Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
Dielë 15 Mars 2026 08:40
Dielë, 15 Mars 2026, 08:40
Asen Ovçarov
FOTO: arkiv
Madhësia e shkronjave
Asen Ovçarov – një figurë kyçe në historinë muzikore bullgare, është një nga muzikantët e parë tanë të tërhequr nga xhazi. Kontributi i tij në zhvillimin e muzikës zbavitëse në vendin tonë është i paçmuar. Quhet “baba” dhe “themelues” i xhazit bullgar, duke zënë një vend qendror në historinë e kulturës sonë bashkëkohore me veprimtarinë e tij si drejtues i formacioneve të xhazit, autor i orkestrimeve dhe pedagog.
Karriera e tij mbresëlënëse filloi me themelimin e orkestrave të para bullgare të xhazit gjatë viteve 30 të shekullit të XX-të dhe me veprimtarinë prej pionieri si organizator dhe dirigjent, deri te puna e përkushtuar si mësues në Shkollën Muzikore të Plovdivit. Me talentin e tij të ndritur dhe erudicionin e pasur ai kultivoi shije dhe orientime estetike, duke e njohur publikun bullgar me artin e xhazit. Roli i tij në zhvillimin e këtij zhanri në Bullgari është i jashtëzakonshëm. Në dy dhjetëvjeçarët e fundit të jetës së tij Ovçarov u bë viktimë e represioneve të ashpra, që rrjedhën nga koniunktura politike pas fundit të viteve 40 të shekullit të XX-të, kur xhazi u gjend jashtë rrymave të ligjshme muzikore. Megjithatë, deri në fund të jetës së tij ai mbeti besnik ndaj këtij zhanri misterioz, elegant dhe të parezistueshëm.
I lindur në Harmanli në vitin 1906, Asen Ovçarov fillimisht iu përkushtua studimeve të kimisë në Universitetin e Sofjes, por shumë shpejt zbuloi se muzika ishte prirja e tij. Mësues i tij i pianos ishte profesori i njohur Andrej Stojanov – vëllai i kompozitorit Veselin Stojanov. Karriera e tij filloi si pianist në orkestrat e dirigjentit të shquar Boris Leviev. Në vitin 1932 Asen Ovçarov ishte muzikanti i parë i xhazit që luajti drejtpërdrejt para mikrofonave të Radios Kombëtare. Një vit më vonë ai ishte ndër nismëtarët e krijimit të një organizate profesionale të ansambleve të xhazit, të cilat themeluan “Klubin Orkestral të Xhazit”, me kryetar Boris Leviev. Por më e rëndësishmja ishte hapi vendimtar i Ovçarovit për ta nxjerrë xhazin nga mjediset e restoranteve dhe kabareve dhe për ta sjellë në skenën koncertore si formë të mirëfilltë arti. Thuhet se orkestra e parë bullgare e xhazit u krijua në vitin 1937 dhe kjo ishte e famshmja “Xhazi Ovçarov”. Megjithatë, rreth dy dhjetëvjeçarë më parë, në një intervistë për Radion Kombëtare Bullgare, kritiku muzikor Vlladimir Gaxhev tha:
Vlladimir Gaxhev
FOTO: iztok-zapad.eu
“Orkestra radiofonike e xhazit, që do të thotë edhe orkestra radiofonike për vallëzim, u krijua nga iniciativa e Dimitër Nenovit në vitin 1936. Tek ne ka mbetur dhe është përhapur përshtypja se orkestra e parë u krijua në vitin 1960, me nënkuptimin e Big Bendit, ndërkohë që në të vërtetë ajo ekzistonte që në vitin 1936. Në fakt, lideri dhe muzikant i parë real që mori pjesë në krijimin e xhazit bullgar ishte Asen Ovçarov...”
Në vitet 1936–1937, Asen Ovçarov krijoi një numër të madh aranzhimesh për ansamblin që ai vetë kishte formuar, ku spikaste edhe violinisti dhe kontrabassist i njohur, Aleksandër Nikollov, i njohur me nofkën Sasho Slladura. Koncerti i parë zyrtar i Big Bendit të madh me emrin “Xhazi Ovçarov” u mbajt në vitin 1938. Suksesi ishte i jashtëzakonshëm; në koncert ishin të pranishëm edhe impresario të huaj, të cilët madje i ofruan orkestrës një kontratë për një turne të madh në Amerikën e Jugut. Sipas Vlladimir Gaxhev, u bënë fotografi, materiale reklamuese dhe gjithçka tjetër e nevojshme për fushatën paraprake të turneut, i cili nuk u realizua – ndoshta për shkak të kushteve financiare të papranueshme.
Formacioni “Xhazi Ovçarov”
FOTO: arkiv
Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, xhazi fitoi popullaritet të madh në Bullgari. Në vitin 1941, në Kazinonë e Qytetit u hap një varieté, dhe organizatori – artisti i operetës Angell Sladkarov – angazhoi “Xhazi Ovçarov” si orkestrën kryesore. Megjithatë, u shfaq një konflikt me saksofonistin e ansamblit, Bozhidar Sakellarev, i cili në vitin 1944 u nda me pjesë të muzikantëve dhe udhëtoi nëpër vend me ansamblin e ri, të quajtur “Xhazi i optimistëve” – një emër që ngjante me disa orkestra të njëjta në Evropë. Pas luftës, jeta muzikore në kryeqytet u rikthye. Dy ansamblet më të njohura – “Xhazi Ovçarov” dhe “Xhazi i optimistëve” – alternonin me programet e tyre koncertore.
Në një intervistë për Radion Kombëtare Bullgare në vitin 2002, saksofonisti, klarinetist dhe dirigjent i shquar Dimitër Ganev – një nga krijuesit e Big Bendit të Radios Kombëtare Bullgare dhe themelues i orkestrës “Ballkanton” – kujtoi se si u ftuar në ansamblin e Ovçarovit, të cilin e përshkroi si një “personalitet shumëngjyrësh dhe punëdashës”.
FOTO: jazzfm.bg
“Kjo ishte një orkestër e mrekullueshme, me të vërtetë xhaz, që pati një sukses të madh në vendin ku luanim – në Barin “Sofja” – kujton Ganev, duke shtuar se interesi për paraqitjet e tyre ishte jashtëzakonisht i madh. Në të njëjtën intervistë ai përmend edhe një nga talentet unike të Asen Ovçarovit: aftësinë për të notuar partiturat e plota vetëm me dëgjim: “Atë kohë në Sofje po shfaqnin një film amerikan – “Parajsa e Borës” (origjinali: Sun Valley Serenade). Dhe Asen Ovçarov shkonte pas punës, që do të thotë rreth orës 4 të mëngjesit, në kinema, ku ia shfaqnin filmin, në mënyrë që ai të notonte në partiturë të gjitha meloditë – të gjitha këngët që ekzekutonte Orkestra e Glen Miller-it. Ditën tjetër ne fillonim provat, dhe sa e madhe ishte kënaqësia jonë kur duhej të luanim ato këngë që i luante Orkestra e Glen Miller-it!”
Dimitër Ganev
FOTO: Arkivi familjar i Maria Ganeva
Në vitin 1948 u formua një Big Bend i përbërë nga të gjitha seksionet – i pari i këtij lloji në vend. Formacioni i ri dha koncertin e tij të parë në Shtëpinë Sovjetike të Oficerëve, por represionet e regjimit totalitar nuk vonuan. Asen Ovçarov ishte ndër viktimat e para: në vitin 1949 ai u arrestua dhe u akuzua për spiunazh në favor të SHBA dhe Britanisë së Madhe. Ai me të vërtetë vizitonte misionet e tyre, por vetëm për të siguruar materiale muzikore origjinale. Orkestra “Xhazi Ovçarov” u shpërbë. Themeluesi i saj kaloi vite në burg dhe në kampin e përqendrimit në Belene. Më pas u internua në Plovdiv, ku jepte mësim akordeonin në Shkollën e Muzikës dhe u bë dirigjent i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve pranë Radios së Plovdivit. Më vonë ai krijoi sërish një Big Bend – këtë herë me shumë muzikantë të rinj. Pasi mësoi lajmin për ansamblin e ri të Asen Ovçarovit, Dimitër Ganev i propozoi kolegut të tij më të moshuar që të shkruante aranzhime për orkestrën “Ballkanton”. Ovçarov pranoi, por shëndeti i tij ishte shumë i dëmtuar dhe nuk mundi të kthehej në Sofje. Ai ndërroi jetë në Plovdiv në vitin 1972. Më 24 maj 2001 iu akordua pas vdekjes një çmim nderi nga Ministria e Kulturës e Republikës së Bullgarisë.
Pavarësisht të gjitha vështirësive dhe provave të jetës, i madhi muzikant bullgar Asen Ovçarov ruajti përkushtimin e tij ndaj këtij zhanri të dashur dhe arriti ta nguliste atë në mënyrë të qëndrueshme në peizazhin kulturor të vendit tonë.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova