Autor
Joan Kolev
Artikull
Ditë të numëruara deri tek:
Festivali “Në sheshin e Bullgarisë tjetër” – këtë herë në Mynih
Mikpritës është ansambli “Llazarka”
Martë 12 Maj 2026 14:00
Martë, 12 Maj 2026, 14:00
FOTO: sabornamegdana.com
Madhësia e shkronjave
Prej tashmë 11 vitesh, qytete të ndryshme në Evropë bëhen strehë disaditore për bullgarë nga e gjithë bota, zemra e të cilëve rreh në ritmin e folklorit tonë kombëtar. Pavarësisht se jetojnë mijëra kilometra larg atdheut, bashkatdhetarët tanë nuk e humbasin lidhjen me rrënjët e tyre, ndërsa vallet kanë edhe një funksion tjetër të rëndësishëm – t’i bashkojnë dhe t’i mbajnë në komunitet – diçka veçanërisht e rëndësishme në përditshmërinë e vrullshme, në të cilën kontaktet mes nesh janë të shkurtra, më tepër zyrtare ose pothuajse mungojnë.
FOTO: Facebook /Anita Ekenova
Prandaj shfaqja e një festivali të veçantë “udhëtues” është një hap jashtëzakonisht i suksesshëm, i ndërmarrë nga formacioni bullgar i vallëzimit “Ot izvora” në Lion të Francës dhe drejtuesja e tyre Anita Ekenova. Kështu, i nisur në vitin 2015 nga Lioni, festivali “Në sheshin e Bullgarisë tjetër” kalon si ortek përmes Monpeljesë, Gandias, Milanos, La Nusisë, Varnës, Kopenhagës, Pragës, Palma de Majorkës dhe sërish Lionit, duke tërhequr gjithnjë e më shumë pjesëmarrës dhe duke e pasuruar programin me punëtori folklorike dhe ngjarje të tjera shoqëruese, ku në fokus është folklori bullgar i valleve. Motoja e çdo edicioni është gjithashtu e ndryshme, ndërsa çdo grup organizator pasues e pasuron ngjarjen dhe lë një copëz nga vetja në ADN-në e festivalit.
FOTO: Hristo Kozhuharov
Në vitin 2026 mikpritës është ansambli “Llazarka” nga qyteti i dytë gjerman për nga industria – Mynihu. Ngjarja do të mbahet nga 15 deri më 17 maj nën moton – “Libe le, libe hubavo…”.
111 grupe dhe 9 pjesëmarrës individualë do të garojnë me vallet e tyre në sallën “BMW Park”, duke paraqitur aftësitë e tyre në interpretimin e trashëgimisë sonë të pasur muzikore dhe vallëzuese para banorëve dhe mysafirëve të qytetit gjerman. Në forum për herë të parë, krahas trupave të vallëzimit nga Evropa dhe Amerika e Veriut, do të marrë pjesë edhe grupi folklorik "Trëndafili bullgar", i krijuar nga bashkatdhetarë në Afrikën e Jugut.
FOTO: Ansambli Folklorik "Varna"
Një theks interesant në program është ansambli hapës – ky është një formacion gjerman nga Baviera, në të cilin marrin pjesë edhe bullgarë. Nuk do të mungojnë as mysafirë nga Bullgaria – Ansambli “Varna” nga kryeqyteti ynë detar, këngëtari popullor Denisllav Kehajov, orkestër frymore dhe grup mazhoresh nga Velingradi, si dhe “Gjyshet e Çillovit” nga fshati me të njëjtin emër në rajonin e Ruses.
Emocioni për mikpritësit nga “Llazarka” në Mynih është i madh, nuk e fsheh drejtuesi i tyre Pllamen Petkov. Viti 2026 është shumë i veçantë për bashkatdhetarët tanë – ata festojnë 35-vjetorin e krijimit të ansamblit.
Pllamen Petkov (majtas)
FOTO: BTA
“Ne kemi përgatitur premierën e një valleje të re për ne, e cila quhet ‘Sharena Gajda’, me koreografi të Ivajllo Ivanovit dhe muzikë të Georgi Andreevit. Ajo është interpretuar në origjinal nga Ansambli Shtetëror Folklorik ‘Filip Kutev’ – shpjegoi në një intervistë për Radio Bullgarinë drejtuesi i ansamblit ‘Llazarka’, Pllamen Petkov. – Kjo është një valle nga rajoni i Pirinit në Bullgari, të cilën e lidhim me dashurinë mbi bazën e dy këngëve që janë pjesë e saj – dashurinë për lirinë dhe dashurinë për muzikën. Paraqitja jonë e dytë do të jetë vallja ‘Llazarki’, një nga vallet e para të vendosura nga ansambli ynë. Ne i lidhim llazarket me dashurinë, pranverën dhe rininë, kështu që kjo do të jetë një paraqitje e ansamblit në harmoni me moton e festivalit këtë vit.”
Në kuadër të prezantimit të ansamblit bullgar nga Mynihu, do të transmetohet edhe një fragment nga filmi kushtuar historisë së “Llazarka”, i regjisorit të ri Joan Kadiev.
FOTO: Facebook /Ansambli “Llazarka”
Është planifikuar edhe një valle e veçantë, të cilën ansambli “Llazarka” do ta interpretojë së bashku me ansamblin “Varna” – një përshëndetje ndaj bashkëpunimit të tyre ndër vite, si dhe një demonstrim i qartë se si bullgarët në Bullgari dhe jashtë saj krijojnë së bashku diçka të bukur. Por këtu duhet të kujtojmë gjithashtu se themelues i ansamblit të Mynihut “Llazarka” është koreografi Bellço Stanev – drejtues afatgjatë i ansamblit “Varna”.
Një pjesë e madhe e formacioneve folklorike jashtë vendit nuk kanë veprimtari aktive koncertale, prandaj “Në sheshin e Bullgarisë tjetër” është një nga skenat më të rëndësishme, ku ato mund të tregojnë krijimtarinë e tyre para një publiku më të gjerë.
FOTO: Facebook /Ansambli “Llazarka”
“Rregullorja e festivalit është që në të të marrin pjesë grupe të krijuara jashtë Bullgarisë – shpjegon më tej Pllamen Petkov në një intervistë për Radio Bullgarinë. – Ne duam të tregojmë bullgaren që ndodhet jashtë atdheut. E dimë se kur dalim në skenë dhe na shohin njerëzit që jetojnë në atë shtet, kjo mund të jetë prekja e tyre e parë me Bullgarinë. Prandaj themi se ky është ‘eksport kulturor’ – këto ansamble bullgare janë porta e parë përmes së cilës i huaji hedh vështrimin drejt vendit tonë dhe gjithmonë mbetet i magjepsur nga vallet folklorike bullgare, muzika dhe kostumet popullore.”
Momenti më spektakolar i festivalit “Në sheshin e Bullgarisë tjetër” është Kori i MAdh, i cila mbledh të gjithë pjesëmarrësit. Këtë vit ai do të zhvillohet në sheshin “Maks Jozef” në Mynih më 17 maj nga ora 10 deri në 12 sipas kohës lokale.
"Kori i Madh" në Lion (2025)
FOTO: BTA
“Shpesh ndodh që në Mynih për Bullgarinë të flitet vetëm kur ndodh diçka negative ose ndonjë katastrofë. Përmes folklorit ne duam të paraqesim edhe anën e saj të mirë. Besoj se do t’ia dalim, veçanërisht me Vallen e Madhe të planifikuar, ku edhe shumë kalimtarë të rastësishëm do ta shohin Bullgarinë në një mënyrë tjetër, të bukur.”
Edhe Radio Bullgaria do të ketë mundësinë të zhytet në emocionin e festës – përfaqësuesi ynë atje do të jetë Joan Kolev, prandaj prisni fotografi dhe reportazhe nga ngjarja në ditët 15–17 maj.
Shihni më shumë nga Arkivi i Radio Bullgarisë:
- Katalogu online me valle dhe kërcime bullgare “nis” turneun evropian
- Dirigjenti dhe kompozitori Georgi Andreev – për Ditën e Shën Gjergjit, traditat, muzikën dhe dragonjtë
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski