Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
Premte 13 Mars 2026 19:05
Premte, 13 Mars 2026, 19:05
Panço Vlladigerov (1899 – 1978)
FOTO: sofiaphilharmonic.com
Madhësia e shkronjave
Literatura kërkimor-shkencore vendase kushtuar kompozitorit Panço Vlladigerov, e karakterizon kontributin e tij në kulturën tonë me përcaktime si “patriku i muzikës bullgare” dhe “një nga përfaqësuesit më të shquar të shkollës sonë kombëtare muzikore”. Ai është ndër krijuesit tanë të mëdhenj, të cilët bënë që zhanret muzikore të formuara nga tradita shekullore evropiane të flasin në gjuhën e gjenisë popullore bullgare. Stili i tij spikat për ndjeshmërinë jashtëzakonisht të hollë ndaj elementeve folklorike dhe për shndërrimin e tyre virtuoz në art muzikor. Por cilësia më e rëndësishme dhe më dalluese e muzikës së Vlladigerovit, për të cilën të gjithë njëzëri bien dakord, është ajo që përkufizohet si “një festë madhështore dhe e mrekullueshme tingujsh”.
Panço Vlladigerov dhe vëllai i tij binjak Ljuben Vlladigerov jetuan dhe studiuan në Berlin që nga mosha 13-vjeçare. Ata u kthyen për një kohë të shkurtër në Bullgari për të kryer shërbimin ushtarak dhe gjatë kësaj periudhe dhanë dhjetëra koncerte nëpër vend, në të cilat Panço Vlladigerov interpretonte edhe veprat e veta. Publiku dhe kritika e lavdëruan dhe ushqyen shpresa të mëdha tek ai për të ardhmen e muzikës klasike vendase.
Ljuben Vlladigerov dhe Panço Vlladigerov
FOTO: Arkivi familjar i Maria Ganevës
Nga viti 1920, Panço Vlladigerov vazhdoi studimet në Akademinë e Arteve në Berlin. Gjatë dymbëdhjetë viteve të ardhshme ai punonte në Teatrin Gjerman në Berlin dhe kompozoi muzikë për shumë shfaqje teatrore. Por më e rëndësishmja është se krijoi disa modele të para të zhanreve në muzikën klasike bullgare: trio për piano, cikël vokal dhe koncert për violinë. Në vitin 1922, në fillim të kësaj periudhe të parë krijuese jashtëzakonisht të frytshme të kompozitorit, u shfaq Rapsodia Vardar – vepra që edhe sot njihet pa mëdyshje si një emblemë e muzikës sonë kombëtare.
Rapsodia është një demonstrim i fuqishëm i mënyrës se si kompozitori i ri, vetëm 23-vjeçar, formonte stilin e tij të papërsëritshëm duke përdorur burimin e pasur të folklorit bullgar: idioma melodike dhe ritmike, ornamente tipike dhe mënyra karakteristike të nxjerrjes së tingullit, të shndërruara në harmoninë, strukturën muzikore dhe tingëllimin orkestral karakteristik për Panço Vlladigerov.
Panço Vlladigerov në Konservatorin Shtetëror Bullgar
FOTO: Agjencia Shtetërore "Arkiva"
Veprat e krijuara në vitet në vijim në Gjermani – “Suitë Bullgare” dhe “Shtatë valle simfonike bullgare” – janë shembuj të shkëlqyer për rrugën krijuese që ndoqi Panço Vlladigerov. Në këtë rrugë u nisën edhe kompozitorë të tjerë bullgarë të brezit të tij, të cilët synonin të krijonin atë që vetë e quanin “stil bullgar”, duke mbrojtur të drejtën e tyre për të qenë modernë dhe të pavarur në zgjedhjet e tyre artistike.
Origjinali i “Suitës Bullgare”, opus 21, për piano solo daton nga viti 1926, ndërsa një vit më vonë u përfundua edhe versioni për orkestër simfonike. Katër pjesët – Marsh, Këngë, Këngë valleje dhe Valle – janë ndërtuar mbi motive autentike të folklorit bullgar dhe i janë kushtuar “Atdheut tim”. Gjysmë shekulli më vonë – në vitin 1977 – Vlladigerov bëri përpunimin e vetëm të plotë të suitës – për dy piano.
Shumë e njohur edhe sot, kjo vepër përshkruhet nga vetë Panço Vlladigerov si një “gur themeli” në krijimtarinë e tij. Pjesa e dytë – “Këngë” – është një margaritar i vërtetë i muzikës klasike bullgare. E përpunuar nga autori për violonçel dhe piano, për violinë dhe piano, për violinë dhe orkestër, si edhe për orkestër dhome, ajo është shumë e dashur si për interpretuesit, ashtu edhe për publikun. Me melodinë e saj jashtëzakonisht të bukur dhe tërheqëse, kjo pjesë zë vend të qëndrueshëm në repertorin e instrumentistëve bullgarë, por më së shumti parapëlqehet nga violinistët, të cilët shpesh e përfshijnë në programet e recitaleve të tyre ose e ekzekutojnë si pjesë shtesë në fund të koncertit. Ndër ekzekutuesit e shumtë të shkëlqyer të “Këngës” nga “Suita Bullgare” janë edhe legjenda si David Ojstrah, Ljuben Vlladigerov, Bojan Leçev, Emill Kamillarov, Nedjallka Simeonova, Stojka Milanova, Çavdar Parashkevov dhe Svetlin Rusev.
Edhe pse bullgarët janë pa dyshim ekzekutuesit më përfaqësues të krijimtarisë së Panço Vlladigerov, në këtë botim të sotëm të Kryeveprave të Kulturës Muzikore Bullgare zgjedhim një ekzekutim të violinistes së madhe Dina Shnejderman.
Dina Shnejderman (1931 – 2016)
FOTO: Facebook/festival.emilkamilarov
Sot në internet për të mund të lexohet se është një “violiniste suedeze”. E lindur në vitin 1931 në Odesa, Dina u diplomua në Konservatorin e Moskës në klasën e violinistit të madh David Ojstrakh. Në vitin 1955 ajo u martua me violinistin bullgar Emill Kamillarov dhe të dy u vendosën në Bulgaria. Deri në fillim të viteve 80-të të shekullit të XX-të, Kamillarov dhe Shnajderman – fitues të konkurseve prestigjioze – dhanë një numër të madh koncertesh dhe ishin të preferuarit absolutë të publikut dhe kritikës në vend. Në vitin 1982 ata u larguan për në Suedi, hapën një shkollë muzike në Upsalla dhe vazhduan të japin koncerte nëpër botë. Në Bullgari, emrat e tyre ishin në “listën e zezë” dhe regjistrimet e tyre ishin të ndaluara për transmetim. Mezi në mes të viteve 90- të të shekullit të kaluar, Kamillarov dhe Shnajderman u kthyen në skenën bullgare.
Dina Shnajderman dhe Emill Kamillarov
FOTO: Facebook/festival.emilkamilarov
Ekzekutimi i jashtëzakonshëm i “Këngës” nga “Suita Bullgare”, opusi 21 – i papërmbajtshëm, i fuqishëm dhe mbretëror si vetë Dina Shnajderman – u regjistrua me Orkestrën Simfonike të Radiotelevizionit Bullgar nën drejtimin e djalit të kompozitorit, Aleksandër Vlladigerov, në vitin 1970.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova