HISTORI

Artikull

Orkestra e Gardës – traditë shekullore dhe pjesë e ceremonialit shtetëror

Orkestrat ushtarake janë në themel të kulturës muzikore pas Çlirimit në Bullgari

Mërkurë, 6 Maj 2026, 06:00

Orkestra e Gardës – traditë shekullore dhe pjesë e ceremonialit shtetëror

FOTO: Facebook/Guards Representative Brass Band

Madhësia e shkronjave

Festa e Shën Gjergjit – 6 maj – në vendin tonë është gjithashtu Dita e Trimërisë dhe festa e Ushtrisë Bullgare – një datë që ndërthur traditën ushtarake, kujtesën kombëtare dhe simbolikën shpirtërore. Për shumëkënd, imazhi i ushtarit barazohet me pamjen e gardistit, ndërsa Njësia Kombëtare e Gardës – me uniformat e saj dalluese dhe ritualet e sakta – është emblemë e shtetësisë bullgare.

FOTO: Facebook/Guards Representative Brass Band

Pjesë thelbësore e kësaj trashëgimie është Orkestra e Gardës, e themeluar me dekret princëror në vitin 1892 – një nga ansamblet e para profesionale muzikore në Bullgari, që ka kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e kulturës muzikore kombëtare. Që në fund të shekullit XIX, orkestra regjistron pllaka gramafoni për kompani të huaja, përmes të cilave muzika bullgare arrin te publiku evropian.

Dr. Galja Grozdanova-Radeva

FOTO: Joan Kolev

“Është e rëndësishme të themi se përbërja e Orkestrës së Gardës, e cila fillon punën e saj të mirëfilltë në fillim të vitit 1893, është pothuajse tërësisht nga bullgarë – kjo është një orkestër e plotë ushtarake në veprim, personeli i së cilës është transferuar nga Regjimenti i Gjashtë i Tërnovos në përbërje të Eskadronit të Gardës, domethënë kjo nuk është një orkestër që tani po formohet, por ka historinë e saj. Në krye të orkestrës një vit më herët qëndron Josef Hohola – drejtuesi i orkestrës më me përvojë në vendin tonë, dirigjenti dhe kompozitori i parë profesionist” – tregon muzikologia dr. Galja Grozdanova-Radeva, pedagoge në Shkollën Kombëtare të Muzikës “Ljubomir Pipkov” në Sofje. Ajo është autore e dy studimeve kushtuar orkestrave të hershme profesionale në Bullgari dhe historisë së Orkestrës së Gardës.

FOTO: BTA

Orkestra e Gardës sot mishëron traditën muzikore ushtarake në Bullgari, fillimi i së cilës është vendosur më shumë se një dekadë para themelimit të saj – në vitin 1879, një vit pas Çlirimit të vendit nga sundimi osman, kur orkestra e parë ushtarake, e drejtuar nga drejtuesi i orkestrës çek Josef Hohola, mbërrin në Veliko Tërnovo. Vetëm disa javë më vonë ai merr pjesë në një ngjarje historike me rëndësi kyçe për shtetin e ri bullgar – shpalljen e princit Aleksandër I Batenberg dhe miratimin e kushtetutës së parë bullgare.

FOTO: Arkivi personal i Dr. Galja Grozdanova-Radeva

“Ekziston vetëm një monografi kushtuar orkestrave frymore ushtarake – e Atanas Ivanov, e botuar në vitin 1979. Pavarësisht rëndësisë së tyre, këto ansamble rrallë kanë qenë objekt i studimeve të thelluara shkencore”, thekson muzikologia dr. Galja Grozdanova-Radeva. Në një intervistë për Radio Bullgarinë ajo zbulon momente pak të njohura nga zhvillimi i orkestrave ushtarake – formacione që luajnë rol kyç në formësimin e jetës muzikore në vend pas Çlirimit dhe mbeten një urë e rëndësishme kulturore midis Bullgarisë dhe Evropës.

“Në shtetin bullgar profesioni ‘muzikant’ hyn me orkestrat frymore ushtarake dhe me ardhjen e tyre në vitin 1879. Atëherë ai shprehej vetëm në tri forma: muzikant ushtarak, drejtues orkestre ushtarak dhe mësues këngë e muzike. Ky ka qenë një profesion i lirë dhe të gjithë muzikantët, duke formuar një shtresë të tillë, në një mënyrë apo tjetër nuk kanë qenë nga radhët me prestigj të lartë shoqëror, ndërsa, nga ana tjetër, të tilla kanë qenë profesionet e muzikantit dhe dirigjentit ushtarak. Prej këtej ndoshta vjen një qëndrim i tillë ndaj muzikantëve ushtarakë si ndaj diçkaje që nuk është pjesë e kulturës muzikore bullgare, por kjo nuk është e vërtetë!”

FOTO: Arkiv BTA

Orkestrat frymore ushtarake janë ansamblet e para profesionale muzikore në Bullgari, tregon studiuesja. Pikërisht ato krijojnë repertorin artistik kombëtar, ndërsa të ashtuquajturat shkolla ‘drejtues orkestre’, trajnojnë qindra të rinj bullgarë për muzikantë. Ky mision u është ngarkuar nga shteti bullgar, së bashku me detyrën për të mbledhur dhe regjistruar folklorin muzikor bullgar, por edhe për të njohur publikun bullgar me shembuj të kompozitorëve evropianë, me qëllim afrimin e tij me artin muzikor të Evropës.

“Është e rëndësishme të theksojmë se themelet e shkollës muzikore-pedagogjike në Bullgari janë vendosur gjithashtu nga drejtuesit e orkestrave dhe muzikantët ushtarakë. Ky është detyrimi i tyre i parë dhe madje para se të mbërrijnë në Bullgari, në kontratat e tyre ka kërkesë që secili prej tyre të trajnojë minimumi tre të rinj bullgarë në vit në instrumentin që luan. Trajnimi zgjerohet aq shumë sa plotësohen me personel të gjitha orkestrat dhe vazhdimisht hapen të reja – derisa kapaciteti i ushtrisë bullgare në atë kohë mbushet dhe këto kuadro, të trajnuara nga drejtuesit ushtarakë të orkestrave, formojnë edhe orkestrat civile” – tregon dr. Galja Grozdanova-Radeva.

FOTO: BTA

Drejtuesit e orkestrave dhe muzikantët ushtarakë në praktikë krijojnë themelet e jetës muzikore bullgare dhe të gjitha orkestrat pasuese – të harqeve, simfonike, xhaz – dhe luajnë rol të madh në zhvillimin e shijes dhe njohurive muzikore të shoqërisë. Por nuk duhet harruar kontributi i tyre më i rëndësishëm në histori – orkestrat ushtarake ishin përballë të gjitha luftërave të zhvilluara nga shteti i ri. Muzika e tyre udhëheq ushtritë në beteja, në pushtimin e fortifikimeve gjatë Luftës Serbo-Bullgare, Luftës së Parë Ballkanike, Luftës së Dytë Ballkanike, Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Edhe në momentet më të vështira, marshimet luftarake të pavdekshme ngrejnë moralin e ushtrisë që të ecë përpara dhe të fitojë.

“Këta bij bullgarë kanë lënë gjakun dhe kockat e tyre në shumë fusha beteje dhe kanë luftuar për të ruajtur lirinë tonë, pavarësinë dhe tërësinë territoriale. Ajo që unë do t’u uroja ushtarakëve, por edhe të gjithë bullgarëve në lidhje me festën e sotme, përveç shëndetit, është – të ruajnë fort dhe të kujtojnë kujtesën tonë historike dhe kulturore, sepse ajo është shtylla shpirtërore e kombit bullgar dhe ajo që garanton pavarësinë dhe mëvetësinë e shpirtit tonë si popull dhe të ardhmen tonë si komb. Orkestrave ushtarake dhe drejtuesve të tyre (dirigjentëve) u uroj që puna e tyre të respektohet dhe vlerësohet si e specializuar dhe shumë e nderuar dhe të marrin vlerësimin e tyre në shoqëri për të gjithë kontributin historik dhe kulturor që kanë për Bullgarinë. Mirënjohje edhe ndaj shtetit bullgar, pasi në personin e ushtrisë bullgare, ai krijon në shoqërinë tonë mbrojtësin më të madh të kulturës bullgare që nga Çlirimi deri në ditët e sotme!”

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski