Autor
Joan Kolev
Artikull
Nga thesari i Radio Bullgarisë
Uniforma e gardës – një nga simbolet e trimërisë së ushtarit bullgar
Mërkurë 6 Maj 2026 07:10
Mërkurë, 6 Maj 2026, 07:10
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Çdo shtet që ka ushtrinë e vet ka një formacion që, përveç detyrave të tjera që rrjedhin zakonisht nga Ligji i Protokollit të Shtetit, kryen edhe funksione përfaqësuese. Në vendin tonë, ky rol i është besuar njësisë së Gardës Kombëtare, e cila u krijua në vitin 1879, menjëherë pas ardhjes së Princit bullgar Aleksandër I Batenberg. Detyra e saj më e rëndësishme në atë kohë ishte të garantonte sigurinë personale të princit. Ushtarët kryejnë detyrat e tyre me uniforma speciale, të qepura për herë të parë në vitin 1883 dhe që kanë mbetur të pandryshuara deri në ditët e sotme. Në një intervistë për Radio Bullgarinë, zëvendësdrejtoresha e Muzeut Kombëtar të Historisë Ushtarake, Dejana Kostova, zbuloi fakte interesante për krijimin e uniformës së gardës:
“Ajo përmbledh në vetvete simbolikën kombëtare. Merita për krijimin e saj i takon vetë princit, i cili personalisht mori pjesë në hartimin e vizatimeve të para të modeleve dhe në përzgjedhjen e stofit për uniformën. Kur u krijuan këto vizatime të para të uniformës së Gardës, ato u bazuan në uniformën e preferuar të kalorësisë në atë kohë. Një nga elementët më të dukshëm në këtë uniformë është kallpaku i gardës, i zbukuruar me Yllin e Aleksandrit dhe pendën karakteristike të shqiponjës, e cila është simbol i shpirtit krenar bullgar.”
FOTO: BGNES
Uniforma e Gardës ka variant dimëror dhe veror dhe përbëhet nga një kallpak, xhaketë uniforme, pantallona blu të errëta me bordurë argjendi dhe çizme të zeza me spore. Për dimër, uniforma është prej cohe së kuqe të çelur me zbukurime dhe një kallpak roje në ngjyrë gri, ndërsa ajo për verë është e bardhë me zbukurime të kuqe dhe një kallpak të bardhë.
FOTO: BGNES
Shtatëdhjetë e dy gardistë ranë për nderin dhe lavdinë e atdheut nga viti 1885 deri në vitin 1945. Monumenti i ndërtuar në kujtim të tyre është një shprehje e mirënjohjes dhe nderimit për veprën e ushtarëve të rënë të Gardës, emrat e të cilëve nuk do të harrohen kurrë”, thekson shefi i Shtabit të Batalionit të Parë të Gardës – major Nikollaj Stojanov dhe shton:
“Monumenti u ngrit në fund të vitit 2005, me ndihmën e Fondit Kombëtar të Donatorëve “13 shekuj Bullgaria”. Autori i tij është skulptori Sejfetin Shekerov-Sefo, i cili e mësoi këtë zanat nga Vezhdi Rashidov. Memoriali kombinon imazhet e Yllit të Aleksandrit dhe pendës së shqiponjës, të cilat janë derdhur në bronz. Në të dy anët e pendës së shqiponjës ngrihen dy kolona betoni, në të cilat janë vendosur pllaka graniti me emrat e 72 gardistëve që dhanë jetën në luftëra. Motoja e njësisë së Gardës Kombëtare, “Për nderin dhe lavdinë e Atdheut”, është shkruar nën Yllin e Aleksandrit. Një kurorë dafine është vendosur në pjesën e pasme të monumentit, që simbolizon trimërinë dhe heroizmin e atyre që ranë në betejë.”
FOTO: guards-bg.com
Krahas detyrave që rrjedhin nga Ligji për Protokollin e Shtetit dhe Statuti i Forcave të Armatosura të Republikës së Bullgarisë, roli i njësisë së Gardës Kombëtare është gjithashtu udhëheqës në krijimin e të ashtuquajturave skuadra të adoleshentëve të gardës. E para prej tyre u krijua në qytetin e Kërxhali në nëntor të vitit 2006, ndërsa sot të tilla ka në 16 qytete të tjera në Bullgari, duke përfshirë Pleven, Burgas, Smoljan, Veliko Tërnovo, Ruse, Gabrovo, Goce Dellçev etj.
FOTO: guards-bg.com
“Për këto skuadra duhet të themi se kanë një efekt jashtëzakonisht pozitiv në edukim, i cili fillon që në moshë të vogël – thotë majori Stojanov. – Qëllimi është ruajtja e historisë sonë dhe ringjallja e traditave, si dhe kultivimi i dashurisë dhe i ndjenjës së përkatësisë ndaj atdheut te brezi i ri. Iniciativa zhvillohet nën patronazhin e Presidentit të Bullgarisë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes.”
Gardistët bullgarë në krye të paradës në Paris, 14 korrik 2022
FOTO: Reuters
Lexoni më shumë nga koleksioni I Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova