Autor
Diana Cankova
Seksion
Premte 13 Mars 2026 07:00
Premte, 13 Mars 2026, 07:00
FOTO: catholic-bg.org
Madhësia e shkronjave
Tre klerikë katolikë bullgarë, të cilët ruajtën besimin e tyre në Jezu Krishtin, por jo jetën e tyre gjatë regjimit ateist komunist, pritet të shpallen martirë të bekuar të fesë nga Papa Leoni XVI. Kështu ata do t’i bashkohen Evgenij Bosillkovit, Kamen Viçevit, Pavell Xhixhovit dhe Josafat Shishkovit, të cilët në vitin 1952 refuzuan të nënshkruanin procesverbalet në gjyqin e sajuar kundër tyre dhe u pushkatuan në oborrin e Burgut Qendror të Sofjes. Martirët e fesë janë të parët që dëshmuan për ringjalljen e Krishtit duke derdhur gjakun e tyre.
Pushteti i ri pas grushtit të shtetit komunist më 9 shtator 1944 filloi represionet kundër Kishës Katolike me propagandë ateiste, të pasuara nga ndalimi i veprimtarive publike, konfiskimi i pasurisë dhe mbyllja e kolegjeve dhe spitaleve.
Atë Paolo Kortezi
FOTO: Facebook / Komuniteti Katolik – Belene
“Në të njëjtën kohë priftërinjtë ishin të vëzhguar nga Sigurimi i Shtetit dhe në vitet 1946–47 pothuajse secili prej tyre tashmë kishte një dosje – tregon Atë Paolo Kortezi, prift në Belene. – Represionet më të rrepta ndodhin në vitet 1951 dhe 1952, kur shumica e klerikëve katolikë arrestohen, ndërsa në Pallatin e Drejtësisë në Sofje shpallen dënimet me vdekje për ipeshkvin Bosillkov dhe priftërinjtë e Plovdivit Pavell, Kamen dhe Josafat, të cilët më vonë u shpallën të lumë. Të tjerët dënohen me burg ose dërgohen në kampe dhe të fundit prej tyre lirohen në vitin 1967 pasi kanë vuajtur dënime prej 15 vjetësh. Deri në ndryshimet politike, katolikët mbeten nën vëzhgimin e shërbimeve dhe jetojnë pothuajse si në katakombe. Ideja e autoriteteve ishte që ata të zhdukeshin nga Bullgaria.”
Tridhjetë e tre vjeç – njësoj si Jezu Krishti kur u kryqëzua – Fllavian Mankin përjeton mizorinë e shërbëtorëve të pamëshirshëm të regjimit. Ai është më i riu nga tre priftërinjtë që katolikët në vendin tonë shpresojnë t’i shohin të beatifikuar.
Atë Flavian Mankin
FOTO: vaticannews.va
“Atë Flavian Mankin në vitin 1944 u kap nga partizanët – thotë Paolo Kortezi. – Si prift famullie në qytetin e tij të lindjes, Rakovski, ai merrej me fëmijët, kremtonte liturgji dhe qëndronte larg politikës. Ky njeri i ri dhe plot jetë një ditë u copëtua me sëpatë dhe trupi i tij u hodh në lumin Strjama. Së bashku me të u vranë edhe dy besimtarë – gjithashtu martirë, sepse u përpoqën të mbronin priftin e tyre.”
Martiri i dytë për fenë e krishterë është ipeshkvi Ivan Romanov. I nënshtruar ndaj shumë torturave, ai gjeti vdekjen në burg, ku po vuante një dënim prej 12 vjetësh për spiunazh.
Peshkopi Ivan Romanov
FOTO: vaticannews.va
“Monsenjori Ivan Romanov, i lindur në fshatin Duvanlii, në rininë e tij u bë kapelan i oborrit të mbretit Ferdinand dhe shërbeu në shtëpinë e tij, edhe pas abdikimit të tij jashtë Bullgarisë, deri në vitin 1941 – tregon atë Paolo. – Në fillim të Luftës së Dytë Botërore ai u emërua nga Papa ipeshkëv i Sofje-Plovdivit dhe në vitin 1944 filloi të përjetonte represionet e autoriteteve kundër Kishës Katolike. Në verën e vitit 1952 u arrestua dhe disa muaj më vonë, në moshën 73-vjeçare, vdiq në burgun e Shumenit.”
Fortunat Bakallski është një nga grupi i madh i katolikëve të arrestuar dhe të torturuar në vitin 1952. I nënshtruar ndaj torturave, ai vdiq në moshën vetëm 36-vjeçare në burgun e Sofjes.
Atë Fortunat Bakallski
FOTO: vaticannews.va
“Atë Fortunat Bakallski, gjithashtu me origjinë nga rajoni i Rakovskit, për disa vite ishte prift në katedralen e kryeqytetit “Shën Josif” dhe njëkohësisht redaktor i revistës katolike “E Vërteta”. Ai u shpreh kundër pushtetit të ri, duke theksuar pamundësinë që një klerik të pranojë ateizmin dhe duke kritikuar kufizimet e vendosura ndaj Kishës Katolike si dhe dëbimin e priftërinjve të huaj. Fortunat Bakallski e shpalli me zë të lartë qëndrimin e tij, në kontrast me të tjerët që mbetën të qetë dhe të përulur si qengja të çuar për therje.”
Pritet që procesi i beatifikimit të tre martirëve, i cili përbëhet kryesisht nga mbledhja e dëshmive dhe dokumenteve për jetën dhe veprën e tyre të shenjtë, të përfundojë brenda dy vjetësh. Por çfarë kontributi do t’i shtojë ky akt autoritetit dhe misionit të Kishës Katolike në Bullgari – si shembull i përkushtimit dhe qëndrueshmërisë në kohë të vështira?
FOTO: vaticannews.va
“Ata janë shembull i njerëzve të butë, të përulur dhe punëtorë, të cilët e kanë dashur atdheun e tyre, kanë punuar për edukimin e të rinjve dhe u kanë shërbyer të gjithëve – përgjigjet Paolo Kortezi. – Ata gjithashtu kanë qenë bullgarë të mirë, të ndershëm dhe të mençur, dhe bashkatdhetarët e tyre duhet të gëzohen që në ato kohë të errëta ka pasur njerëz që, pa dhunë dhe pa përdorur fjalë apo veprime të këqija, kanë punuar deri në çastin e fundit për të mirën e njerëzve. Këta bullgarë të vërtetë ranë në kurthin e represioneve dhe le të jenë frymëzim për të gjithë ne që të përcjellim energji dhe forca të mira në shoqëri.”
Atë Paolo shpreson që një ditë të bëhet dëshmitar i kanonizimit të shenjtit të parë katolik bullgar. “Por që kjo të ndodhë nuk mjafton vetëm të jesh vrarë për shkak të fesë”, shton ai. Është e nevojshme që, përmes ndërmjetësimit të një martiri të lumë të ndodhë një mrekulli.
FOTO: catholic-bg.org
Disa persona kanë dëshmuar tashmë për shërime të mrekullueshme me ndihmën e Evgenij Bosillkovit dhe të lumëve të tjerë bullgarë, por fjalët e tyre duhet të mbështeten me dokumentacion klinik, sepse në Vatikan ky proces merret jashtëzakonisht seriozisht. Dhe ndërsa presim që lutjet të sjellin një mrekulli, Paolo Kortezi u dëshiron jo vetëm katolikëve, por të gjithë njerëzve në Bullgari të njihen me viktimat e atyre kohëve të errëta dhe prej tyre të marrin forcë për të qenë qytetarë të mirë dhe besimtarë të mirë.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello