Autor
Shevkie Çakër
Shtunë 9 Maj 2026 09:45
Shtunë, 9 Maj 2026, 09:45
FOTO: Fondi arkivor i BNR-së
Madhësia e shkronjave
Përveçse njihet si Dita e Evropës, data 9 maj ka një domethënie të veçantë edhe për BNR-në. Pikërisht më 9 maj 2016, familja e madhe e radios sonë u zgjerua me një anëtar të ri. Stacioni i nëntë rajonal i BNR-së në Kërxhali – “Zëri i Rodopeve” – u dëgjua për herë të parë në eter.
Në ceremoninë e hapjes së Radios Kërxhali, atëherë morën pjesë edhe kolegët tanë nga programet në gjuhën turke të Radio Bullgarisë. Ata përgatitën transmetimin e parë drejtpërdrejt në gjuhën bullgare dhe turke, ndërsa të ftuar ishin mikpritësit – ekipi i Radios Kërxhali, përfaqësues të pushtetit vendor dhe të biznesit, personalitete publike, shkrimtarë, si dhe këngëtarë vendas të këngëve popullore turke dhe bullgare.
FOTO: Mehmed Rexheb
Gjatë 10 viteve të fundit, emisionet në gjuhën turke, që transmetohen çdo ditë në orën 08:00, 13:00 dhe 20:00, janë ndër programet më të ndjekura të radios rajonale në Kërxhali. Këtë e dëshmojnë si sondazhet sociologjike, ashtu edhe interesi me të cilin janë pritur ndër vite kolegët e ekipit të “Gjuhës Turke” të Radio Bullgarisë gjatë transmetimeve të realizuara në terren – në studion e Radios Kërxhali, në sheshin e fshatit Kirkovo, si edhe në qendër të qytetit Ardino. Të ashtuquajturat transmetime të drejtpërdrejta të Radio Bullgarisë krijuan hapësirë për prezantimin e shumë përfaqësuesve të pushtetit vendor, shkrimtarëve dhe poetëve nga Bullgaria dhe Turqia, talenteve të reja të muzikës bullgare dhe turke, si edhe dëgjuesve nga rajoni. Takimet u pritën me shumë entuziazëm dhe interes, për çka ju falënderojmë!
FOTO: ardino.bg
Bashkëpunimi mes ekipeve të Radio Bullgarisë dhe Radio Kërxhalit është produktiv edhe në një drejtim tjetër – informacioni i përgatitur nga ekipi në Kërxhali është një pjesë e rëndësishme edhe e transmetimeve në gjuhën turke. Shpesh ai gjen vend edhe në publikimet e 9 programeve të tjera në gjuhë të huaj të programit ndërkombëtar të BNR-së – Radio Bullgaria.
U urojmë kolegëve të Radio Kërxhalit të vazhdojnë edhe më tej të mbrojnë me po aq shkëlqim misionin publik dhe autoritetin e radios kombëtare në Bullgarinë Jugore! Dhe ta mbushin moton e tyre – “Zëri i Rodopeve” – me tingëllim, përmbajtje dhe forcë!
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova