FOLKLOR

Artikull

Jovço Karaivanov – kolosi ndër interpretuesit e këngëve popullore trake

100 vjet nga lindja e këngëtarit të shquar, i cili e ktheu folklorin bullgar në misionin e jetës së tij

Dielë, 10 Maj 2026, 09:55

Jovço Karaivanov (18 mars 1926 – 31 mars 1996)

Jovço Karaivanov (18 mars 1926 – 31 mars 1996)

FOTO: arkiv

Madhësia e shkronjave

Jovço Karaivanov (18 mars 1926 – 31 mars 1996) cilësohet si “gjigant dhe mal i pakalueshëm ndër këngëtarët e këngëve popullore trake” dhe “një epokë në kulturën tonë folklorike”. Ai lindi në fshatin Seliminovo, pranë qytetit Sliven. Në vitet e rinisë iu desh të punonte në fabrika tekstili. Pasi mori një bursë, në moshën 21-vjeçare arriti të përfundojë arsimin e mesëm në Sliven, ndërsa më vonë u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Sofjes.  Pavarësisht qortimeve të profesorëve, të cilët shihnin tek Karaivanovi një avokat të ardhshëm të suksesshëm, ai zgjodhi rrugën e këngëtarit popullor, i shtyrë nga një pasion i papërmbajtshëm për artin, që ia mbushi jetën me përmbajtje dhe kuptim.

 

Talenti i tij natyror, zëri i mrekullueshëm lirik dhe repertori i pasur e çuan drejt mikrofonave të Radios Kombëtare Bullgare dhe Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, të drejtuar nga Filip Kutev. Ai punoi gjithashtu në Drejtorinë e Koncerteve, ku krijoi grupin “Kënga Bullgare”. Dha koncerte në Zvicër, Francë, Rusi, Irak, Liban, Mongoli dhe Kinë.


Interpretues me shije të lindur dhe përpikëri të lartë artistike, ai e bëri të njohur folklorin e krahinës së tij. Këngët trake në interpretimet e tij u bënë jashtëzakonisht të njohura dhe edhe më sot janë pjesë e repertorit të shumë këngëtarëve dhe ansambleve popullore.

Në vitet e fundit të jetës së tij, Karaivanovi punoi në redaksinë “Muzikë Popullore” të Radios Kombëtare Bullgare dhe ishte përgjegjës për pastërtinë e dialekteve muzikore në këngët e planifikuara për regjistrim. Për shumë vite ishte gjithashtu një pedagog i përkushtuar. Gjatë përgatitjes së repertorit të tij, Jovço Karaivanov shpesh këshillohej me folkloristë të shquar nga Akademia Bullgare e Shkencave. Një nga kolegët dhe miqtë e tij të afërt ishte akademiku Nikollaj Kaufman, i cili e quante “një dukuri të lumtur në jetën tonë muzikore” dhe “një nga arritjet më të larta të shkollës bullgare të këngës popullore”.

Akademik Nikollaj Kaufman

FOTO: Arkiv

I zgjuar dhe kureshtar, Jovço Karaivanov interesohej për arte të ndryshme, me një prirje të veçantë ndaj operës, teatrit dhe letërsisë. Ai ishte mbajtës i disa vlerësimeve të rëndësishme kombëtare.

Më 31 mars 1996, me një koncert të madh folklorik në Pallatin Kombëtar të Kulturës u shënua jubileu i 70-vjetorit të Karaivanovit. Nikollaj Kaufman doli në skenë për ta njohur publikun me rrugëtimin e tij krijues. Fjalët e tij ruhen në “Fondin e Artë” të Radios Kombëtare Bullgare:

 

“Dialekt i pastër trak si në gjuhë ashtu edhe në muzikë; emocionalitet i sinqertë, i natyrshëm; ornamentikë e pasur, por e përmbajtur dhe jo e tepruar, i dozuar rreptësishtë sipas karakterit të këngës; dhunti e pasur muzikore dhe gjuhësore për improvizim; frazim muzikor logjik – me nuanca dinamike mezi të dallueshme; estetikë e lartë në përzgjedhjen dhe paraqitjen e këngës popullore; pastërti e përkryer intonacioni; vibrato e bukur dhe e matur, e ndryshme nga shtrembërimi dhe teprimi bashkëkohor i vibratos tradicionale. Një stil interpretimi i konsoliduar në tërësi, që do ta quaja “stil interpretimi i Jovços”, i cili e dallon qartë nga të gjithë këngëtarët tanë të tjerë të mëdhenj popullorë. Të gjithë rrugëtimin e tij të madh artisti e bëri në lidhje të ngushtë me Radion e Sofjes. Gjurma e tij është e dukshme dhe e dëgjueshme në gjithë Bullgarinë – tani dhe në të ardhmen e largët.”

Jovço Karaivanov

FOTO: archives.bnr.bg

Karriera muzikore e Karaivanovit fillon në vjeshtën e vitit 1949 me një konkurs të organizuar nga redaksia “Muzikë Popullore” pranë Radios Kombëtare Bullgare. Sipas kushteve, ai duhej të paraqiste një listë të repertorit të tij. 180 titujt e befasuan komisionin, por kur filloi të këndonte, profesionistët me përvojë mbetën të habitur – një i ri, një njeri inteligjent, por që këndonte si një këngëtar i pjekur popullor fshati. Dy ditë më vonë u realizuan regjistrimet e tij të para me orkestrën e Kosta Kolevit. “Këngët e tij dallohen për pastërtinë e tyre stilistike, për interpretimin e përpiktë, për formën e ndërtuar me reliev të qartë” – thotë akademiku Kaufman dhe vëren se Karaivanovi nuk kishte prirje për “këngët-sensacione”.

Paralelisht me veprimtarinë koncertale ishte edhe puna e tij e madhe për mbledhjen dhe regjistrimin e melodive folklorike. Akademiku Kaufman e përcaktonte atë që kishte hulumtuar Jovço Karaivanov si “një fond të çmuar, një thesar të vërtetë të artë, me të cilin çdo popull do të krenohej”. Ai ishte ndër pedagogët e parë të këngës popullore që punuan me sukses me nxënësit në shkollën e parë të specializuar për muzikë popullore bullgare – sot Shkolla Kombëtare e Arteve Folklorike “Filip Kutev”.

Jovço Karaivanov

FOTO: Arkiv

31 mars 1996, Pallati Kombëtar i Kulturës. Jovço Karaivanovi ishte i lumtur – koncerti për 70-vjetorin e tij ishte madhështor, ndërsa salla ishte e mbushur plot. I emocionuar, ai iu drejtua publikut: “Më kanë pyetur: “Kur arritët të mësonit kaq shumë këngë?” E pra, as vetë nuk e di. Mendoj se që në atë kohë kur kam mësuar të flas, kam mësuar edhe të këndoj. Dhe nuk mund t’i ndaj nga njëra-tjetra”. Këngëtari kujtonte fëmijërinë: nënën e tij, që nuk reshte së punuari dhe së kënduari; mësuesin e tij në gjimnazin e Slivenit – muzikantin e madh Misho Todorov, i cili e këshilloi të këndonte vetëm këngë popullore; takimin me mitropolitin e njohur Evllogij të Slivenit, i cili e ndihmoi në një çast të vështirë dhe e bekoi me fjalët: “Le të jenë këngët e tua lutjet e tua. Dije të bësh nga çdo këngë një lutje!”

Në minutat e fundit të koncertit të tij jubilar, Jovço Karaivanov iu drejtua publikut: “E kam dashur jetën. E dua edhe tani – përmes këngëve që i di nga gjyshja dhe nga nëna. Më bënte veçanërisht përshtypje kur nëna këndonte këngë që kishin në themel ndonjë besim popullor apo diçka të tillë.” Më pas ai rrëfeu përmbajtjen e një kënge të tij të dashur, në të cilën një djalë i ri i tregonte nënës së vet një ëndërr të çuditshme dhe frikën se ajo ëndërr i paralajmëronte vdekjen. Karaivanovi e këndoi këngën. Salla, e mbushur me admirues, miq, kolegë, muzikantë të shquar, artistë, gazetarë e politikanë, duartrokiti gjatë. Pak orë pas përfundimit të koncertit, këngëtari u nda nga jeta.


Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova