Autor
Ivo Ivanov
Seksion
Arsenali i lirisë në Kryengritjen e Prillit – Pjesa e dytë
“Shite arën, bli pushkë!” – kjo ishte thirrja e bullgarëve të vitit 1876
Dielë 3 Maj 2026 08:00
Dielë, 3 Maj 2026, 08:00
FOTO: Ivo Ivanov
Madhësia e shkronjave
Për tre muaj – nga shkurti deri në prill të vitit 1876 – bullgarët përgatiten dhe armatosen fshehurazi për Kryengritjen e Prillit kundër shtypjes pesëshekullore të sulltanëve osmanë. Mblidhen dhe riparohen armë të vjetra, pistoleta, pushka. Në fshehtësi derdhen plumba dhe përgatiten fishekë me barut. Baruti blihet kontrabandë dhe magazinohet. Sipas historianëve, rreth 10 000 kryengritës përgatitien për luftë. Por ndër ta vetëm rreth 400 kishin pushka moderne.
“Pushkat tona ishin të ndryshme, shumica ‘çifte lefoshe, ndërsa e imja ishte një pushkë çerkeze, shumë e mirë”, kujton anëtari i Këshillit Ushtarak në Panagiurishte, Najden Drinov.
Metodi Navushtanov, kurator i përgjithshëm në Muzeun Historik – Panagiurishte
FOTO: Ivo Ivanov
“Çfarë përfaqëson mekanizmi me strall? Më thjesht, është një mekanizëm ndezës, ku në nofullat e çekiçit është fiksuar një strall; përpara ka një pllakë çeliku të kalitur dhe, pas mbushjes, kur shtypet këmbëza, del një shkëndijë që ndez barutin në tasin e ndezjes; ai më pas ndez barutin brenda tytës dhe pason e shtëna. Për një kohë të gjatë bashkëkohësit e konsideronin mekanizmin me strall si një shpikje kulmore të teknikës dhe një mrekulli të mekanikës”, – tregon Metodi Navushtanov, kurator në Muzeun Historik në Panagiurishte dhe kryetar i klubit lokal “Tradita” në qytetin që ka një rol qendror në ngjarjet kryengritëse të prillit 1876.
FOTO: Ivo Ivanov
Në veprën e tij në tri vëllime “Historia e Kryengritjes së Prillit”, Dimitër Strashimirov thotë se nga rreth 600 persona të regjistruar si kryengritës në Panagiurishte, të aftë për të mbajtur armë, të gjithë ishin të armatosur me pushkë me kapsolla, shumë prej të cilave ishin çifte gjuetie.
FOTO: Ivo Ivanov
Arma masive me mbushje nga gryka, e përdorur nga kryengritësit bullgarë, është arkaike. Ajo mbetet prapa me gati dy shekuj e gjysmë krahasuar me pushkat moderne me mbushje nga prapa dhe revolverët, të përdorur në ushtrinë osmane me fishekë të plotë, të prodhuar në fabrikë. Shpejtësia e qitjes së armëve me mbushje nga gryka është nga 1 deri në 3 të shtëna në minutë. Rrezja e tyre e veprimit arrin deri në 300 hapa.
FOTO: BTA
“Ne shumë herë jemi përpjekur ta shpjegojmë – çfarë heroizmi, çfarë gatishmërie për vetëflijim kanë pasur të parët tanë dhe çfarë trimërie është dashur të kenë në zemrat e tyre, për t’u përballur me një armë kaq të vjetër, arkaike, kundër armëve moderne evropiane, amerikane dhe të çdo lloji tjetër të ushtrisë osmane?!”, rrëfen me frymëzim Metodi Navushtanov.
Në fillim të majit kryengritja shtypet me egërsi, veçanërisht me shumë gjakderdhje në rajonin e Panagiurishtes, ku çdo vit më 1 maj organizohen përkujtime kombëtare me rastin e veprës më të madhe revolucionare bullgare, e cila vendosi çështjen e lirisë së popullit bullgar në skenën evropiane.
FOTO: BTA
Çdo vit, së bashku me klubin lokal “Tradita”, Metodi Navushtanov, shtëpia e kulturës e qytetit dhe Muzeu Historik i Panagiurishtes janë ndër pjesëmarrësit kryesorë në rikonstruksionet historik që paraqesin epopenë e Kryengritjes së Prillit. Navushtanov thekson se tradita e riprodhimit të këtyre ngjarjeve fillon që në vitin 1901.
“Shite arën, bli pushkë!” – e tillë ishte thirrja e bullgarëve të vitit 1876. Shumica kanë qenë njerëz me pasuri dhe punëtorë. Kishin shumë për të humbur, por kjo nuk vlente asgjë, përderisa nuk kishin liri. Liria gjithmonë kushton shumë më shtrenjtë se çdo pasuri dhe heronjtë gjithmonë e paguajnë me çmimin më të lartë, të shkruar në flamujt e tyre: “Liri ose vdekje”.
FOTO: Muzeu Historik në Panagiurishte
Përpiloi: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello