Artikull
BP nuk mbështet heqjen e rojës së Borisovit dhe Peevskit
Enjte 7 Maj 2026 15:29
Enjte, 7 Maj 2026, 15:29
Anton Kutev
FOTO: BТА
Madhësia e shkronjave
Partia fituese e zgjedhjeve, “Bullgaria Progresive”, nuk do t’i mbështesë projektligjet për heqjen e rojës së liderit të GERB-it, Bojko Borisov, dhe të kryetarit të DPS-së, Deljan Peevski. Kjo u bë e qartë nga deklarata e lexuar në sallën plenare.
“Koha kur Kushtetuta ndryshohej për të dëmtuar një politikan të caktuar ka kaluar përgjithmonë. Në shtet ekziston një rend sipas të cilit caktohet ose hiqet mbrojtja për personat e rrezikuar dhe ne nuk do të miratojmë ligje që kanë të bëjnë me një ose dy persona, edhe nëse këta të dy deri vonë e mendonin veten të gjithëfuqishëm dhe i detyronin institucionet të zbatonin dëshirat e tyre personale”, deklaroi Anton Kutev.
Në deklaratë theksohet se heqja e mbrojtjes është detyrë e organeve legjitime shtetërore. “Ne, përmes vullnetit dhe urtësisë sonë politike, do t’i detyrojmë këto organe të punojnë vetëm në interes të qytetarëve”, shtoi deputeti.
Parlamenti hodhi poshtë propozimin e “Bullgarisë Demokratike” për krijimin e një komisioni të përkohshëm hetimor, i cili do të përcaktonte faktet rreth mospërputhjeve në pasurinë e deklaruar të Deljan Peevskit. E njëjta gjë ndodhi edhe me propozimin e DPS-së për krijimin e një komisioni që do të hetonte ndikimin e parregullt të rrethit “Kapital” dhe të botuesit Ivo Prokopiev. Këto vendime u morën pasi 129 deputetë të “Bullgarisë Progresive” abstenuan, njoftoi reporterja e BNR-së, Maria Fileva.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova