POLITIKË

Seksion

Ngjarjet me adresë ballkanike

Shtunë, 14 Mars 2026, 09:00

Baza ushtarake në Cincu, Rumani

Baza ushtarake në Cincu, Rumani

FOTO: REUTERS

Madhësia e shkronjave

Rumania miratoi që SHBA-ja të përdorë bazat e saj në konfliktin me Iranin


50,4% e rumunëve mendojnë se Rumania duhet të mbajë një ekuilibër midis BE-së dhe SHBA-së në kontekstin e tensioneve midis Brukselit dhe administratës së presidentit Donald Trump, sipas një sondazhi të agjencisë sociologjike INSCOP. Sipas 22,7% të të anketuarve, Rumania duhet të qëndrojë më shumë pranë qëndrimit të BE-së, ndërsa 22,1% janë të mendimit se vendi duhet të forcojë marrëdhëniet me SHBA-në. Ideja për të mbajtur një ekuilibër midis BE-së dhe SHBA-së mbështetet kryesisht nga simpatizantët e dy prej partive qeverisëse në Rumani – Partisë Socialdemokrate dhe Partisë Kombëtare Liberale, shkruan BTA.


Qëndrimet e opinionit publik nuk e penguan parlamentin rumun që me 272 vota “pro” dhe 18 “kundër” të miratojë kërkesën e SHBA-së për të përdorur përkohësisht bazat ushtarake rumune në sulmet kundër Iranit.

Avion luftarak serb MiG-29 me dy raketa balistike kineze

FOTO: militarywatchmagazine.com

Serbia ka blerë nga Kina raketa hipersonike goditëse për goditjen e objektivave tokësore


Ushtria serbe është forca e parë e armatosur në Evropë që është pajisur me raketa balistike hipersonike, shkruan portali amerikan Military Watch. Një fotografi e një avioni luftarak serb MiG-29 me dy raketa balistike të prodhuara në Kinë tregon se Serbia është bërë përdoruesi i dytë i huaj i këtij lloji raketash pas Pakistanit, njoftoi televizioni shtetëror serb RTS. Fotografia e publikuar tregon një avion MiG-29 nga aeroporti ushtarak Batajnica me numër regjistrimi 18205, me dy raketa CM-400 AKG të vendosura nën krahë. Raketa ajër-tokë peshon 910 kg dhe ka një rreze veprimi mbi 300 km. “Kemi një numër të konsiderueshëm të këtyre raketave dhe do të kemi edhe më shumë,” deklaroi për RTS presidenti Aleksandër Vuçiç.


Edi Rama

FOTO: kryeministria.al

Durrës – Tiranë do të jetë linja e parë hekurudhore e elektrifikuar në Shqipëri


Linja hekurudhore midis Durrësit dhe Tiranës, e cila aktualisht është në ndërtim, pritet të vihet në funksion në vitin 2027. Këtë e bëri të ditur kryeministri shqiptar Edi Rama.


Linja do të ketë 12 stacione dhe do të jetë e para e elektrifikuar në vend. Ajo është pjesë e një plani më të gjerë për modernizimin e infrastrukturës hekurudhore shqiptare dhe integrimin e saj në rrjetet evropiane të transportit. Rama deklaroi se gjatë 6 viteve të fundit janë hartuar projekte për ndërtimin e rreth 500 km linjash hekurudhore.


Ndër projektet e planifikuara është linja Vorë – Hani i Hotit, e cila do ta lidhë Shqipërinë me Malin e Zi, si edhe segmente hekurudhore të Korridorit Nr. 8, njofton BGNES.


Në bashkëpunim me Kosovën është përgatitur edhe një studim paraprak për një lidhje hekurudhore 105-kilometërshe midis dy vendeve, me 14 tunele dhe 43 ura.

Yusuf Tekin

FOTO: turkiyetoday.com

Në Turqi po shqyrtohet mundësia që studentët të hyjnë në universitete në moshën 15-vjeçare


Duke pasur parasysh qasjen më të lehtë në informacion në botën moderne, qeveria turke po shqyrton mundësitë për të shkurtuar modelin e detyrueshëm 12-vjeçar të arsimit në vend dhe për të ulur moshën për hyrjen në universitet në 15 vjeç. Këtë e bëri të ditur ministri turk i Arsimit, Yusuf Tekin, i cituar nga faqja turkiyetoday.com.


“Në një periudhë kur qasja në informacion është jashtëzakonisht e lehtë, fëmijët tanë mund të kenë nevojë të nisen drejt arsimit të lartë në një moshë më të hershme”, komentoi Tekin para gazetarëve. Ai theksoi se për momentin këto ndryshime janë ende në fazën e diskutimit dhe të vlerësimit të mundësive, si dhe vendimi nëse ato do të zbatohen apo jo varet plotësisht nga parlamenti turk.

FOTO: BGNES

Ka kaluar një vit nga tragjedia në Koçan, ku nga një zjarr humbën jetën 63 persona


Tragjeditë nuk duhet të jenë kurrë fushë për përçarje. Ato duhet të jenë moment solidariteti, humanizmi dhe bashkimi, theksoi kryetari i parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, gjatë një seance përkujtimore të deputetëve me rastin e përvjetorit të zjarrit në një diskotekë në qytetin e Koçanit, njoftoi agjencia MIA.


Më 16 mars 2025, në diskotekën ilegale “Puls” në Koçan, 63 persona humbën jetën, ndërsa 223 të tjerë pësuan djegie të rënda dhe helmime. Qeveria e Maqedonisë së Veriut organizon më 14 mars një konferencë ndërkombëtare me temën “Aspektet institucionale dhe klinike dhe zgjidhjet pas zjarrit në Koçan – një vit më vonë”. Forumi do të mbledhë përfaqësues të institucioneve, ekspertë të shëndetësisë, organizata ndërkombëtare dhe partnerë humanitarë.


Përpiloi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello