KULTURË

Artikull

Bullgaristika në Athinë – mes "çmendurisë emocionale" dhe diplomacisë kulturore

"Sllavistika në Greqi fillon me një bullgar", na thotë ligjëruesi në Universitetin e Athinës, Genço Banev.

Enjte, 9 Korrik 2026, 07:00

Genço Banev

Genço Banev

FOTO: Elena Karkallanova

Madhësia e shkronjave

Në auditorët akademikë të Universitetit të Athinës, studimi i gjuhës bullgare shpesh fillon si një akt "çmendurie" – një zgjedhje irracionale dhe thellësisht emocionale. Sot, më shumë se një dekadë pas rifillimit të lektoratit të gjuhës bullgare, ai është shndërruar në një mjet të fuqishëm të diplomacisë kulturore – mësojmë nga ligjëruesi i gjuhës dhe letërsisë bullgare, Genço Banev.

Në një intervistë për Radio Bullgarinë, ai tregoi se historia e mësimdhënies bashkëkohore të gjuhës bullgare në Universitetin e Athinës fillon rreth vitit 2010, në kuadër të Departamentit të Letërsisë Ruse, Filologjisë dhe Sllavistikës. Gjuha bullgare studiohet si gjuhë e dytë sllave me zgjedhje, krahas polonishtes dhe serbishtes, ndërsa interesi për bullgarishten mbetet i qëndrueshëm dhe aktualisht më shumë se 30 studentë e studiojnë atë në mënyrë aktive. Edhe pse fondi i orëve është i kufizuar në 3 orë në javë, me të cilat arrihet niveli B1, studentët më të motivuar vazhdojnë në kurse shtesë, duke arritur nivelin profesional C2, i cili u mundëson të punojnë si përkthyes, mësues dhe guida turistike.

Genço Banev

FOTO: Elena Karkallanova

Pse një i ri grek do të zgjidhte gjuhën bullgare?

Sipas Genço Banevit, motivet variojnë nga ato krejtësisht racionale, të lidhura me mundësitë për realizim profesional, deri te ato thellësisht personale. Megjithatë, sipas tij, më e rëndësishmja është ndjesia me të cilën studentët mbeten pas kontaktit të tyre me gjuhën.

"Do të thosha se secili prej tyre është ambasador i Bullgarisë në Greqi, pavarësisht nivelit të zotërimit të gjuhës. Sepse nëse një student do ta mësojë mirë apo shumë mirë bullgarishten varet nga shumë faktorë, por ajo që përpiqem të arrij është të krijoj tek ata një ndjenjë të ngrohtë ndaj vendit, ndaj gjuhës dhe ndaj njerëzve. Në këtë mënyrë, edhe nëse nuk e mësojnë shumë mirë bullgarishten, ata mbartin një pjesë të asaj dashurie që ndajmë së bashku. Kështu që secili, në njëfarë mënyre, është ambasador."

Lektorati i Gjuhës Bullgare në Athinë vepron gjithashtu si një institut kulturor

FOTO: Elena Karkallanova

Lektorati si institut kulturor

Në kushtet e mungesës së një Instituti Kulturor Bullgar zyrtar në Athinë, lektorati merr pjesërisht përsipër funksionet e tij – ai shndërrohet në një qendër për organizimin e veprimtarive me shkrimtarë bullgarë, por njëkohësisht zhvillon edhe projekte kërkimore që zbulojnë lidhje historike të papritura.

"Jo vetëm që Bullgaria nuk ka institut kulturor në Greqi, por edhe Greqia nuk ka një të tillë në Bullgari. Pse shtetet e Ballkanit nuk kanë shkëmbyer qendra kulturore – arsyet janë të shumta, që nga stereotipet e deri te faktorët teknikë. Sigurisht, në çdo ambasadë ekziston një sektor që merret me kulturën, një atashe kulturor – ata janë diplomatë profesionistë shumë aktivë. Pasuria dhe spektri i marrëdhënieve kulturore është aq i madh, sa që në të vërtetë lektorati duhet të merret me këtë veprimtari dhe unë e bëj këtë në mënyrë aktive, duke u përpjekur të hyj në kontakt me institucionet dhe njerëzit në vendin pritës sa më thellë të jetë e mundur. Kjo është mënyra jonë për të bërë diplomaci të vërtetë kulturore në terren. Ftojmë shkrimtarë bullgarë, organizojmë aktivitete me komunitetin bullgar, me shkollat bullgare të së dielës dhe marrim pjesë në programe si 'Historitë e patreguara të bullgarëve' të Ministrisë Bullgare të Arsimit dhe Shkencës" – rendit Genço Banev.  Gjatë një seminari të organizatave kulturore bullgare në Vjenë në fund të muajit maj, ai dha edhe shembuj konkretë se si një lektorat i bullgaristikës mund të luajë rolin e një Instituti Kulturor Bullgar.

Genço Banev prezanton punën e lektorit të studimeve bullgare gjatë një takimi në Vjenë

FOTO: Elena Karkallanova

Një nga zbulimet më interesante të studentëve të bullgaristikës, në kuadër të një projekti të përbashkët me shkollën bullgare të së dielës në Athinë, kushtuar diplomatit Dimitër Shishmanov, është fakti se sllavistika në Greqi në të vërtetë fillon me një bullgar – Stefan Geçev, i cili në vitet '30 të shekullit të kaluar ishte diplomat i ri dhe përkthyes në legatën bullgare në kryeqytetin grek. Me urdhër të ministrit të atëhershëm fuqiplotë bullgar në Athinë, Dimitër Shishmanov, ai u regjistrua në një kurs të filologjisë bizantine. Profesori i njohur Nikos Veis pa tek ky student i ri një potencial të jashtëzakonshëm dhe i propozoi të mësonte bashkëstudentët e tij në filologjinë sllave të vjetër.

"Kështu Stefan Geçev filloi një kurs joformal të sllavistikës, si rezultat i të cilit kemi disa sllavistë grekë. Kur u treguam profesorëve të universitetit, të cilët drejtojnë katedrën, se ajo është shumë e rëndësishme sot, por në praktikë një bullgar e ka nisur këtë gjë, fillimisht kjo i befasoi, në kuptimin e mirë të fjalës. Më pas ideja u pëlqeu shumë dhe tashmë edhe ata vetë e tregojnë këtë si fakt. Ja, kjo është një mënyrë se si shohim që projektet e realizuara nga lektorati ndikojnë në mënyrën e përgjithshme se si shihet Bullgaria dhe bullgarët."

Aktivitetet e pedagogut të gjuhës bullgare në Athinë

FOTO: Elena Karkallanova

Pavarësisht tkurrjes së shkencave humane në shkallë botërore, interesi për bullgaristikën mbetet i gjallë. Në këtë kontribuojnë edhe forume ndërkombëtare si "Leximet e Vjenës", të cilat bashkojnë studentë që studiojnë gjuhën bullgare në më shumë se 20 lektorate. Megjithatë, e ardhmja kërkon më shumë sesa entuziazëm – nevojitet mbështetje sistematike.

"Unë jam kategorikisht optimist, por kjo na vendos edhe përballë një përgjegjësie serioze. Nuk duhet të presim që të tjerët thjesht të na kërkojnë për t'u zhvilluar si bullgaristë; ne duhet të krijojmë kushtet dhe t'i tërheqim këta njerëz. Vështirësia nuk është aq tërheqja e kolegëve të rinj, sa ruajtja e interesit të tyre në plan afatgjatë. Këtu mediat, institucionet dhe pedagogët duhet të bashkojnë forcat dhe të krijojnë mundësi që këta të rinj të zhvillohen. Sepse, kur fola për atë 'çmenduri' në fillim – çdo emocion është i bukur, por zgjat pak. Një shkëndijë nuk krijon një zjarr të ngrohtë. Që të kemi një zjarr të ngrohtë, duhet ta ushqejmë vazhdimisht. Këtu duhet të mendohet për bursa të posaçme – për studentët bachelor, jo vetëm për ata master, si dhe për mundësi që t'u lejojnë të udhëtojnë dhe të punojnë. Duhet të krijohen instrumente që t'i ndihmojnë të zhvillohen dhe të shohin njëfarë stabiliteti në angazhimin me bullgaristikën."

FOTO: Facebook/Guentcho Banev

Për Genço Banevin, suksesi i këtij misioni varet nga bashkërendimi midis pedagogëve, të cilët janë misionarët e gjuhës bullgare në terren, dhe shtetit bullgar.

"Secili, nga pozicioni i vet, nëse punon në këtë drejtim, krijon kushtet që kjo të realizohet. Si lektorët, ashtu edhe institucionet – kur i bëjmë gjërat në koordinim dhe me zemër, praktikisht jemi një e tërë."

Pas verës së nxehtë, në muajin nëntor do të zhvillohet edhe takimi i 11-të i bullgaristëve nga universitetet evropiane, me të cilin do të hapet dekada e dytë e nismës "Leximet e Vjenës".  "Brenda kuadrit të këtyre leximeve studentore patëm kënaqësinë të shohim se si studentë të vitit të parë u zhvilluan – disa prej tyre tashmë po orientohen drejt mësimdhënies së gjuhës bullgare në vende të ndryshme të botës. Sigurisht, flasim për individë – nuk mund të themi se është një fenomen masiv, por pikërisht këta individë ndryshojnë tablonë dhe janë vërtet njerëz të jashtëzakonshëm" – përfundon Genço Banev.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski