HISTORI

Seksion

Arsenali i lirisë në Kryengritjen e Prillit – Pjesa e parë

Si arriten trungjet e qershise te mposhtin celikun

Shtunë, 2 Maj 2026, 08:05

Arsenali i lirisë në Kryengritjen e Prillit – Pjesa e parë

FOTO: Ivo Ivanov

Madhësia e shkronjave

Në vitin 1876, pas tre muajsh përgatitjeje, revolucionarët e Komitetit të Giurgevos ngrejnë një kryengritje kundër pushtetit pesëshekullor osman në tokat bullgare. Kryengritja shtypet me gjak për më pak se një muaj. Por në krizën ndërkombëtare, të shkaktuar nga e ashtuquajtura “Çështja Lindore”, kryengritja ngre edhe çështjen e lirisë së bullgarëve. Ngjarjet çojnë në Luftën Ruso-Turke të viteve 1877–78 dhe në krijimin e Principatës së Bullgarisë, së bashku me krahinën autonome të Rumelisë Lindore në jug të Ballkanit. Në mungesë armësh, në përpjekjen e tyre për liri në vitin 1876, bullgarët janë aq të vendosur sa krijojnë topa prej druri për t’u përballur me ushtrinë osmane të rregullt dhe të armatosur ne menyre moderne.

Ideja për ndërtimin e artilerisë bullgare gjatë Kryengritjes së Prillit i përket Ivan Kishelskit, i lindur në Kotell. Si oficer i lartë në ushtrinë ruse, ai shkruan “Udhëzues për luftë të suksesshme kundër turqve”, botuar në vitin 1876. Aty ai zhvillon idenë se bullgarët e ngritur në kryengritje duhet të krijojnë të tre degët e forcave tokësore – këmbësorinë, kalorësinë dhe artilerinë” – tregon Prof. Asoc. Dr. Atanas Shopov, drejtor i Muzeut Historik në qytetin Panagiurishte, ku ndodhet qendra e Qarkut të Katërt Revolucionar gjatë kryengritjes.

Prof. Asoc. Atanas Shopov

FOTO: Ivo Ivanov

“Kur fillon përgatitja, Stoill Finxhikov, në mënyrë mjaft poetike, ka një lutje të tijën për Bullgarinë, e cila ka zënë vend në ekspozitën tonë: ‘O Zot, beko topin tonë të dobët që të gjëmojë dhe të na japë forcë e të dëgjohet në Evropë’. Dhe vërtet lutja dhe fjalët profetike të Stoillit realizohen, se topi do të jetë i fortë dhe do të dëgjohet në Evropë.

Stoill Finxhikov

FOTO: Muzeu Historik - Panagiurishte

Në të vërtetë, topi prej trungut të qershisë është një simbol i idesë sonë për jetë shtetërore, një plotësim në ndërtimin e ushtrisë sonë të rregullt bullgare. Dhe nëse shohim topat prej qershie, natyrisht në fillim, kur janë bërë dhe gjatë provave me shpërthimet, ato kanë plasur. Por gradualisht, nën drejtimin e Finxhikovit, mjeshtërve të tjerë, ata i kanë shtrënguar shumë mirë me kapëse metalike të posaçme, i kanë lyer dhe në këtë mënyrë kuptojnë se topat mund të kryejnë më shumë se 1, 2, 3 ose 4 të shtëna.”

FOTO: Ivo Ivanov

Ndër mjeshtrit e artilerisë prej qershie ishin farkëtarët e Panagiurishtes, (armëtarët) dhe mjeshtrit e qerreve. Disa prej tyre, si Stoill Finxhikov, Nikolla Bimbashov dhe Atanas Uzunov, kishin përvojë nga puna në arsenalet osmane në Stamboll. Në epokën moderne, kur osmanët dispononin topa çeliku të tipit “Krupp”, ata mbetën të habitur kur panë se bullgarët guxonin të qëllonin kundër tyre me topa prej druri. Turqit kapën mbi 10 topa druri. Disa prej tyre u dërguan në Edrene dhe në Kostandinopojë.

Atanas Uzunov edhe Stoill Finxhikov

FOTO: Muzeu Historik - Panagiurishte

“Nëse shohim fotografinë e bërë me topin e kapur prej drurit të qershisë në Edrene – aty paraqiten 4 persona, në fakt një njësi artilerie. Kemi një flamurtar, një njeri që komandon mënyrën se si kryhet procesi i mbushjes së armës dhe dy të tjerë që duhet ta realizojnë këtë”, komenton studiuesi.

FOTO: Muzeu Historik - Panagiurishte

Sipas disa autorëve, artileria prej druri ishte menduar më shumë për efekt psikologjik sesa për goditje të drejtpërdrejtë. Ajo duhej t’u jepte guxim kryengritësve dhe të mbillte frikë te kundërshtari, duke krijuar përshtypjen se edhe bullgarët kishin artileri.

FOTO: Ivo Ivanov

“Dhe këtu lind një pyetje shumë interesante për artilerinë prej qershie – një pyetje me përgjigje – thekson Prof. Asoc. Shopov. – Profesori i letërsisë në shkollën ushtarako-mjekësore në Gandon (në Stambollin e sotëm), i thotë doktor Hristo Stambollskit se çdo njeri me mendje të shëndoshë, duke parë këto topa prej qershie të ngritur kundër perandorisë, mund të kuptojë se në çfarë gjendjeje ndodhen këta bullgarë brenda kufijve të Perandorisë Osmane? Ndërsa kur të gjithë grumbullohen për të parë topin prej qershie në Tophane (arsenali i artilerisë), një turke thotë se ky top pas vetes do të sjellë topat e çeliktë, të cilët vërtet do të shkaktojnë kryengritje, trazira dhe ‘do të shkatërrojnë shtetin tonë’. Dhe vërtet, pikërisht kjo ndodh në Perandorinë Osmane. Fjalët profetike të kësaj gruaje turke bëhen realitet.”

FOTO: Ivo Ivanov

Topi prej qershie bëhet një simbol i pavdekshëm i Kryengritjes së Prillit, sepse ideja e vetëflijimit në emër të lirisë e shndërron drurin në një faktor më të fortë se hekuri. Vrulli rilindas i bullgarëve e kthen absurditetin e kohës dhe zakoneve osmane në një frymë lufte, e cila është vendimtare për çdo fitore – morale dhe materiale. Por kjo nuk është fundi i artilerisë revolucionare prej druri të bullgarëve. Gjatë Kryengritjes së Ilindenit (1903) kundër pushtetit turk në Maqedoni dhe Traki, sërish, për habinë e pushtuesit dhe të të huajve në Ballkan, VMORO rifillon breshëritë e topave prej qershie.


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello