Artikull
7 maj – Dita e Radios dhe Televizionit
Media moderne - në një betejë për besimin e audiencës
Besimi përcakton cilësinë e medias sot, thotë Sergej Stanovkin nga BBC
Enjte 7 Maj 2026 17:40
Enjte, 7 Maj 2026, 17:40
FOTO: Ani Petrova
Madhësia e shkronjave
Për dekada të tëra, 7 maji është festuar në vendin tonë si Dita e Radios dhe Televizionit, në nder të prezantimit të parë të një marrësi radioje nga fizikani rus Inxhinier Aleksandër Popov në vitin 1895.
Deri më sot, shumë gazetarë të radios dhe televizionit e perceptojnë këtë ditë si festën e tyre profesionale dhe e urojnë njëri-tjetrin për të, megjithëse Dita zyrtare Botërore e Radios, e caktuar nga UNESCO, festohet më 13 shkurt.
Por cila është bota aktuale e medias elektronike dhe cilat janë sfidat bashkëkohore, me të cilat përballet ajo? – Për këtë temë bisedojmë me Sergej Stanovkin, përfaqësuesin tregtar të BBC News për rajonin e Euroazisë. Biografia e tij profesionale përfshin gjithashtu zhvillimin e programit edukativ" Media Moderne" për Akademinë e BBC-së, i fokusuar në transformimin e operatorëve televizivë kombëtarë dhe krijimin e kanaleve televizive konkurruese ndërkombëtarisht në një mjedis mediatik gjithnjë e më global.
Përshëndetje, z. Stanovkin. Në fillim të bisedës, na tregoni për veten tuaj - nga vjen interesi juaj për median dhe si filloi udhëtimi juaj në BBC?
“Kam përfunduar Fakultetin e Fizikës dhe Kërkimeve Hapësinore në Institutin Fiziko‑Teknik të Moskës. Megjithatë, gjithmonë kam lexuar gazeta dhe më ka interesuar të mësoj prej tyre për shtete të ndryshme në botë. Dhe gjithmonë kam dashur të kuptoj se si formohet imazhi i një vendi me ndihmën e mediave, pse ato kanë kaq shumë ndikim mbi mënyrën se si perceptohen shtetet dhe kompanitë në mbarë botën. Ndoshta pikërisht ky interes imi për lajmet u materializua në një farë mënyre kur, në fund të vitit 2005, më propozuan të punoja fillimisht si përfaqësues i BBC World News në Moskë dhe të zhvilloja projekte tregtare e partneriteti për kanalin televiziv. Atëherë ende nuk kishte reklama në faqen BBC.com; parlamenti i lejoi ato vetëm para vitit 2009. Por unë, që nga janari 2006, fillova të punoja me BBC‑në.”
Sergej Stanovkin
FOTO: Krasimir Martinov
Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballet media në botën moderne? Në vendet e rajonit për të cilat jeni përgjegjës, ato vështirë se janë të njëjta...
Ka dallime dhe sfida në çdo vend. Për shembull, në shumë rajone media përpiqet të tërheqë vëmendjen kryesisht me lajme negative. Kjo shpesh e dekurajon audiencën.
Sipas mendimit tuaj, si duhet ta ndërtojë imazhin e vetë një media për të fituar besim?
“Para së gjithash, duhet t’i kushtosh vëmendje audiencës tënde dhe jo të përqendrohesh tek vetja. Për shembull, nëse njerëzit, para se të dalin nga shtëpia, interesohen për parashikimin e motit dhe nuk e gjejnë tek ti, atëherë ata shkojnë diku tjetër, e ndërrojnë kanalin. Nëse audienca është e interesuar për lajme ekonomike, ndërsa ti i ofron vetëm lajme për kulturën dhe historinë, atëherë ajo drejtohet drejt burimeve alternative të informacionit. Prandaj, informacioni duhet të jetë aktual, por edhe i paraqitur në një format interesant, në një format që audienca është e gatshme ta përdorë. Këtu flasim për konkurrencë. Në fushën e mediave konkurrenca nuk është më thjesht rajonale, por globale. Për shumë njerëz gjuha nuk është më problem, sepse ka mënyra teknike për përkthim të shpejtë. E rëndësishme është përmbajtja e informacionit dhe sa konkurrues është formati i paraqitjes së tij, sa i plotë dhe gjithëpërfshirës është. Atëherë lind besimi – fillimisht ndaj informacionit, e më pas ndaj vetë medias.
Sergej Stanovkin në studion 39 të BNR-së
FOTO: Krasimir Martinov
Ekzistojnë dallime në qëllimet dhe strukturën midis mediave publike dhe atyre komerciale. Cilat janë ato në vendet që ju personalisht i vëzhgoni?
“E dini, për audiencën këto dallime nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe. Njerëzit nuk mendojnë se nga vijnë paratë e mediave – nga qeveria, nga rajoni apo nga një sponsor privat. Për ata që merren me politikë, po, ata ndoshta hyjnë në detaje dhe shqetësohen për këtë. Por nëse flasim për pjesën më të madhe të popullsisë, për audiencën në tërësi, ajo shpesh nuk mendon se si financohen dhe kujt i përkasin këto media. Nëse mendoni se është e rëndësishme të theksoni lidhjen tuaj me shtetin, mund ta bëni. Nëse për ju është e rëndësishme të dukeni, për shembull, dinamikë, të shpejtë, të adaptueshëm, atëherë thoni se jeni media korporatave, ose private. Ekzistojnë programe të tëra për mbështetjen e mediave private në botë dhe në Evropë, aq më tepër që Bullgaria është pjesë e Evropës. Por ka edhe programe për mbështetjen e mediave shtetërore, sepse ato kryejnë një funksion shumë të rëndësishëm. Dhe a ka konkurrencë? Po, ka konkurrencë. Për çfarë zhvillohet ajo? Me shumë gjasë jo për financa, por pikërisht për vëmendjen e audiencës. Dhe këtu arrijmë te më e rëndësishmja: cili është, në fakt, rezultati i veprimtarisë së mediave? Në fund të fundit, mund të raportoni se sa paketa sponsorizimi ose reklama keni shitur dhe mund të raportoni se si u rrit audienca juaj. Ose si u rrit, për shembull, në kohën e mbulimit të zgjedhjeve. Sepse nëse këto janë momente të rëndësishme në historinë e vendit, atëherë të gjithë drejtohen te burimet që u besojnë. Dhe këtu mund ta monetizoni këtë. Por duhet t'i kuptoni shumë mirë anët tuaja të forta dhe të dobëta. Dhe kjo është arsyeja pse gjithmonë duhet ta krahasoni veten. Por ky krahasim, do ta theksoj edhe një herë, nuk ndodh vetëm në nivel kombëtar.”
Sergej Stanovkin me kryeredaktorin e Radio Bullgarisë, Krasimir Martinov
FOTO: Desisllava Semkovska
Cili është aktualisht interesi juaj personal në Bullgari? Çfarë dini për vendin tonë dhe cili është potenciali i tij në fushën e medias dhe më gjerë?
“Potenciali është shumë i madh. Sipas mendimit tim, ky potencial
ende nuk është realizuar plotësisht. Bullgaria ka kaluar nëpër kaq shumë
ndryshime – si në planin politik, ashtu edhe në atë shoqëror. Në vitet e fundit
është krijuar qëndrimi: “eh, do të presim”. Dhe vendi juaj ndodhet në një gjendje
të vazhdueshme pritjeje. Të folurit se “ende nuk kemi një qeveri të rregullt”
ose “kur të kemi një qeveri të rregullt…”, është përhapur edhe në nivel
korporativ, e prej andej – edhe në sjelljen e njerëzve. Por pikërisht në kushte
të tilla, sado e çuditshme të duket, është gjithmonë e lehtë të fillohet diçka
e re. Sepse çdo projekt konkret perceptohet si një faktor “wow”. Dikush ka
vendosur të mos presë?! Në kohët e vjetra, thuhej se problemi mund të zgjidhet
në mënyra të ndryshme, dhe nëse nuk e zgjidhim, ai do të zhduket vetvetiu. Dhe
këtu, nga njëra anë, Bullgaria më duket si një vend ku po fillon ky fillim i
ri. Në shumë vende të Evropës, ky fillim ka ndodhur tashmë. Tani ky është një
tjetër fillim i ri. Nga ana tjetër, Bullgaria zë, sigurisht, një vendndodhje shumë
të rëndësishme gjeografike, por jo vetëm gjeografikisht, por edhe
gjeoekonomikisht. Industritë janë të
zhvilluara, por shumë pak dihet për Bullgarinë në botë. Dhe përsëri, për
Bullgarinë flitet më shpesh në kontekstin e ngjarjeve politike të brendshme,
dhe jo në kontekstin e ngjarjeve ndërkombëtare ose ekonomike. Më duket se në
Bullgari, krijimi i markës korporative në nivel kompanie është ende në hapat e
para. Prandaj, ekziston një fushë shumë e gjerë për veprim. Sa i përket nivelit
arsimor në Bullgari, ai është shumë i lartë. Dhe kjo dëshirë dhe mundësi për të
krijuar diçka të re realizohet në kulturën e startup-eve, të cilat janë shumë
aktive dhe të ndritshme. Për to flitet shumë, por edhe këtu, në vend të parë
duhet të drejtojmë vëmendjen tek vetvetja, jo tek audienca e synuar. Dhe këtu
ka një fushë të shkëlqyer për përmirësimin e cilësisë së komunikimeve. Në
mënyrë që këto komunikime të mos jenë vetëm të mëdha dhe të shpeshta, por edhe
cilësore. Cilësore do të thotë gjithashtu konkurruese, të kesh teksturë, të bësh
përshtypje dhe të jesh në formatin e duhur. Dhe më e rëndësishmja - të jesh i
synuar tek audienca e duhur."
Sergej Stanovkin me gazetaren Rosica Petkova nga Redaksia e Gjuhës Angleze e Radio Bullgarisë
FOTO: Krasimir Martinov
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva