Autor
Ljubomir Kollarov
Artikull
Enjte 12 Mars 2026 07:00
Enjte, 12 Mars 2026, 07:00
FOTO: Facebook /Denka Në Hungari
Madhësia e shkronjave
Rruga e Denica Jurge drejt Hungarisë fillon jo me një plan afatgjatë apo me një strategji të parapërgatitur, por me dashuri dhe një vendim spontan. Bullgarja, e cila sot jeton me familjen e saj në Hungari, takon bashkëshortin e saj të ardhshëm – një hungarez – ndërsa punon në një call center në Sofje. “Ai jetoi në Bullgari gjithsej katër vjet. U njohëm në një call center në Sofje dhe aty filloi historia jonë”, tregon Denica.
Fëmija i tyre i parë ka lindur në Sofje, por kur bashkëshorti i saj merr një ofertë për punë në Budapest, familja e re merr një vendim që ndryshon jetën e tyre.
Ndërtesa madhështore e Parlamentit Hungarez në Budapest
FOTO: Facebook /Denka Në Hungari
“Nuk u mendova shumë thellë. Thjesht thashë: po shkojmë. Ishim jashtëzakonisht të rinj, shumë të dashuruar. Fëmija ynë ishte njëvjeçar dhe nuk analizuam rreziqet – thjesht mblodhëm bagazhin dhe u nisëm”, kujton ajo. Megjithatë, largimi nga vendi nuk është një heqje dorë: “Në asnjë rast nuk e pranoj këtë si ikje nga Bullgaria. Sipas meje kjo ishte një vazhdim i natyrshëm i historisë sonë.”
Muajt e parë në Hungari rezultojnë një provë. Edhe pse e përgatitur për “dallimet e mëdha”, përditshmëria e vendos Denicën përballë mungesave të papritura.
Kominçe - një kozunak bosh, i pjekur mbi qymyr druri, i mbështjellë rreth një cilindri prej druri
FOTO: Facebook /Denka Në Hungari
“Ishte shumë e vështirë për mua të mësohem me mungesën e djathit në dyqan ose me shijen e kosit. Papritur këto gjëra të njohura zhduken”, thotë ajo. Kësaj i shtohen edhe pengesa gjuhësore, vetmia dhe kujdesi për një fëmijë të vogël. “Shpesh i bëja vetes pyetjen nëse mora vendimin e duhur”, ndan bullgarja. Sot Denica e sheh këtë periudhë si një kohë të rritjes së brendshme: “Kjo ndodhi që të ndërtohem përsëri si njeri”.
FOTO: Facebook /Denka Në Hungari
Një temë veçanërisht e rëndësishme në bisedë janë fëmijët dhe përshtatja e tyre në realitetin hungarez. Edhe pse sot ata tashmë ndihen të sigurt në një mjedis shumëgjuhësh, fillimi nuk ka qenë i lehtë. “Kur filluan kopshtin, kishin rreth një vit përshtatje. Refuzonin të flisnin hungarisht, nuk donin të hanin atje”, tregon Denica. Megjithatë gradualisht fëmijët u mësuan, dhe sot kalojnë natyrshëm midis dy gjuhëve dhe dy kulturave – diçka që nëna e tyre e konsideron si pasuri.
Identiteti bullgar zë një vend qendror në jetën familjare.
“Deri më sot nuk flas me fëmijët e mi në hungarisht – vetëm në bullgarisht”, thekson Denica. Në shtëpinë e tyre gatuhen gatime bullgare, bëhen marteniçka dhe maska kukerësh. “Për mua është e rëndësishme të dinë nga vijnë”, shton ajo.
Supë me vezë sipas recetës hungareze
FOTO: Facebook/ Denka Në Hungari
Përmes rrjeteve sociale – YouTube dhe Facebook – Denica ndan receta, histori personale dhe përshtypje nga jeta në Hungari. “Doja të tregoja se të jesh i lumtur jashtë Bullgarisë nuk do të thotë të humbasësh identitetin tënd”, thotë ajo. Përveç kësaj, sipas saj, Hungaria është një vend për të cilin në Bullgari dihet pak.
FOTO: Facebook/ Denka Në Hungari
Në këtë kontekst Denica flet me një krenari të veçantë për kopshtarët bullgarë, të cilët kanë lënë një gjurmë të thellë në historinë hungareze.
Djathtas: anëtarë të “Shoqatës së Bullgarëve në Hungari”
FOTO: Facebook/ Denka Në Hungari
“Kjo është një temë që zgjon jashtëzakonisht shumë krenari tek unë. Njerëz që kanë ardhur në shekujt XVII, XVIII dhe XIX i kanë mësuar hungarezët për bujqësinë. Ata kanë ndërtuar një shkollë dhe një kishë bullgare. Kur dikush përmend kopshtarët bullgarë, gjithmonë më bëhet shumë kënaqësi”, ndan ajo. Sot kopshtaria bullgare është pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale të Hungarisë – një njohje që forcon ndjenjën e përkatësisë.
Denica gjen komunitetin e saj si mes bullgarëve në Hungari, ashtu edhe online. Fëmijët e saj ndjekin një shkollë bullgare dhe kërcejnë valle popullore.
“Ajo që bëni ju është një thesar”, thotë ajo për rubrikën “Bullgarët nëpër botë” të Radio Bullgarisë – “Pas çdo numri në statistikë qëndron një njeri me ëndrrat, frikërat dhe shpresat e tij”.
Pllaka e kishës bullgare "Shën Kirill dhe Metodij" në Budapest
FOTO: Facebook/ Denka Në Hungari
Dhe këshilla e saj për ata që po mendojnë të largohen? “Jini të guximshëm. Merrni në valixhen tuaj gjuhën, traditat, kujtimet tuaja – dhe ndjenjën tuaj të humorit.”
Historia e Denica Jurge tregon se jeta jashtë vendit nuk është një heqje dorë nga Bullgaria, por një mundësi që ajo të bartet, të ndahet dhe të ruhet e gjallë – edhe larg kufijve të saj.
Shihni më shumë nga Arkivi i Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski