SPORT

Artikull

Debutanti Guillermo Silva fitoi etapën e dytë të Giro d’Italia 2026 në Bullgari

Shtunë, 9 Maj 2026, 20:40

Debutanti Guillermo Silva fitoi etapën e dytë të Giro d’Italia 2026 në Bullgari

FOTO: www.giroditalia.it

Madhësia e shkronjave

Një fotofinish pas një sprinti final në fund të etapës së dytë shumë të lodhshme të “Giro d’Italia” i solli epërsinë uruguaianit Guillermo Thomas da Silva (Guillermo Silva). Gjermani u rendit i dyti, ndërsa italiani Giulio Ciccone – i treti.

Fituesi përshkoi itinerarin 221kilometërsh nga deti (Burgasi), përmes maleve të Ballkanit, deri në kryeqytetin e vjetër bullgar Veliko Tërnovo për 5 orë, 39 minuta e 25 sekonda. 

Kjo është etapa e dytë më e gjatë në edicionin e 109të të Giro d’Italia, në të cilën nisën 183 çiklistë.


Dita e dytë e garës çiklistike

FOTO: BTA

Etapa ishte dukshëm më e vështirë se e para, me profil kodrinor dhe mot me shi. Siç parashikuan analistët sportivë, finalja në Veliko Tërnovo, e vendosur në kodrat pranë lumit Jantra, arriti të sjellë surpriza në renditje.

Në itinerarin e etapës së dytë

FOTO: BTA

Kjo është një fitore jashtëzakonisht e madhe për vendin tim, për ekipin tim, por edhe për gjithë Amerikën e Jugut,” – tha fituesi i lumtur para mediave menjëherë pas përfundimit të sprintit final që i solli fitoren:

“Për mua kjo është pjesëmarrja e parë në Giro d’Italia dhe të fitoj etapën e dytë është diçka e veçantë,” – u shpreh da Silva pas garës. – “Jam në një formë shumë të mirë sportive. Ekipi im garoi në mënyrë shumë aktive gjatë gjithë kohës.”

Me shumë entuziazëm dhe emocion sportiv, qytetarët e Veliko Tërnovos pritën çiklistët nga gara e madhe ndërkombëtare. Fëmijët e Kryeqytetit të Vjetër sfiduan shiun duke marrë pjesë në xhiron përgatitore para Giro d’Italia nëpër rrugët e Veliko Tërnovos, njoftoi Qendra Informative Turistike e qytetit.

Në ditën e tretë të garës në Bullgari, çiklistët do të duhet të përshkojnë 175 km. Itinerari i tyre do të nisë nga Plovdivi – qyteti më i vjetër i banuar vazhdimisht në Evropë – dhe do të përfundojë në Sofje.

Audienca televizive prej miliona shikuesish do të shohë sërish pamje të mrekullueshme ajrore të peizazheve madhështore, me të cilat vendi ynë prezantohet para botës. 

Në rrugën drejt kryeqytetit bullgar, çiklistët do të kalojnë në zonën e malit madhështor Rilla dhe në resortin e skive Borovec, gjë që shton një segment të vështirë malor para pjesës finale. Pas zbritjes drejt kryeqytetit pritet një betejë e re mes sprinterëve, por me mundësi edhe për sulme të vona.

Ngjyra rozë është kudo në Sofje – ajo është simbol i Giro d’Italia dhe lidhet me pranverën dhe çiklizmin.

Shumë aktivitete në Sofje shoqërojnë zhvillimin e Giro d’Italia.


Lexoni më tepër:



Redaktoi: Elena Karkallanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: www.giroditalia.it, BTA, Qendra e Informacionit Turistik