Amerikania Martha Forsyth dhe pasioni i saj për magjinë e folklorit bullgar

Hënë, 27 Prill 2026, 06:00

Martha Forsyth

Martha Forsyth

FOTO: martha.forsyths.org

Madhësia e shkronjave

Në fund të shkurtit 2026, këngëtarja Vllada Tomova ishte në Bullgari për premierën e filmit të saj të parë dokumentar autorial. Me këtë vepër, me titull intriguese “Zmej prelete” (A Dragon Flew Over), autorja i bën homazh Martha Forsyth – etnomuzikologe e shquar, historiane dhe arkiviste e Shoqatës së Bullgaristëve në SHBA dhe një adhuruese e madhe dhe studiuese e folklorit bullgar. Për takimet e para të Martha Forsyth me Bullgarinë dhe bullgarët, Vllada Tomova rrëfen: “Mendoj se për herë të parë ajo vjen tek ne në vitin 1976. Si studente, duke studiuar filologji sllave, i është dashur të marrë një lëndë me zgjedhje dhe ka zgjedhur folklorin sllav. Kështu dëgjon për herë të parë këndimin bullgar. Dashurohet me të, por nuk arrin menjëherë të vijë në Bullgari. Pas disa vitesh gjen mjetet dhe që në udhëtimin e parë vjen me bashkëshortin dhe djalin e saj – Piter, i cili atëherë ishte trevjeçar. Nuk e di nëse që herën e parë shkon në Koprivshtica, apo në të dytën – në vitin 1978. Por një nga vizitat e saj të para është në Festivalin Folklorik të Koprivshticës”.

Tomova ndan emocionin e saj nga prezantimi akademik i filmit, i organizuar nga Akademia Bullgare e Shkencave dhe Universiteti i Sofjes: “Erdhën profesorë që e kishin njohur Martha-n që nga vitet e para kur ajo vinte në Bullgari – gjysma e dytë e viteve ’70, treguan histori të jashtëzakonshme… Pyetja ime e radhës për shkencëtarët e Akademisë do të jetë: cili është dallimi midis asaj që kemi ne si arkiv të ruajtur në fonotekën e Akademisë, të Radios Kombëtare Bullgare, të Bibliotekës Kombëtare, krahasuar me regjistrimet e Martha Forsyth. Prof. Julija Boeva kujtoi se Martha kishte dashur të kishte një kopje të arkivit të saj të digjitalizuar, i cili ruhet në Bibliotekën e Kongresit në Uashington, që ta kemi edhe këtu në Bullgari. Mbetet për t’u diskutuar kjo me bibliotekën – bëhet fjalë për një material të madh, të cilin ata po e digjitalizojnë, dhe kjo është një punë e jashtëzakonshme! Nuk janë vetëm regjistrime, por edhe përshkrimet e këngëve, historia e tyre, kur këndohen, cili është konteksti, kush i këndon, pse. Martha nuk e ndalonte kurrë regjistrimin, sepse nuk dihet kurrë kur personi që regjistrohet do të thotë diçka të rëndësishme ose do të fillojë të këndojë… Si sistematizohet saktësisht arkivi nuk e di, madje nuk mund ta imagjinoj. Shpresoj vërtet që ai të mund të jetë i qasshëm të paktën nga çdo pikë e botës pasi të digjitalizohet.”

FOTO: IEFEM-BAN

“Ju më pyetët si lindi ideja për filmin. Ishte pikërisht kjo – të popullarizojmë arkivin. Sepse edhe njerëzit që e adhurojnë folklorin autentik bullgar nuk e dinë se ai ekziston dhe si mund të jetë i qasshëm. Ideja lindi gjatë pandemisë, sepse koncerte të tilla në Bibliotekën e Kongresit zakonisht bëhen live. Ndërsa gjatë pandemisë u propozua që të regjistrohen dhe të ngarkohen në faqen e tyre. Dhe unë i propozova Martha-s të bëjmë një koncert kushtuar arkivit për ta popullarizuar… Kjo nuk ndodhi, por jeta bëri që Martha të fluturojë lart dhe unë nuk kisha asnjë dyshim se duhet të tregojmë më shumë për të. E bëra përmes këndvështrimit tim personal dhe përmes njohjes dhe miqësisë sonë, dhe kështu filmi u bë disi edhe histori për jetën time…”

FOTO: martha.forsyths.org

Vllada tregon se mbledhja e materialeve për filmin “Zmej prelete” ka qenë veçanërisht e vështirë. Gjatë titrave përfundimtarë të filmit dëgjohet një regjistrim i Martha Forsyth, e cila regjistron një grua të moshuar nga një fshat bullgar. Ato bisedojnë, qeshin, gruaja herë pas here fillon të këndojë, pastaj ndalon, derisa arrin në një interpretim të plotë të këngës.

Vllada Tomova

FOTO: BTA

Titulli i filmit – “Zmej prelete” – është shumë tërheqës, sepse dragoi është figurë kryesore në folklorin bullgar, dhe sot dragonjtë janë bërë popullorë në gjithë botën. Kënga me të njëjtin emër paraqitet në shumë variante në film.

“Unë e kisha dëgjuar këtë tematikë – thotë Tomova – por në fakt ne me korin tim kurrë nuk kishim interpretuar këngë që lidhen me ‘dragoin grabitqar’. Kjo temë doli nga diskutimet tona me Martha-n, sepse ajo theksoi se elementi kryesor, ai që është përcaktues për një këngë në folklor, është teksti dhe jo melodia. Siç vunë në dukje edhe etnologët, etnografët dhe etnomuzikologët, thuhej ‘të të tregoj një këngë’, dhe jo ‘të të këndoj’. Vendosëm që kjo temë të jetë motivi kryesor në koncertin tonë. Të tregojmë disa variacione të ndryshme të këngës ‘Zmej prelete’ dhe të shpjegojmë këtë mënyrë të të kuptuarit. Më pas, kur ua përmendëm këtë kolegëve që merren me forma më tradicionale të muzikës në SHBA, për shembull, ata thanë se një qasje e tillë ekziston edhe atje, pra nuk haset vetëm në Bullgari. Donim të ilustronim se si teksti është plotësisht i njëjtë, ndërsa tingëllimi është mjaft i ndryshëm. Kështu që po, ndoshta për shkak të një lloj migrimi që ka ndodhur nga fshati në fshat, apo nga rajoni në rajon, është krijuar kjo larmi në melodikë. Ato madje as nuk janë të ngjashme, do të thosha se janë krejtësisht të ndryshme.”

Në fund, me Vllada Tomova flasim për filmin e radhës – a do të ketë një të tillë, kur, dhe a do të jetë edhe ai për dragonj?

“Nuk kam ëndërruar asnjëherë të bëhem krijuese filmash, por verën e kaluar organizova një udhëtim të madh me tre kore nëpër Bullgari me rastin e festivalit në Koprivshtica. Pjesa më e madhe e kohës së kaluar së bashku ishte në rrugë – në Koprivshtica, pastaj Nedelino, Smoljan, kaluam nëpër Manastirin e Baçkovos, Pllovdiv. Dhe vërtet ndjeva se këto janë hapat e ardhshëm që bëjmë pas Martha-s. Ajo nisej nga një vend, ai e çonte në vendin tjetër, prej andej në tjetrin... Kështu u qartësua tema e filmit të ardhshëm – si e përcjellim përpara këtë histori. Në fund të fundit, kjo mënyrë jetese pothuajse nuk ekziston më. Edhe atëherë kur Martha regjistronte këngë, ai ishte në zhdukje, ndërsa tani nuk ekziston fare. Shumica e grave të regjistruara prej saj prej kohësh nuk jetojnë më. Prandaj filmi ynë i ardhshëm do të jetë për ne – këngëtaret bashkëkohore. Tre korët që u mblodhën në gusht 2025 në Bullgari ishin: nga Zelanda e Re kori i Tui Mamaki ‘Medena’ (Medena Ensemble), kori i Universitetit Yale – The Yale Slavic Chorus, formacioni im nga Nju Jorku ‘Jasni gllasove’ dhe edhe disa të ftuar që iu bashkuan grupit tonë. Gati 40 persona udhëtuam dhe kënduam. Dhe më duket se vërtet do të dalë një film i mirë i dytë, që të tregojë se si ne vazhdojmë veprën e Martha-s dhe e mbajmë me vete nëpër botë.”


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski