Artikull
9 maji në Bullgari – mes kujtesës për luftën dhe idesë evropiane
Shtunë 9 Maj 2026 07:00
Shtunë, 9 Maj 2026, 07:00
FOTO: otizvora.com
Madhësia e shkronjave
Më 9 maj Bullgaria shënon njëkohësisht Ditën e Evropës dhe fundin e Luftës së Dytë Botërore në Evropë – një ndërthurje që i jep datës një vend të veçantë në kalendarin shoqëror dhe historik. Pikërisht karakteri i dyfishtë i festës vazhdon të formësojë mënyrën se si shoqëria bullgare e percepton këtë datë.
Më 9 maj 1945 hyn në fuqi kapitullimi i Gjermanisë naziste. Në Bullgari data fillon të shënohet zyrtarisht si Dita e Fitores pas përfundimit të luftës, ndërsa gjatë periudhës socialiste ajo shndërrohet në një nga festat shtetërore më të rëndësishme me ceremoni ushtarake, parada dhe vendosje kurorash. Fotografitë arkivore dhe dokumentet për këto përkujtime ruhen në Agjencinë Shtetërore “Arkiva”, ku janë publikuar materiale për manifestimet shoqërore në Bullgari gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.
FOTO: BTA
Data historike merr edhe një kuptim tjetër pas vitit 1950, kur ministri i jashtëm francez Robert Schuman paraqet deklaratën që konsiderohet si fillimi i integrimit evropian. Pas anëtarësimit të Bullgarisë në Bashkimin Evropian në vitin 2007, Dita e Evropës fillon të jetë gjithnjë e më e pranishme në jetën shoqërore të vendit. Në Sofje dhe në shumë qytete të tjera bullgare organizohen koncerte, ekspozita, iniciativa arsimore dhe diskutime publike, kushtuar shumëllojshmërisë kulturore evropiane dhe idesë së një Evrope të bashkuar.
FOTO: BTA
Në të njëjtën kohë, përkujtimet për viktimat e Luftës së Dytë Botërore mbeten një pjesë e rëndësishme e 9 majit – veteranë, organizata shoqërore dhe qytetarë vazhdojnë të vendosin lule pranë monumenteve dhe memorialeve ushtarake në pjesë të ndryshme të vendit. Kështu, 9 maji në Bullgari ndërthur dy mesazhe të rëndësishme – kujtesën për të kaluarën dhe synimin për unitet evropian.
Përpiloi: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski
Publikoi / Publikuan: Sindi Nikollofski