HISTORI

Artikull

Ati Maksim nga Manastiri i Kikosit – me dashuri dhe kujdes për Bullgarinë

Dielë, 26 Prill 2026, 09:45

Ati Maksim

Ati Maksim

FOTO: Krasimir Martinov

Madhësia e shkronjave

Pelegrinë nga e gjithë bota mblidhen çdo ditë në malin Troodos për t’u falur para ikonës mrekullibërëse të Hyjlindëses së Shenjtë “Dhembshuria” në Manastirin e Kikosit në Qipro. Veçanërisht gjallëri ka gjatë festave të mëdha të krishtera. Shumë bullgarë gjithashtu e vizitojnë këtë vend të shenjtë.

Një “gjurmë bullgare” në zhvillimin bashkëkohor të manastirit gjejmë edhe te ekonomi i tij, ati Maksim. Ai është bullgar nga babai dhe qipriot nga nëna, i diplomuar në Universitetin e Plovdivit “Paisij Hilendarski”, dhe shpesh ftohet edhe në Shkollën Bullgare të së Dielës “Streha Amtare” në Qipro.

Si u bë ati Maksim pjesë e këtij vendi të shenjtë?

Historia e tij na kthen në vitin 2007, kur ai e vizitoi për herë të parë manastirin, së bashku me shokët e tij të klasës. I mahnitur nga fuqia e tij shpirtërore, ai u dashurua me të dhe në çdo festë më të madhe, si edhe gjatë pushimeve, shkonte atje. Kështu u njoh edhe me udhëheqësin e tij të tanishëm shpirtëror.

“Para se të përfundoja klasën e 12-të, nuk durova më dhe i thashë vetes se doja të transferohesha në manastir – rrëfen ati Maksim. – Jetova këtu pothuajse 8 muaj, e më pas më dërguan të studioja teologji. Dhash provimet në Selanik. Por së bashku me një nga vëllezërit në Kikos, Mitropolitin Isaia, vizituam Mitropolinë e Plovdivit. Atje, me bekimin e Mitropolitit Nikollaj, u regjistrova në Universitetin e Plovdivit. Pasi e përfundova, ndoqa studime pasuniversitare dhe doktoraturë në Moskë, u ktheva në Qipro dhe në vitin 2021 mora murgërinë. Pak kohë më pas, me mirëdashjen e Mitropolitit Nikifor (shënim: igumen i Manastirit të Kikosit), i cili pa tek unë disa cilësi, më ngriti në detyrën më të lartë administrative – ekonom i manastirit qendror. Si i tillë, jam përgjegjës për pritjen e mysafirëve, për rreth 100 punëtorë që janë pjesë e një personeli prej 250 vetash të manastirit, si edhe për veprimtaritë e tij ekonomike dhe për gjithçka që lidhet me administrimin e tij. Manastiri i Kikosit është një institucion i madh me disa metoqe (degë manastiri). Meqë detyrat e igumenit janë të një shkalle shumë më të gjerë, selia e tij nuk ndodhet këtu, por në kryeqytetin Nikozia.”

Megjithëse Manastiri i Kikosit është stavropegjik, ai i nënshtrohet vetëm në mënyrë shpirtërore Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse të Qipros. Nga ana ekonomike është plotësisht i pavarur prej tij. Prandaj të gjitha të ardhurat e realizuara mbeten për nevojat e manastirit. Me to ai vetëfinancohet, por kryen edhe një sërë veprimtarish në dobi të shoqërisë – mbështet familje në nevojë, mban institucione të veta sociale: shtëpi për të moshuar, për fëmijë dhe për persona me aftësi të kufizuara, si edhe ndihmon veprimtarinë e organizatave të tjera shoqërore. Manastiri i Kikosit ka policinë e vet, shërbimin zjarrfikës, shërbimin e ndihmës së shpejtë mjekësore, një muze me nëntë dyqane dhe ekonomitë e veta bujqësore.


“Manastiri nuk është asketik. Ne jemi një manastir i hapur dhe kemi një murgëri sociale. Jemi të hapur për çdo njeri – për mysafirë, për grupe pelegrinësh, për turistë. Manastiri i hap dyert e tij në orën 4:30 të mëngjesit dhe pret vizitorë deri në orën 18:30 gjatë dimrit dhe deri në orën 19:30 gjatë muajve të verës. Nuk kemi kufizime. Dhe kjo e bën manastirin tonë të veçantë. Ai është i hapur për çdo lloj veprimtarie që vendos në qendër njeriun. Prandaj gëzon edhe një autoritet të madh në shoqëri. Qëllimi kryesor i manastirit është të përqendrohet në nevojat e çdo të krishteri. Prandaj, me fonde të manastirit janë ndërtuar shumë shkolla, kopshte dhe universitete.”

Afresk i Shën Marisë së Kikos

FOTO: Krasimir Martinov

Në të vërtetë, një rol të ngjashëm manastiri ka luajtur që në vitet e para pas themelimit të tij. Me këtë lidhet edhe legjenda e ikonës mrekullibërëse, e cila tani ruhet në kishën e Kikosit.


“Gjatë shekullit të XI-të, ende pa u ndërtuar tempulli dhe manastiri, këtu jetonte një murg me emrin Isaia. Ai ishte një asket i madh. Shpesh tek ai vinin sundimtarë bizantinë. Guvernatori ushtarak i pjesës qipriote të Perandorisë, Emanuel Votomid, u njoh me murgun dhe mori një ndriçim hyjnor nga Hyjlindësja – se duhej ta transferonin ikonën e Hyjlindëses së Shenjtë “Dhembshuria” nga Kostandinopoja në Kikos, në vitet para se frankët të hynin dhe të grabisnin gjithçka. Emanueli dhe Isaia shkuan te perandori bizantin Aleksi Komneni. Por ai nuk besoi se kjo ishte një ndriçim nga Hyjlindësja. Dhe ajo iu shfaq atij. Pas kësaj, ai dorëzoi ikonën dhe dha tokë për ndërtimin e manastirit dhe të të gjitha degëve të tij. Qëllimi ishte të mbështetej ushtria e perandorit bizantin në këtë pjesë të perandorisë. Dhe që në ato vite të hershme, manastiri filloi të lulëzonte.”

Legjenda flet edhe për faktin se pikërisht me urdhër të perandorit Aleksi Komnen, ikona e Hyjlindëses së Shenjtë u mbulua dhe mbetet e tillë deri më sot. Duke ia dorëzuar ikonën manastirit, Komneni tha: “Meqë unë nuk do ta shoh më fytyrën e Hyjlindëses, atëherë askush nuk do ta shohë atë!”


“Natyrisht mund të thuhet se kjo është një legjendë – thotë ati Maksim. – E vërteta është se ikona qëndron e mbuluar për t’u mbrojtur nga dëmtimet, pasi është e punuar nga mastikë dhe dyllë – materiale të ndjeshme ndaj ndikimeve atmosferike. Për ikonën dimë se u pikturua nga Shën Apostulli dhe Ungjilltar Luka dhe u soll nga perandoresha e shenjtë Shën Helena në shekullin e IV-të në Kostandinopojë. Gjithashtu, këtu u ndërtua ky manastir perandorak, i cili pati ndikim të madh në lulëzimin e Ortodoksisë.”

Përveç faktit që është i lidhur personalisht me Bullgarinë, tek ati Maksim vijnë edhe shumë bashkatdhetarë tanë që jetojnë në Qipro. Vetë ai jep mësim feje në një nga shkollat bullgare të së dielës. Ai na thotë se për të Bullgaria është diçka shumë e shtrenjtë dhe me vlerë të madhe. I pëlqen të komunikojë me priftërinj bullgarë, si edhe me njerëz që vizitojnë Qipron. Por, rezulton se Bullgaria është edhe një temë e ndjeshme për atin Maksim.


“Gjendja e Bullgarisë nuk më gëzon, nuk më gëzon mënyra se si veprojnë politikanët – na thotë ai. – Nuk më gëzon as mënyra se si veprojnë laikët. Por më gëzon mënyra se si vepron Kisha, sepse ajo përpiqet të punojë aq sa i lejohet. Shtetarët duhet të kuptojnë se, nëse nuk e ndihmojnë Kishën, populli bullgar nuk do të shohë prosperitet. Unë gëzohem dhe shoh veprimtarinë e hierarkëve bullgarë, të cilët punojnë me përkushtim dhe zell për grigjat e tyre, dhe lutem – me përulësi lutem dhe i padenjë lutem – që Zoti t’u japë forcë. Bullgarët duhet ta dinë se kudo që të jemi – në Amerikë, Kanada, Australi, Qipro, Spanjë apo Itali – ne mbetemi bullgarë. Dhe na dhemb ajo që po ndodh. Dhe lutemi për prosperitetin dhe rritjen shpirtërore të shtetit bullgar dhe të popullit bullgar.”

Kisha e Manastirit Kikos

FOTO: Krasimir Martinov

Sipas fjalëve të atit Maksim, rruga drejt prosperitetit është kur edhe fëmijët e vegjël rriten në bashkësi me Zotin. Dhe kështu ai hap temën e mësimit të fesë në shkolla.


“Mësimi i fesë në shkolla është një pjesë shumë e rëndësishme. Duhet të kuptohet se ai mund të sjellë vetëm të mira dhe të formojë njerëz të mirë – është i bindur ati Maksim. – Kur fëmijët të rriten, ata do të kenë atë farëz të vogël që Zoti do të mund ta ujitë dhe kështu fëmija të shndërrohet në një njeri të bukur. Fatkeqësisht, shtetarët bullgarë, të udhëhequr nga interesa të ndryshme dhe lojëra të fshehta, nuk ndihmojnë. Ata duhet ta bëjnë këtë sinqerisht – jo vetëm në mënyrë diplomatike me fjalë, por edhe me veprime. Më mirë është të mos flasin, por të veprojnë.”

E pyesim atin Maksim edhe për përvojën e Qipros. Presidenti i parë i vendit, në fakt, është një murg nga Manastiri i Kikosit. Si ndërthuren historia dhe e tashmja në marrëdhënien mes Kishës dhe shtetit sot?


“Po, presidenti i parë i Republikës së Qipros ishte Kryepeshkopi Makarios, një murg nga manastiri. Manastiri e dërgoi atë të studionte në vend të huaj. Më pas, ende gjatë administrimit britanik të Qipros, ai u kthye dhe u bë mitropolit. Makarios ishte gjithashtu një nga njerëzit që mbështetën tezën e bashkimit të Greqisë me Qipron. Kjo nuk u realizua, por Qiproja fitoi pavarësinë e saj. E dimë se, që nga koha osmane dhe ajo britanike, populli qipriot u drejtua nga klerikët. Ata ishin ura që lidhninsundimtarët – frankët, latinët, anglezët apo turqit – me popullin qipriot. Dhe kur diçka nuk shkoi mirë, ata ndëshkuan priftërinjtë. Prandaj edhe Kryepeshkopi Makarios u zgjodh presidenti i parë i Republikës së Qipros. Kjo ndodhi me 98% të votave. Në të njëjtën kohë, Kisha e Qipros u përfshi në një rol drejtues për prosperitetin e popullit qipriot. Fatkeqësisht, në vitin 1974, pas lojërave të fshehta dhe për shkak të juntës greke, Kryepeshkopi Makarios u rrëzua nga pushteti, dhe tre vjet më vonë ndërroi jetë. Kisha gjithmonë ka luajtur një rol të rëndësishëm. Prandaj mësimi i fesë është pjesë e ADN-së së arsimit qipriot. Dhe për çdo vendim të rëndësishëm lidhur me programet mësimore, Ministria e Arsimit këshillohet me Kishën e Qipros. Kisha është themeli i çdo shteti të krishterë. Ndonjëherë gjuha e saj mund të jetë e ashpër, por duhet të dëgjohemi, sepse hierarkët flasin atë që ka folur Krishti.”

Kompleksi përkujtimor mbi Manastirin Kikos, në kujtim të Kryepeshkopit Makarios

FOTO: Krasimir Martinov

Si e përvetësojnë fjalën e Zotit fëmijët e vegjël bullgarë në shkollën e së dielës ku jep mësim ati Maksim?


“Ka mjaft shkolla që dëshirojnë ta përfshijnë fenë në programet e tyre. Fatkeqësisht, unë nuk e kam këtë mundësi, sepse kam edhe detyrat e mia administrative në manastir dhe merrem vetëm me një shkollë. Por ajo që shoh është se edhe fëmijët nga martesat e përziera tregojnë interes. Kur shkoj të jap mësim, vijnë të gjithë fëmijët, madje edhe prindërit. Ky është një mesazh që na tregon se njerëzit kërkojnë Zotin. Edhe fëmijët duan të mësojnë. Por është e rëndësishme të ketë një program të mirë, që të mos i ngarkojë dhe gjithçka të vijë sipas moshës. Bullgarët këtu janë shumë të hapur ndaj mendimit teologjik, për sa kohë gjithçka bëhet me kujdes, me dashuri dhe pa kritikë. Kështu janë edhe fëmijët.”

 

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova