SHOQËRI

Artikull

Valë mbështetjeje për Qendrën Çeke në Sofje pas lajmit për mbylljen

Mërkurë, 13 Maj 2026, 07:00

Valë mbështetjeje për Qendrën Çeke në Sofje pas lajmit për mbylljen

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Më 5 maj u mbushën 77 vjet nga themelimi i Qendrës Çeke në Sofje. Për ironi të fatit, në fund të prillit u njoftua se ajo do të mbyllet dhe do ta përfundojë veprimtarinë e saj kulturore dhe arsimore në Bullgari. Vendimi është i drejtorit të përgjithshëm të rrjetit të Qendrave Çeke, ndërsa arsyet janë financiare – financimi i kësaj veprimtarie nga Ministria e Punëve të Jashtme e Çekisë është ulur nga 180 në 157 milionë korona. Ky është filiali i katërt i rrjetit që mbyllet këtë vit, pasi organizata pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Çekisë shpalli mbylljen e degëve në Milano, Stokholm dhe Tbilisi. Qendrat Çeke janë organizata buxhetore dhe instrument kryesor për diplomacinë publike në politikën e jashtme të Republikës Çeke – ato e prezantojnë vendin përmes artit, industrive krijuese, mësimit të gjuhës çeke jashtë vendit dhe promovimit të arritjeve në shkencën dhe inovacionet çeke.

FOTO: Qendra Kulturore Çeke në Sofje

Qendra Çeke në Sofje është e jashtëzakonshme jo vetëm për historinë e saj 77-vjeçare, por edhe për faktin se është institucioni më i vjetër çek i këtij lloji jashtë vendit. Për Bullgarinë ajo është ndër organizatat kulturore të huaja me veprimtarinë më të gjatë në territorin e vendit. Është krijuar në vitin 1949 në kuadër të marrëveshjes ndërqeveritare kulturore çekosllovako-bullgare, ndërsa fillimisht në rrugën “Rakovski” 100 në Sofje u hap një dyqan përfaqësues për mallra kulturore “Prodhime çekosllovake Orbis”. Shpejt popullariteti i tij u rrit aq shumë, saqë u hap një filial i “Orbis”-it në cep të rrugëve të atëhershme të Sofjes “Stefan Karaxha” dhe “Vasill Levski”. Me kalimin e kohës ndryshoi si veprimtaria, ashtu edhe emri i institucionit. Pas ndarjes së Çekosllovakisë në janar të vitit 1993, Çekia krijoi qendra çeke, të cilat u bënë pasardhëse të ish-qendrave çekosllovake jashtë vendit.

FOTO: BTA

Informacioni për mbylljen e këtij institucioni kulturor nuk kaloi pa u vënë re nga opinioni publik bullgar – u formua një peticion në mbështetje të ruajtjes së qendrës në Sofje, ndërsa u organizua edhe një protestë masive kundër vendimit për mbylljen e saj. Këshilli Akademik i Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski” u shpreh njëzëri kundër mbylljes së Qendrës Kulturore Çeke.

Nga katedra e Filologjive Sllave në Universitetin e Sofjes dërguan një letër drejtuar të gjitha qarqeve akademike dhe përfaqësuesve të Çekisë në Sofje, në të cilën shkruanin se bëjnë thirrje këmbëngulëse që Qendra Çeke në Sofje të mos mbyllet. “Arsyeja e parë për pozicionin tonë është bindja se Qendra Çeke në Sofje është trashëgimtare e lidhjeve shumëvjeçare kulturore çeko-bullgare, ndërsa ato edhe sot janë pjesë e rëndësishme e kujtesës kulturore kombëtare të Bullgarisë. Në dekadat pas vitit 1878, shteti i ri bullgar ftoi humanistë çekë, njerëz të artit, mësues dhe pedagogë akademikë si pjesëmarrës aktivë në arsimin e mesëm dhe të lartë bullgar, në zhvillimin e arkitekturës, teatrit, pikturës, grafikës dhe muzikës. Që nga fundi i shekullit XIX kombi çek në vetëdijen shoqërore bullgare është një nga kombet bartëse të frymës evropiane dhe demokracisë”, thuhet në letrën e Universitetit të Sofjes, drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme të Çekisë dhe drejtorit të përgjithshëm të Qendrës së Qendrave Çeke.

FOTO: BTA

Protesta, e cila u mbajt më 5 maj në parkun pranë monumentit të Stefan Stambollovit në Sofje, mblodhi dhjetëra intelektualë, bohemistë, shkencëtarë dhe pedagogë, shkrimtarë, poetë, ndërsa më e shumta ishte bashkësia e studentëve që aktualisht studiojnë gjuhën çeke dhe vizitojnë rregullisht bibliotekën çeke pranë qendrës kulturore në Sofje. Ja çfarë ndajnë dy studente të vitit të pestë, dega Filologji Sllave – Billjana Petkova dhe Maja Petkova.

“Ne personalisht e morëm vesh nga pedagogët tanë, pasi ata morën pikërisht atë njoftim për të cilin foli edhe docenti Dobromir Grigorov. Vetë motivet, që janë thjesht financiare, të gjitha lidhen me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Çekisë dhe drejtimin e të gjitha qendrave çeke në botë. Në momentin kur erdhi njoftimi zyrtar për ndërprerjen e veprimtarisë së qendrës, lajmi u përhap mjaft shpejt. Ne u mobilizuam jashtëzakonisht shpejt. Veprimet protestuese nga ana jonë u organizuan vetëm brenda një jave.”

Billjana Petkova dhe Maja Petkova

FOTO: BTA

“Apelojmë që vendimi për mbylljen e Qendrës Çeke në Sofje të rishqyrtohet, sepse për ne kjo do ta errësonte shkëmbimin jashtëzakonisht të dobishëm dhe efektiv kulturor midis dy shteteve evropiane. Kryeqyteti ynë, si edhe e gjithë Bullgaria, do të humbte një partner kulturor jashtëzakonisht të vlefshëm. Qendra Kulturore Çeke për ne ka qenë gjithmonë hapësirë për shprehje, si edhe hapësirë që na ka pritur në shumë aktivitete kulturore. Në fakt ne humbasim mbi të gjitha këtë – kulturën tonë të përbashkët dhe përvojën tonë të përbashkët.”

Për studentët, Qendra Çeke është vatër shpirtërore, ndërsa për çdo qytetar tjetër ajo është simbol i pranisë së jashtëzakonshme kulturore çeke në Bullgari, e cila është e dukshme jo vetëm në Galerinë e Arteve. Gazetarja dhe shkrimtarja Lidija Gëllëbova, e cila gjithashtu ishte ndër protestuesit aktivë kundër mbylljes së institucionit, bën thirrje t’u kushtojmë vëmendje detajeve:

FOTO: BTA

“Filmi i parë për të cilin duhej të isha redaktore në televizion ishte për piktorin bullgar me origjinë çeke Ivan Mërkviçka. Atëherë kuptova se altari i majtë i katedrales ‘Shën Aleksandër Nevski’ në Sofje është pikturuar prej tij, ashtu si edhe harqet në anën e djathtë mbi altar. Atje është paraqitur takimi midis djallit dhe engjëjve. Të gjithë ne i dëshirojmë vetes të kemi fatin e engjëjve. Në Qendrën Çeke janë mbajtur prezantime të shumë librave të sapobotuar, si edhe të librave të mi. Kemi zemra dhe përmes tyre lutemi. Drejt qiellit i çojmë lutjet tona. Edhe drejt Çekisë, edhe drejt Mërkviçkës, i cili ndoshta gjithashtu sheh se çfarë po ndodh.”

Veprimtaria e Institutit Kulturor Çek në vendin tonë do të vazhdojë deri në fund të majit, siç është parashikuar në program, ndërsa ekipi do t’i realizojë ngjarjet e fundit të përgatitura paraprakisht – njoftuan nga ekipi drejtues i Qendrës Çeke në Sofje.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski