HISTORI

Artikull

Penço Sllavejkov është ndër poetët e parë të Bullgarisë moderne

Ka lindur në Trjavna më 27 prill para 160 vitesh

Hënë, 27 Prill 2026, 19:10

Penço Sllavejkov është ndër poetët e parë të Bullgarisë moderne

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

"Jeta e çdo njeriu është një varg rruazash prej ditësh të gëzueshme dhe të trishtueshme. Një varg të tillë mban edhe poeti. Dhe nëse dëshiron të jetë një pasqyrues i sinqertë i jetës, ai nuk mund të këndojë vetëm për diell dhe pranverë"… Me këto fjalë Penço Sllavejkov përvijon përfytyrimin e tij për misionin e poetit. Në vitin 2026 mbushen 160 vjet nga lindja e një prej figurave më të ndritura në letërsinë bullgare.

Penço Sllavejkov ka lindur më 27 prill 1866 në Trjavna si djali më i vogël i poetit Petko Raçov Sllavejkov (1827–1895) dhe Irina Sllavejkova – vajza e një tregtari të pasur nga Trjavna. Familja e tij është e madhe – me shtatë fëmijë, ndërsa ndër vëllezërit e tij janë politikanët Ivan dhe Hristo Sllavejkov, si dhe publicisti Raço Sllavejkov. Që në fëmijëri Penço bëhet dëshmitar i betejave shoqërore dhe politike, në të cilat merr pjesë babai i tij – si kundër fanariotëve para Çlirimit, ashtu edhe më vonë në debatet gjatë hartimit të ligjit themelor të Bullgarisë së sapoçliruar – Kushtetuta e Tërnovos (1879), përmbledh referenca në fondin arkivor të Radios Kombëtare Bullgare (BNR).

Monumenti i Petkos dhe Penço Sllavejkovit në Sofje

FOTO: Marta Ros

Vitet e shkollës së Penço Sllavejkov kalojnë në Trjavna dhe Stara Zagora dhe janë të shënuara nga kujtime për luftën çlirimtare. Pas Çlirimit ai vazhdon arsimin në Sliven, Tërnovo, Sofje dhe Pllovdiv. Pikërisht në Pllovdiv një ngrirje e rëndë gjatë rrëshqitjes mbi lumin e ngrirë Marica i shkakton një sëmundje të gjatë dhe të dhimbshme, që çon në paralizë të nervave. Trajtimi në Pllovdiv, Sofje, Vjenë, Paris, Lajpcig dhe Berlin mbetet pa sukses. Sëmundja e fituar lë gjurmë të thella mbi gjithë jetën e tij. Sllavejkovi i ri duhet të mësojë sërish të flasë, të shkruajë dhe të ecë. Megjithatë kjo provë mpreh ndjeshmërinë dhe vëzhgimin e tij, duke e shndërruar vuajtjen në një mësues shpirtëror të veçantë, që e lartëson atë.

Në vitin 1892 shkon në Lajpcig, ku studion filozofi dhe ndjek ligjërata edhe në disiplina të tjera humanitare. Pas kthimit në Bullgari në fillim të vitit 1898, Penço Sllavejkov zgjidhet anëtar i rregullt i Shoqërisë Letrare Bullgare (sot Akademia Bullgare e Shkencave – BAN). Punon si mësues dhe zv/drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Për një kohë të shkurtër nga 1908 deri në 1909 drejton edhe Teatrin Kombëtar, ku në të njëjtën kohë sekretar artistik është Pejo Javorov.


Rrethi letrar "Mendimi" – Penço Sllavejkov, Pejo Javorov, Petko Todorov, Krësto Krëstev

FOTO: nationalgeographic.bg

Në vitin 1909 Penço Sllavejkov së bashku me prof. Vasill Zllatarski dërgohet në Rusi për transferimin e eshtrave dhe bibliotekës personale të dhuruar të prof. Marin Drinov dhe për pjesëmarrje në festimet me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nikollai Gogol. Më 20 qershor 1910 mban një fjalim të guximshëm kundër mbledhjes në Sofje të Kuvendit Sllav. Ministri i ri i arsimit publik Stefan Bobçev – organizator i Kuvendit Sllav, e tërheq dhe e shkarkon nga posti i drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, ndërsa në vendin e tij emëron vëllanë e tij. Sllavejkov merr një propozim poshtërues për të zënë detyrën e kujdestarit të muzeut shkollor pranë Ministrisë së Arsimit Publik. Sllavejkov është invalid, ndërsa zyra e tij e punës ndodhet në katin e katërt, në një ndërtesë pa ashensor. I fyer, poeti refuzon të marrë këtë detyrë dhe largohet nga Bullgaria, duke u dënuar me mërgim vullnetar.

Penço Sllavejkov dhe Mara Bellçeva

FOTO: Agjencia Shtetërore e Arkivave

Deri në fund të jetës së tij Sllavejkov mban një lidhje të ngrohtë me poeten Mara Bellçeva, vejushë e Hristo Bellçev, ministër i financave në kabinetin e Stefan Stambollov. Pas largimit nga Bullgaria, poeti shkon në Zvicër, pastaj vendoset në Romë. Rrethanat rreth largimit të tij nga atdheu përkeqësojnë seriozisht shëndetin e tij të brishtë. Më 23 maj 1912 Mara Bellçeva dhe Penço Sllavejkov mbërrijnë në qytetin e vogël turistik Brunate, i vendosur midis liqenit Lago di Como dhe qytetit Como, Itali. I rraskapitur nga puna e gjatë dhe intensive, i hidhëruar dhe i munduar nga mendimi për të ardhmen e pasigurt, Sllavejkov vdes në mërgim më 28 maj 1912 në hotelin "Bela vista". Varroset në një varr në cep, nga ku shihen Alpet dhe Mont Blanc.

Portreti i Penço Sllavejkov nga artisti Nikolla Mihajllov

FOTO: BTA

Në janar 1912 shkrimtari suedez Alfred Jensen, anëtar i Institutit për Çmimin Nobel, propozon Penço Sllavejkov për Çmimin Nobel për Letërsi për poemën e tij "Këngë e përgjakur", por për shkak të vdekjes së poetit propozimi i Jensen nuk shqyrtohet nga Komiteti Nobel.

Eshtrat mortore të Sllavejkovit janë transferuar në Sofje në vitin 1921, ku në një ceremoni solemne, së bashku me eshtrat e Petko Todorov, rivarroset në tokën amtare. Fjalimi mortor është mbajtur nga historiani i letërsisë Bojan Penev.

FOTO: BTA

Kryevepra të padiskutueshme të Penço Sllavejkov për poezinë lirike bullgare janë përmbledhja poetike "Ëndërr për lumturinë" (1906) dhe libri origjinal "Në ishullin e të bekuarve" (1910), i shkruar në formën e një antologjie me vepra nga 19 poetë të imagjinuar nga Sllavejkov.

Sllavejkov është autor edhe i studimeve letrare dhe eseve, i përmbledhjes folklorike "Libri i këngëve" (1917) dhe veprave të tjera. Ai përkthen vepra të poetëve gjermanë (botuar në formë libri në vitin 1911), bën përkthimin e tragjedisë "Antigona" nga Sofokliu (1893), si dhe poemën filozofike "Kështu foli Zarathustra" të Friedrich Nietzsche (së bashku me poeten Mara Bellçeva) dhe poemën "Demoni" nga M. Ju. Lermontov (së bashku me Aleko Konstantinov). Letrat e lëna nga Sllavejkov janë shembuj të prozës artistike, dokumentacion i vlefshëm për botën krijuese dhe shpirtërore dhe kulturën e pasur të poetit.

Prof. Asoc. Jordan Eftimov

FOTO: BTA

BTA fillon në klubet e saj të shtypit në vend një seri bisedash kushtuar Penço Sllavejkov dhe modernizmit bullgar. Fillimi i takimeve letrare vendoset më 27 prill. Ngjarja e parë e nismës "Penço Sllavejkov sot" është në vendlindjen e poetit – Trjavna, në shtëpinë e Sllavejkovëve, njoftoi drejtori i përgjithshëm i BTA Kirill Vëllçev. Moderator i takimeve do të jetë poeti, studiuesi i letërsisë dhe kritiku letrar Jordan Eftimov. Numri i dhjetorit i revistës LIK këtë vit do të jetë pasqyrim i fushatës. Përveç reportazheve nga takimet, numri do të përfshijë edhe 160 fjalë të shkruara posaçërisht nga 160 persona për 160-vjetorin, sipas modelit të fushatës në nder të shkrimtarit Aleko Konstantinov.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski