Aleko Djankov – gazetari që tregonte historinë bullgare në gjuhën gjermane

Martë, 12 Maj 2026, 06:15

Aleko Djankov

Aleko Djankov

FOTO: facebook.com/aleko.djankov

Madhësia e shkronjave

Ndër vite, Radio Bullgaria ishte shtëpi për shumë gazetarë që e prezantuan vendin tonë para botës. Mes tyre ishte edhe Aleko Djankov – një nga zërat e redaksisë gjermane të programit shumëgjuhësh të Radios Kombëtare Bullgare. Nga viti 1993 deri në vitin 2003 ai ishte pjesë e ekipit që çdo ditë tregonte për Bullgarinë para audiencës gjermanishtfolëse.

Rruga e tij drejt radios nisi pothuajse rastësisht. Në fillim të vitit 1993, Djankov u kthye për pak kohë në Sofje nga Gjermania, ku kishte jetuar për një kohë të gjatë. Pikërisht atëherë ai mësoi për një konkurs për plotësimin e ekipit të redaksisë gjermane të Radio Bullgarisë.

“Muajin shkurt të vitit 1993 jetoja në Gjermani. U ktheva për pak kohë në Sofje dhe gruaja ime e ardhshme më tha: “E di që në radio ka një konkurs për redaksinë gjermane? Pse nuk shkon të provosh?” Shkova, dorëzova kërkesën për pjesëmarrje, mora pjesë në konkurs bashkë me rreth 40 persona të tjerë dhe kështu filloi gjithçka.”

Konkursi ishte serioz – dhjetëra kandidatë konkurronin për disa vende të lira. Pavarësisht konkurrencës së fortë, Aleko Djankov ishte mes të përzgjedhurve dhe e nisi punën më 1 prill 1993. Edhe pse kishte njëfarë përvoje nga një praktikë në Redaksinë Bullgare të “Deutsche Welle”, ditët e tij të para në Radion Kombëtare Bullgare u shoqëruan me një ndjenjë të natyrshme pasigurie. Megjithatë, ajo u zhduk shpejt falë atmosferës në redaksi. Sipas tij, redaksia gjermane ishte një kolektiv i vogël, por jashtëzakonisht i bashkuar.

Redaksia gjermane e Radio Bullgarisë në fund të viteve 90-të (nga e majta në të djathtë): Zhorzheta Janeva, Rosica Radullova, Vlladimir Daskallov, Vlladimir Vlladimirov, Vesella Vlladkova, Aleksandër Aleksandrov, Aleko Djankov dhe Vera Dobreva

FOTO: Radio Bullgaria - Redaksia gjermane

“Sado e konsumuar që të tingëllojë– një familje e madhe. Ishim dhjetë veta në redaksi dhe të gjithë ishin të përzemërt me njëri-tjetrin – nuk kishte zili, nuk kishte përplasje për pushtet apo për kohë në transmetim. Secili kishte rubrikat e veta dhe puna ecte shumë qetësisht.”



Arsimimi i tij në histori përcaktoi edhe një pjesë të interesave të tij gazetareske. Ai mori përsipër rubrikën “Kalendari historik”, e cila paraqet ngjarje të rëndësishme nga historia bullgare për dëgjuesit gjermanishtfolës. Punoi gjithashtu në rubrikën “Kutia postare”, në të cilin pyetjet e dëgjuesve gjenin përgjigjet e tyre, si edhe në materiale të lidhura me ekologjinë – një temë që në fillim të viteve 90-të të shekullit të kaluar sapo kishte filluar të tërhiqte vëmendje në Bullgari.

Interesi i Aleko Djankovit për gjuhët dhe letërsinë ka edhe rrënjë familjare. Babai i tij është gazetari, eseist dhe përkthyes i njohur Krëstan Djankov, i cili ka përkthyer në gjuhën bullgare vepra të Xhon Steinbekut, Erskin Kolduellit dhe Xhon Çijvët. Megjithatë, Aleko Djankov zgjodhi të zhvillohet në një drejtim tjetër – të punonte me gjuhën gjermane, të cilën e përvetësoi gjatë viteve të jetuara në Gjermani.

Krëstan Djankov (10.11.1933 – 05.03.1999)

FOTO: facebook.com/aleko.djankov

Për të, puna në Radio Bullgarinë kishte edhe një kuptim më të thellë – mundësinë për ta paraqitur vendin tonë para njerëzve që shpesh dinë pak ose asgjë për të. “Kur jetoja në Gjermani, njerëzit dinin shumë pak për Bullgarinë. Shpesh madje e ngatërronin me vende të tjera. Prandaj, kur fillova punën në radio, e mora si vazhdim të një misioni – të tregoja për historinë, kulturën dhe shoqërinë bullgare për dëgjuesit gjermanishtfolës”, shpjegon Djankov.



Puna në radio i dhuroi edhe një sërë momentesh të paharrueshme gazetareske:

Nuk do ta harroj kurrë intervistën me ministrin e atëhershëm të Jashtëm të Gjermanisë, Klaus Kinkel. Ishte në aeroport, pikërisht përpara se të hipte në avion. Me ndihmën e shërbimit të shtypit arrita të siguroja një intervistë ekskluzive prej dy minutash, dhe më pas edhe një koment nga Nadezhda Mihajllova.”

Foto nga viti 2000. Nga e majta në të djathtë: Vera Dobreva, Allbena Kostova, Zhorzheta Janeva, Vesella Vlladkova, Rosica Radullova, Aleksandër Aleksandrov, Vlladimir Vlladimirov (me kotelen), Petër Georgiev, Vlladimir Daskallov dhe më përpara Aleko Djankov

FOTO: Radio Bullgaria - Redaksia Gjermane

Pas dhjetë vitesh pune në Radio Bullgarinë, Aleko Djankov u largua nga redaksia – një vendim që e përshkruan si momentin më të vështirë të jetës së tij profesionale. Sot ai punon në një televizion të specializuar në çështje që lidhen me bujqësinë, ku merret me lajmet ndërkombëtare. Përveç kësaj, ai merret aktivisht edhe me përkthimin e librave nga gjermanishtja në bullgarisht.



Megjithë angazhimet e reja profesionale, radioja mbetet një pjesë e rëndësishme e jetës së tij: “Radioja më mungon çdo ditë, sepse ajo është një media shumë dinamike. Radioja Kombëtare Bullgare për mua vazhdon të jetë një standard cilësie dhe besimi të dëgjuesve. Personalisht, unë e preferoj atë mbi të gjitha radiot e tjera”, tha Djankov.

Foto nga 16.02.2026. Nga e majta në të djathtë: Mihaill Dimitrov, Vlladimir Vlladimirov, Ljubomir Kollarov, Radosllav Dikov, Vlladimir Daskallov, Petja Conkova, Aleksandër Aleksandrov, Aleko Djankov, Tanja Harizanova dhe përpara Rosica Radullova, Nevin Miljasheva dhe Zhorzheta Janeva

FOTO: Radio Bullgaria - Redaksia Gjermane

Kur duhet të përmbledhë dhjetë vitet e kaluara në Radio Bullgarinë, fjalët e tij janë të shkurtra, por thonë gjithçka: “E dua!”

 

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova