FOLKLOR

Artikull

Dita e Shën Gjergjit në “Etër” – gjashtë ditë traditë e gjallë bullgare

Dielë, 3 Maj 2026, 06:40

Dita e Shën Gjergjit në “Etër” – gjashtë ditë traditë e gjallë bullgare

FOTO: Facebook/etar.bg

Madhësia e shkronjave

Në ditët e para të majit, Muzeu Rajonal Etnografik në natyrë “Etër” paraqet një program të pasur festiv kushtuar Ditës së Shën Gjergjit – një nga festat më të rëndësishme pranverore në Bullgari, e lidhur me ciklin bujqësor, blegtorinë dhe nderimin e Shën Gjergjit.

Gjatë të gjitha ditëve deri më 6 maj, Ditën e Shën Gjergjit, vizitorët do të zhyten në atmosferën e jetës tradicionale bullgare përmes demonstrimeve të zanateve, prezantimeve kulinare dhe rikrijimeve të zakoneve. Një nga skenat karakteristike është lëkundja e Shën Gjergjit pranë kishës “Shën Theofania” – simbol i rinovimit pranveror dhe pjellorisë. 

Janë parashikuar gjithashtu animacione interaktive në punishten e kambanarëve, si edhe mundësi për degustim të gatimeve tradicionale të përgatitura në vend sipas recetave të vjetra.


Vizitorët mund të shikojnë edhe zanate autentike në veprim – nga bluarja e drithit në mullirin me ujë deri te paraqitja e jetës blegtorale në mandrën ballkanike. Kulmi i festës është më 6 maj, me këngë korale kishtare, marshime festive dhe peshoren tradicionale të Shën Gjergjit para kishës “Shën Theofania”, si edhe një ekspozitë të veçantë kushtuar uniformës ushtarake bullgare – “Evolucioni i uniformës ushtarake bullgare 1876–1944”.


Ngjarja në "Etër" paraqet në mënyrë të qartë pasurinë e traditave bullgare dhe ruajtjen e tyre të gjallë sot si pjesë e trashëgimisë kulturore evropiane.

 

Përpiloi: Elena Karkallanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: etar.bg, Facebook/etar.bg, BTA