TURIZËM

Artikull

Bullgaria synon të bëhet një destinacion turistik gjatë gjithë vitit

Ministria e Turizmit shpalli vitin 2026 si Vit i turizmit kulturor

Enjte, 23 Prill 2026, 17:35

Bullgaria synon të bëhet një destinacion turistik gjatë gjithë vitit

FOTO: Ministria e Turizmit

Madhësia e shkronjave

Natyrë mahnitëse, tradita shumë shekullore dhe histori e gjatë – Bullgaria zotëron karakteristikat e nevojshme për të tërhequr vizitorë nga të gjitha drejtimet e botës. Kjo vlen edhe më shumë për këtë vit 2026, i shpallur si Viti i turizmit kulturor.

Zhvillimi dhe promovimi i trashëgimisë kulturore-historike është ndër qëllimet kryesore që i vendos vetes Ministria e Turizmit gjatë këtij viti.

Svetosllav Stojnev

FOTO: BTA

“Kur një destinacion nuk zgjeron portofolin e tij turistik, ai në mënyrë të pashmangshme arrin në ngopje të ofertës, prandaj edhe në vitin 2026 vendosëm fokus strategjik mbi turizmin kulturor si vazhdim logjik i suksesit të vitit të kaluar në turizmin e verës – thotë Svetosllav Stojnev, drejtor i Drejtorisë “Politika Turistike” në Ministrinë e Turizmit. – I qasemi turizmit kulturor në mënyrë të integruar në tre drejtime kryesore, sinergjia e të cilave krijon përvojën e vërtetë për turistin. I pari është trashëgimia kulturore e paluajtshme – arkeologjia dhe arkitektura, i dyti është trashëgimia e gjallë – folklori dhe zanatet, dhe i treti është arti bashkëkohor – festivale, koncerte dhe ngjarje kulturore. Qëllimi ynë është ta nxjerrim Bullgarinë si një destinacion gjatë gjithë vitit, që do të thotë shpërndarje më e mirë e fluksit turistik, zgjatje e periudhave aktive jashtë verës dhe dimrit dhe rritje e vlerës së shtuar të produktit turistik.”

Lufta në Lindjen e Mesme vendos përpara një prove serioze sektorin e turizmit, duke i bërë më të cenueshme komponentët e tij si transporti, çmimet dhe sjellja e turistëve.

“Nga njëra anë, kemi zgjatje të itinerareve të fluturimeve, kosto më të larta të karburanteve dhe një pasiguri të caktuar në sektorin e aviacionit, gjë që mund të çojë në presion mbi çmimet dhe në planifikim më të kujdesshëm të udhëtimeve nga turistët – shton Svetosllav Stojnev. – Por, nga ana tjetër, vërejmë një tendencë të kundërt – një pjesë e turistëve kërkojnë destinacione të sigurta evropiane, dhe kjo e vendos Bullgarinë në një pozicion të mirë për të tërhequr një fluks më të madh turistik. Mund të themi se situata është një kombinim i rrezikut dhe mundësisë, ndërsa detyra jonë kryesore është të kufizojmë efektin negativ dhe të shfrytëzojmë atë pozitiv përmes komunikimit aktiv dhe organizimit të qëndrueshëm të sezonit.”

FOTO: Ministria e Turizmit

Reklamimi i vendit tonë si një vend i sigurt për turistët aktualisht përqendrohet në tregje tradicionale si Britania e Madhe, Gjermania, Çekia dhe Polonia. Infrastruktura cilësore, fluturimet charter të siguruara dhe punësimi i punëtorëve nga vende të treta janë gjithashtu elemente për turizëm të suksesshëm, veçanërisht në prag të verës.

FOTO: bulgariatravel.org

“Infrastruktura mbetet faktor kyç për konkurrueshmërinë e sektorit ‘Turizëm’ – deklaron Svetosllav Stojnev. – Kemi përparim, por edhe sfida, sidomos në lidhje me qasjen në rajone të caktuara dhe lidhshmërinë ndërmjet objekteve turistike. Sa i përket fluturimeve charter – aeroportet tashmë i kanë të deklaruara dhe këtu nuk ka shqetësime. Sa u përket punëtorëve nga vendet e treta, zhvillojmë takime me organet që kanë lidhje me problemin, për të ndihmuar që procedura të kalojë më shpejt dhe të punësohen njerëz që të përballojnë sezonin e ardhshëm. Është e rëndësishme të theksohet se turizmi nuk mund të zhvillohet në mënyrë të pavarur – ai varet nga transporti, zhvillimi rajonal dhe mjedisi i përgjithshëm ekonomik, prandaj punojmë në koordinim të ngushtë me institucionet e tjera dhe bashkitë.”

FOTO: Ministria e Turizmit

jarjet kushtuar trashëgimisë kulturore-historike bullgare, rrugët kulturore dhe festivalet në Vitin e turizmit kulturor së shpejti do të publikohen në një rubrikë të veçantë në faqen e ministrisë, njoftoi Svetosllav Stojnev për Radio Bullgarinë. Vizitorët e vendit tonë do të kenë zgjedhje të madhe për t’u zhytur në pasuri nga objektet parahistorike dhe thesaret trakase, qytetet antike dhe mesjetare, traditat e gjalla, zanatet dhe shumëllojshmërinë kulturore.

FOTO: BTA

Qasja jonë është të paraqesim Bullgarinë përmes një kombinimi përvojash, dhe jo përmes ngjarjeve të veçanta – thotë më tej Stojnev. – Do të theksojmë ngjarje kulturore, rrugë kulinare, programe tematike, që e tregojnë vendin tonë si një destinacion më të gjallë dhe të larmishëm. Do të përpiqemi gjithashtu të tërheqim turistë shumë të angazhuar – ata qëndrojnë më gjatë, shpenzojnë më shumë dhe interesohen për përmbajtje, kulturë dhe autenticitet. Ideja jonë është të kalojmë nga turizmi masiv në një turizëm më cilësor, pa humbur vëllimet.

FOTO: Nikollaj Vasilev/ Ministria e Turizmit

Ngjarjet më të shumta dhe më interesante të Vitit të turizmit kulturor do të zhvillohen gjatë verës, kur resortet bregdetare janë plot me mysafirë bullgarë dhe të huaj. “Do të përpiqemi të krijojmë një produkt të përbashkët dhe njerëzit që shkojnë për pushime të mund ta kombinojnë atë me turizmin kulturor-historik”, thekson Svetosllav Stojnev. Sipas tij, rrugët kulturore të certifikuara nga Këshilli i Evropës garantojnë cilësi të lartë, strukturë të qartë dhe shtojnë vlerë edukative:

FOTO: Ministria e Turizmit

“Rrugët kulturore u japin mundësi turistëve jo thjesht të vizitojnë, por të kuptojnë, përjetojnë dhe lidhin elementet e veçanta të një historie të përbashkët. Presim që njerëzit të marrin njohuri, emocion dhe autenticitet, duke drejtuar njëkohësisht interesin e tyre drejt rajoneve më pak të njohura, gjë që është pjesë e rëndësishme e zhvillimit të qëndrueshëm të idesë sonë për turizmin.

Bullgaria është një destinacion i sigurt, i larmishëm dhe gjatë gjithë vitit – ky është mesazhi me të cilin vendi ynë përpiqet të arrijë te turistët, përfshirë përmes komunikimit efektiv dhe partneritetit me media ndërkombëtare, kanale digjitale dhe fushata tematike të lidhura me turizmin kulturor.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski