KULTURË

Artikull

Një vepër emblematike e mjeshtrit të pikturës Zllatju Bojaxhiev del në ankand

Mërkurë, 11 Mars 2026, 05:20

Një vepër emblematike e mjeshtrit të pikturës Zllatju Bojaxhiev del në ankand

FOTO: artmark.bg

Madhësia e shkronjave

Vepra monumentale e Zllatju Bojaxhievit (1903–1976) “Dy dasma” është pjesa kryesore në ankandin pranveror me vepra të mjeshtërve bullgarë, i cili do të mbahet më 26 mars në Sofje. Piktura, me çmim të parashikuar midis 20 000 dhe 35 000 euro, u ble drejtpërdrejt nga profesori Uilliam Xhejms Orvill-Tomas nga vetë piktori. Ajo del në treg për herë të parë pas më shumë se pesë dekadash në një koleksion privat. “Dy dasma” u krijua në Paris në vitin 1970 dhe paraqet njëkohësisht një dasmë të krishterë dhe një dasmë myslimane në një peizazh dimëror me minare, kambanore kishe dhe një pemë shekullore. Ajo i përket periudhës së dytë të krijimtarisë së piktorit të madh, e cila filloi pas vitit 1951, kur Bojaxhiev pësoi një goditje të rëndë në tru që i paralizoi dorën e djathtë. Pas disa vitesh ai filloi të pikturojë me dorën e majtë, gjë që solli një ndryshim të madh në stilin e tij.

Në ankand do të dalin gjithashtu vepra të piktorëve të tillë si Ivan Milev, Zhorzh Papazov, Svetlin Rusev, Deçko Uzunov, Vlladimir Dimitrov – Mjeshtri dhe të tjerë. Të gjitha 178 veprat janë tashmë të ekspozuara dhe mund të shihen deri në ditën e ankandit në Shtëpinë Vatev – Galeria Artmark në Sofje me hyrje të lirë. Ekspozita është e hapur çdo ditë.


Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova