Autor
Joan Kolev
Artikull
Gazetari Ralf Petrov: Redaksia gjermane e Radio Bullgarisë është në zemrën time
Mediat duhet të kapërcejnë periudhën e vështirësive financiare, në mënyrë që të bëhen një vend më tërheqës pune për të rinjtë
Martë 5 Maj 2026 05:25
Martë, 5 Maj 2026, 05:25
Ralf Petrov
FOTO: arkiv personal
Madhësia e shkronjave
Redaksia gjermane e programit të gjuhëve të huaja të radios publike, pasardhëse e së cilës sot është Radio Bullgaria, ka një histori të gjatë. Emisionet në gjuhën gjermane nisën të transmetohen në valë të shkurtra nga Radio Sofja që në vitin 1937. Deri në vitin 1941, emisionet në gjermanisht nuk dallonin për nga kohëzgjatja nga ato që transmetoheshin në frëngjisht, italisht, anglisht dhe esperanto, por nga mesi i atij viti ato filluan të mbizotëronin për nga kohëzgjatja. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, gjuha gjermane nuk figuronte ndër transmetimet për jashtë vendit, por jo për shumë kohë. Gjatë viteve të ndryshme, numri i përkthyesve-folës në ekip ndryshonte, duke arritur në periudhën e lulëzimit të redaksisë në 10–12 persona. Njëri prej tyre ishte edhe gazetari Ralf Petrov, i cili u bë pjesë e redaksisë në vitin 1987:
FOTO: Muzeu i Historisë së Radios në Bullgari
“Një vit më parë isha në Universitetin Humboldt në Berlin, në një program shkëmbimi me Universitetin e Sofjes, ku studioja filologji gjermane. Në konvikt kishte edhe bullgarë të tjerë, ndër ta edhe një zonjë, e cila tashmë bashkëpunonte me redaksinë gjermane. Ajo më rekomandoi të telefonoja në radio, ku kishte një klub rinor – kujton bashkëbiseduesi ynë hapat e tij të parë. – Kur u ktheva në atdhe, u lidha me redaksinë dhe një herë në muaj shkoja në këtë klub, ku diskutonim tema të ndryshme rinore në gjuhën gjermane. Një vit më pas, njëra nga koleget në redaksinë gjermane shkoi për dasmën e saj në Plovdiv, ftoi të gjithë kolegët dhe doli që ditën e dasmës nuk kishte kush të drejtonte lajmet e mbrëmjes. Atëherë më besuan – ky ishte pjesëmarrja ime e parë reale në punën e redaksisë.”
Pak më pas, Ralf bëhet zyrtarisht pjesë e ekipit dhe kështu shmanget alternativa që të dërgohej diku në vend si mësues i gjuhës gjermane. Rruga e tij profesionale lidhet përgjithmonë me mediat dhe, megjithëse prej dekadash nuk është më pjesë e redaksisë gjermane të Radio Bullgarisë, ai ruan kujtime për kolegët me të cilët ka punuar në Shtëpinë e Vjetër.
FOTO: Muzeu i Historisë së Radios në Bullgari
Sot ekipi i redaksisë gjermane përgatit programin e përditshëm në internet “Bullgaria sot”, në të cilin rrëfen për jetën në vendin tonë, prezanton destinacione të ndryshme turistike dhe, natyrisht, muzikë të bukur bullgare. Megjithatë, deri në vitin 2012 lidhja me audiencën realizohej kryesisht përmes valëve të shkurtra radiofonike, ndërsa bashkëbiseduesi ynë ende e kujton skemën programore sipas së cilës punonte redaksia:
“Atëherë kishte dy blloqe, njëri prej të cilëve ishte i mbrëmjes dhe përfshinte lajme, komente politike, kulturë, turizëm dhe muzikë popullore. Edhe pse bëhet fjalë për vite para ndryshimeve (pra para vitit 1989 – shënim i redaksisë), ekipi përpiqej të mos kishte propagandë të tepruar. Madje, në derën tonë ishte shkruar se këto ishin emisione për Republikën Federale të Gjermanisë dhe Austrinë. Orientimi ynë ishte drejt Evropës Perëndimore; ideja ishte të tregonim sa mirë jetonim ne në Lindje. Guxoj të them se ajo që transmetonim ishte vërtet interesante, me fokus te historia, kultura dhe muzika e Bullgarisë – gjëra që u interesojnë njerëzve më shumë sesa politika e thatë. Qëllimi ynë ishte të paraqisnim një Bullgari interesante, pavarësisht ndarjes së Evropës.”
FOTO: Muzeu i Historisë së Radios në Bullgari
Gazetari pranon se ka qenë i impresionuar nga letrat që merrte redaksia dhe përmes tyre ka kuptuar se në fund të viteve 80-të të shekullit XX-të kishte ende gjermanë të gjallë që kishin mbetur në vendin tonë pas Luftës së Dytë Botërore, si edhe njerëz që e kishin pëlqyer vendin tonë gjatë pushimeve dhe që po ashtu e donin shumë muzikën tonë popullore:
Mania për t’u informuar për më të rejat në muzikë e bëri Ralfin një adhurues të zërave emblematikë të radios – gazetarëve muzikorë Toma Sprostranov dhe Jordan Georgiev (Danço Stëlbicata):
“Që nga dita e parë në radio prisja me padurim kur do të mund të njihesha me këta njerëz, sepse për mua ata ishin idhuj të vërtetë. Fat i mirë ishte se pranë studios ku regjistronim emisionin gjerman ndodhej kabina ku bëhej transferimi i pllakave gramofonike në shirita.”
Në studion e Programit “Horizont” me Toma Sprostranov
FOTO: viabulgaria.com
Një ditë, Toma Sprostranov i kërkoi të dëgjonte nëse teksti i një kënge ishte i përshtatshëm për t’u transmetuar në eter. Kur kuptoi se Ralfi interesohej shumë për muzikën, i dha për një mbrëmje pllakat që sillte çdo javë nga Plovdivi, në mënyrë që ai t’i kopjonte për vete. Disa herë madje ndodhte që ai ta zëvendësonte Sprostranovin si drejtues i emisionit “Notat ritmike”.
Më vonë ai u njoh edhe me Jordan Georgievin, të cilin gjithashtu e zëvendësonte ndonjëherë në emisionin e tij “Shkallë muzikore”.
FOTO: viabulgaria.com
Në mënyrë indirekte, falë tyre dhe një reviste muzikore, Ralfi mësoi edhe për zhvillimin e një forumi muzikor në Berlinin Lindor në vitin 1989, në të cilin morën pjesë kompani të mëdha diskografike dhe firma prodhuese. Ai arriti të ishte mes gazetarëve të dërguar atje nga Bullgaria dhe kjo i hapi një mundësi të papritur. Në vitin pasues, ai u ftua në një panair tjetër të ngjashëm në Këln, ku duhej të fliste për të drejtat e autorit në Evropën Lindore. Megjithatë, atje përfundoi në stendën e shtëpisë botuese të revistës së njohur muzikore PopCorn:
“U prezantova në stendë, lashë një kartëvizitë dhe pas disa muajsh më kontaktuan se kishin interes të nisnim bashkëpunim. Kjo ndodhi në vitin 1992, kur vendosa të largohem nga radioja dhe të hyj në biznesin privat – së bashku me kolegun Radosllav Dikov dhe miq të viteve të rinisë, krijuam këtë revistë, e cila na dha mundësi të vazhdonim kontaktet me radion, sepse ne shkruanim kryesisht për muzikën dhe ishim shpesh të ftuar në emisionet muzikore, si edhe siguronim abonime si çmime në to.”
1993 – Takim me Scorpions para koncertit të tyre në Stadiumin “Vasill Levski” në Sofje
FOTO: viabulgaria.com
Revista ekzistoi deri në vitin 1997, kur, pas një periudhe në Televizionin Kombëtar Bullgar, Ralfi ndryshoi tematikën – u bë pjesë e ekipit të një prej revistave më të njohura të automobilizmit në botë, e cila kishte botim edhe në gjuhën bullgare. Bota mediatike mbeti fati i tij dhe ai nuk reshti së pozicionuari Bullgarinë në zemrat e audiencës evropiane. Dhe nga përvoja e tij vjen edhe këshilla për të rinjtë:
Me gazetarin Joan Kolev nga Radio Bullgaria
FOTO: Joan Kolev
“Mediat të mësojnë disiplinë, kureshtje dhe interes për botën që na rrethon. Në të vërtetë, për të rinjtë sot është e vështirë, por nëse njeriu arrin të zbulojë anët pozitive të të qenit me njerëz me të njëjtin mendim dhe me kolegë të mirë, me të cilët kalon kohë të këndshme gjatë punës, mendoj se mediat janë një vend shumë i këndshëm. Me gjithë zemër shpresoj që ato ta kapërcejnë këtë periudhë vështirësish financiare, në mënyrë që për të rinjtë të bëhen një profesion pak më tërheqës. Të paktën për mua, mediat kanë qenë gjithmonë një magnet; më kanë emocionuar dhe më kanë dhënë vetëm të mira. I uroj suksese radios dhe ekipit që do të mbetet gjithmonë në zemrën time, sepse unë kam nisur prej këtu.”
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova