Autor
Diana Cankova
Artikull
Dielë 15 Mars 2026 09:30
Dielë, 15 Mars 2026, 09:30
Prof. Indira Xagania
FOTO: Facebook/SokhumiStateUniversity
Madhësia e shkronjave
Albumi tregjuhësh “Zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe gjeorgjiano-bullgare”, i prezantuar në Universitetin Shtetëror të Sukumit në Tbilisi, e çon lexuesin në një udhëtim emocionues, ku ringjallen historia, kultura dhe lidhjet shpirtërore midis këtyre dy popujve të lashtë.
Sipas Prof. Indira Xagania, drejtuese e Departamentit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Marrëdhënie Ndërkulturore në institucionin e lartë dhe e ekipit krijues, çdo hapje e librit është një takim i ri me mirëkuptimin dhe respektin që qëndrojnë në bazë të bashkëpunimit midis dy popujve.
Një album tregjuhësh paraqet lidhjet shpirtërore midis Bullgarisë dhe Gjeorgjisë
FOTO: Facebook/SokhumiStateUniversity
Albumi me ilustrime të pasura – një punë e pedagogëve të departamentit dhe e drejtueses së lektoratit bullgar në Universitetin e Sukumit, kryeasistentja Ivana Petkova – del në gjuhët bullgare, gjeorgjiane dhe angleze. Duke ndjekur zhvillimin shumë shekullor të Bullgarisë dhe Gjeorgjisë, ai zbërthen unitetin e tyre civilizues, i cili konfirmohet edhe sot nga orientimi i përbashkët drejt rrugës evropiane.
Kryeasistentja Ivana Petkova
FOTO: Facebook/EmbassyBulgariaTbilisi
“Ekzistojnë dëshmi historike për vendosje të para-bullgarëve në Kaukazin e Jugut që në shekujt I–III pas Krishtit – shumë para krijimit të shtetit bullgar – tregon Ivana Petkova. – Megjithatë, marrëdhëniet sistematike gjeorgjiano-bullgare fillojnë në shekullin X, pas krishterimit të Bullgarisë. Në literaturën shkencore vihet re se bullgarët njihnin Iverët (gjeorgjianët etnikë), ndërsa gjeorgjianët njihnin vendin e bullgarëve. Për herë të parë banorët e Mbretërisë së Iverisë, që ndodhej në territorin e Kolhidës së Lashtë, përmenden në Jetëshkrimin e Konstantin-Kirill Filosofit, në debatin e njohur të Sinodit të Venedikut dhe në kundërshtimin e doktrinës tregjuhëshe. Krijuesi i alfabetit sllav paraqet argumentin vijues: “Ne njohim shumë popuj që kanë libra dhe lavdërojnë Zotin, secili në gjuhën e vet. Dihet që ndër ta janë (...) iverët (...) dhe shumë të tjerë.”
Ambasadori i Republikës së Bullgarisë në Gjeorgji, Veselin Vëllkanov, dhe Prof. Indira Xagania gjatë prezantimit të albumit
FOTO: Facebook/EmbassyBulgariaTbilisi
Fatkeqësisht, njohuritë e shumicës së gjeorgjianëve bashkëkohorë për Bullgarinë shtrihen vetëm tek resortet tona bregdetare dhe tek një mashtrim i qëllimshëm i ushqyer në hapësirën sovjetike dhe pas-sovjetike, se ne shkruajmë me shkronja ruse.
“Lidhur me këtë dua të theksoj se në territoret e Bullgarisë së sotme, dhe më saktë në Shkollën Letrare të Presllavit, nxënësit e të dy vëllezërve Kirill dhe Metodij zhvilluan një variant të ri të alfabetit glagolik, të quajtur cirilik, i cili sot përdoret nga tre të katërtat e botës sllave, si dhe në sistemet alfabetike të gjuhëve të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore – thekson Ivana Petkova. – Dua të nënvizoj gjithashtu se gjuha e parë letrare e botës sllave është bullgarishtja e vjetër sipas karakterit të saj etno-gjuhësor, dhe se ajo ishte gjuha e katërt kulturore në Evropë, e njohur që në shekullin e X-të si e shenjtë.”
Shekulli i Artë i shtetit bullgar, Rilindja jonë dhe luftërat tona për çlirim kombëtar gjejnë gjithashtu vend në këtë botim. Manastiri, i cili njihet nga gjeorgjianët si “Petricioni”, deri më sot kujton afërsinë midis dy popujve, e cila u formua nga përkatësia e tyre në botën ortodokse, nën ndikimin e Bizantit.
Manastiri i Bachkovos “Fjetja e Hyjlindëses”
FOTO: asenovgrad.bg
“Gjeorgjianët mund të mësojnë shumë nga ky album, jo vetëm për Bullgarinë, por edhe për vetveten – thotë Ivana Petkova. – Simbol i lidhjeve shpirtërore gjeorgjiano-bullgare është Manastiri i Baçkovos (Petricionski), i ndërtuar në vitin 1083 nga gjeorgjiani Grigor Bakuriani – gjeneral dhe shtetar bizantin. Ata mund të mësojnë për lidhjet midis Manastirit gjeorgjian Iviron në Malin e Shenjtë, ku ndodhet ikona mrekullibërëse e Shën Mërisë, dhe manastireve bullgare “Shën Gjergji Zograf” dhe “Hilandar”. Mund të njohin monumentet epigrafike të Provadisë dhe mbishkrimin unik gjeorgjian në shkëmb me vizatime nga shekulli XIV. Ata mund të mësojnë se në vitin 1901, romani “Nën zgjedhën” i Ivan Vazovit u përkthye nga intelektuali dhe shkrimtar gjeorgjian Tedo Sahokia, si dhe se në Paris përkthyesi i dhuroi autorit përkthimin gjeorgjian të romanit të parë bullgar. Mund të mësojnë gjithashtu se në të njëjtin vit, Ivan Vazov publikoi në revistën e autoritetshme “Mbledhja Bullgare” esenë e tij “Një vështrim mbi jetën historike të popullit gjeorgjian”.”
Një fakt tjetër i rëndësishëm është pjesëmarrja e shumë gjeorgjianëve – ushtarë të thjeshtë, oficerë dhe fisnikë trashëgimtarë – në Luftën Çlirimtare Ruso-Turke. Ndër ta është princi gjeorgjian Aleksej Cereteli, i cili luajti një rol të rëndësishëm në betejat e Shipkës. Kontributi i tij nderohet përmes rrugëve që mbajnë emrin e tij në Sofje dhe Plovdiv.
Basoreliev i princit Aleksej Cereteli në Sveti Vlas
FOTO: epicenter.bg
Një nga qëllimet e këtij albumi është të njohë dhe të thellojë lidhjet arsimore dhe kulturore midis dy vendeve. „Lektorati bullgar e konsolidoi këto lidhje në kapitullin special “Bullgaria dhe Universiteti Shtetëror i Suhumit’“, shton Ivana Petkova.
“Kam një ide për krijimin e një platforme akademike – vazhdon ajo. – Mund të quhet “Qendër Bullgaro-Gjeorgjiane për Studime Gjuhësore dhe Kulturore” ose “Qendër Bullgaro-Gjeorgjiane për Traditë, Gjuhë dhe Kulturë”. Kjo strukturë do të përfshijë një gamë më të gjerë aktivitetesh, duke mundësuar mësimin e gjuhës bullgare për më shumë njerëz nga moshat dhe interesat e ndryshme në fushën e marrëdhënieve bullgaro-gjeorgjiane. Në këtë mënyrë do t’i hapim audiencës më të gjerë mundësinë për të studiuar gjuhën tonë, ndërsa vetë universiteti do të forcojë profilin e tij si qendër akademike rajonale për bulgaristikën në Kaukazin Jugor.”
FOTO: Facebook/EmbassyBulgariaTbilisi
Origjina e lashtë, shtrirja si udhëkryq midis Evropës dhe Azisë, invazionet shekullore nga pushtues të huaj dhe betejat e rënda kundër tyre – të gjitha këto i afrojnë dy popujt më shumë me njëri-tjetrin. Dhe pavarësisht fatit të tyre të vështirë historik, ata kanë arritur të ruajnë gjuhën dhe identitetin e tyre kombëtar.
Studimet e bullgaristikës në Gjeorgji po bëjnë hapa të vogla, por të sigurta
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova