancave me saksofon nga Dani, në program do të ketë edhe shumë të ftuar, përfshirë formacione lokale baleti, shkolla vokale dhe ansamble të ndryshme.

Koncertet e duetit “Mania” gjithmonë përfundojnë me një mesazh të bukur – besimin në një të ardhme dhe jetë më të mirë, si edhe në muzikën bullgare.

 


Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova