Artikull
Viktor Gërbeshkov – dizajneri që shkaktoi furor në Eurovision 2026
Enjte 14 Maj 2026 14:00
Enjte, 14 Maj 2026, 14:00
FOTO: BTA/AP
Madhësia e shkronjave
Pak orë para se këngëtarja karizmatike DARA të ngjitej në skenë dhe të hapte natën e dytë të gjysmëfinaleve të Eurovizionit 2026, Vjena ishte e pushtuar nga vizioni i artistes bullgare. DARA parakaloi në qilimin zyrtar ngjyrë turkezi të konkursit me një veshje avangarde, të punuar nga… flokë.
Pas estetikës mbresëlënëse të frymëzuar nga kukerët të interpretueses së “Bangaranga” qëndron dizajneri i ri Viktor Gërbeshkov, rrënjët e të cilit janë nga Qyteti i Blirëve në Bullgari – Stara Zagora. Në një intervistë për BNR Stara Zagora ai pranoi se ishte i befasuar nga entuziazmi i fuqishëm i publikut.
FOTO: Facebook/Anelia Baklova
“Ne e dinim që po bënim diçka interesante dhe të bukur, por nuk prisnim kaq shumë njerëz ta kuptonin dhe pothuajse ta ndjenin si të tyren, t’i kapnin referencat tona dhe t’i vlerësonin kaq thellë. Jo vetëm publiku bullgar, por edhe ai europian”, – tha Gërbeshkov.
Ideja për interpretimin modern të kostumit të kukerit lindi që në fillim të vitit, kur DARA tregoi se dëshironte të shndërrohej në një “kuker modern” për projektet e saj të ardhshme.
FOTO: arkiv personal
“Dhe kështu filluam – me variante dhe skica të ndryshme, derisa arritëm te ky kostum pothuajse si ai i kukerit, por shumë i shkurtuar dhe me një siluet elegant.”
Viktor Gërbeshkov është një nga ata të rinj bullgarë kreativë që hyjnë me lehtësi në lëkurën e vizionarëve të guximshëm, duke miksuar tradita, materiale dhe vizione. Ai zbuloi mundësitë e veta, kur filloi studimet në Gjimnazin Kombëtar të Arteve të Aplikuara, në specializimin “Dizajn Mode”. “Atëherë sikur u ngrit një perde dhe kuptova se moda mishëronte gjithçka që më frymëzonte dhe gjithçka në të cilën doja të zhvillohesha. Pikërisht për këtë nuk krijoj vetëm rroba apo foto, por realizoj një pamje të tërë, një mini‑univers të plotë. Besoj se rrobat, aksesorët, grimi, flokët, fotografia, ndriçimi dhe audioja e bëjnë projektin të jetë i plotë”, – rrëfen ai në një intervistë për botimin bullgar të revistës Grazia. Viti është 2023, dhe Viktori – vetëm 18 vjeç, por tashmë në vëmendjen e komunitetit si një krijues që ndërton botët e tij të vogla përmes modës.
Provokimi nuk i
është i huaj dhe sot, teksa ecën në rrugën e ëndrrës së tij dhe është ende
student në Milano, Viktori arriti të ngjallë interesin e komunitetit të
Eurovizionit për krijimin e tij, e bashkë me të edhe për DARA‑n dhe këngën
“Bangaranga”. Puna mbi projektin u shndërrua në një provë të vërtetë mes
studimeve dhe përgatitjeve për skenën më të madhe muzikore në Europë.
FOTO: arkiv
“Është e vështirë t’i kombinosh të gjitha. Puna jashtë universitetit pengon universitetin, dhe universiteti – punën. Por me kohën gjendet balanca. Që në gjimnaz punoja me DARA‑n dhe me artistë të tjerë në Bullgari dhe jashtë saj.”
Dizajneri pranon se momenti i vërtetë emocional erdhi pak para vetë ngjarjes, kur iu desh ta çonte vetë fustanin në Vjenë pas javësh të tëra pune të pandërprerë mbi modelin.
“Fillimisht plani ishte thjesht ta dërgoja fustanin në Sofje, dhe ajo të nisej me të për në Vjenë. Por procesi rezultoi shumë më i ndërlikuar. E përfundova fustanin dy ditë para ngjarjes dhe u desh ta çoja vetë. Atëherë i thashë vetes: ‘O Zot, çfarë po bëj këtu?’
Kështu përvoja u shndërrua në shumë më tepër se një projekt mode.
Viktor Gërbeshkov dhe DARA
FOTO: arkiv personal
“Emocioni është i pabesueshëm. Ndjesia e të qenit aty dhe e të parit se si shkruhet historia ishte një nder i jashtëzakonshëm. Jo vetëm që përfaqësova veten si artist dhe ndihmova DARA‑n të dukej e përsosur, por përfaqësuam edhe Bullgarinë – përmes traditave tona dhe referencave ndaj zakoneve tona shekullore në skenën europiane”, – thotë Viktor Gërbeshkov për Toshka Sëbeva nga BNR Stara Zagora.
Nëse edhe ju e keni
pëlqyer DARA‑n dhe e përsërisni vazhdimisht refrenin e “Bangaranga” –
mbështeteni. Ajo do të hapë mbrëmjen garuese më 14 maj, dhe shikuesit nga e
gjithë bota mund të votojnë për të me nr. 1 në faqen ESC.VOTE.
Redaktoi: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva