LAJME

Artikull

Ambasadori ynë në NATO përfaqëson Bullgarinë në takimin e B‑9

Mërkurë, 13 Maj 2026, 17:34

Ambasadori ynë në NATO përfaqëson Bullgarinë në takimin e B‑9

FOTO: AP/BTA

Madhësia e shkronjave

Pesëmbëdhjetë krerë shtetesh dhe përfaqësues të lartë marrin pjesë sot në kryeqytetin rumun në samitin e “Nëntëshes së Bukureshtit” (B‑9). Mes tyre janë sekretari i përgjithshëm i NATO‑s Mark Rutte, presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski, si dhe përfaqësues të vendeve të B‑9 në nivel presidenti, kryeministri ose ministri. Nga vendet e formatit, vetëm Bullgaria dhe Hungaria janë të përfaqësuara në nivel ambasadori – Bullgaria nga përfaqësuesi i saj i përhershëm në NATO, Nikollaj Millkov, dhe Hungaria nga ambasadorja e saj në Rumani, Katalin Kisné. SHBA-të përfaqësohen nga zëvendëssekretari i shtetit për kontrollin e armëve dhe sigurinë ndërkombëtare, Thomas DiNanno, njofton BTA. 

FOTO: AP/BTA

Takimi i sivjetshëm i B‑9 konsiderohet një moment vendimtar për formulimin e një pozicioni të përbashkët lidhur me mbrojtjen kundërajrore dhe mobilitetin ushtarak në rajon. Renditja e ditës përfshin rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen; forcimin e bazës industriale transatlantike; koherencën strategjike të krahut lindor; mbështetjen për Ukrainën dhe tema të tjera. 

“Refuzimi i Bullgarisë për të marrë pjesë në nivelin e nevojshëm të lartë në këtë forum të rëndësishëm, i cili do të përgatisë Samitin e NATO‑s në korrik, nuk është çështje protokollare, por politike. Pavarësisht deklaratave të qeverisë se do të punojë për një zë më të fortë të Bullgarisë në NATO dhe BE, sjellja e pushtetarëve tregon të kundërtën. Nga kjo përfiton vetëm regjimi i Putinit në Moskë”, komentuan në një deklaratë nga “Bullgaria Demokratike”.

 

Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva