Dr. Lu Tien – mjekja nga Pekini që e ndien Bullgarinë si shtëpinë e saj

Shëndeti i mirë kalon përmes ruajtjes së energjisë pozitive, na kujton specialistja që ndërthur me sukses metodat e mjekësisë perëndimore dhe asaj kineze

Martë, 7 Korrik 2026, 13:49

Dr. Lu Tien

Dr. Lu Tien

FOTO: doctortien.com

Madhësia e shkronjave

Dr. Lu Tien lindi në Pekin, por në vitin 1993, kur ishte vetëm 16 vjeçe, vizitoi për herë të parë Bullgarinë, pasi nëna e saj, gjithashtu mjeke e mjekësisë kineze, kishte tashmë një praktikë disavjeçare në vendin tonë. Vite më vonë, pasi përfundoi studimet për mjekësi kineze në Universitetin e Shangait, ajo u kthye sërish në Bullgari, këtë herë për të jetuar këtu, dhe u diplomua në mjekësinë tradicionale në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski”. Mjeke e brezit të dhjetë, Dr. Lu Tien prej 18 vitesh ndihmon dhe trajton një numër të madh pacientësh, duke aplikuar metodat tradicionale të mjekësisë kineze përmes bimëve mjekësore, akupunkturës dhe kupave (terapisë me vakum). Ajo tregon se ndihet dhe e percepton veten si bullgare, dhe beson se rruga drejt shëndetit të mirë dhe jetëgjatësisë kalon përmes ruajtjes së energjisë pozitive, përmes më shumë lëvizjes, shmangies së stresit dhe përkushtimit ndaj aktiviteteve të preferuara.

“Më pëlqen në Bullgari natyra, ushqimi dhe njerëzit, sepse dallimi më i madh me vendet e tjera është se bullgarët kanë zemër të mirë dhe shpirt të ngrohtë. Më pëlqen në Bullgari, ku jo vetëm që kam shumë miq, por jam mësuar edhe me jetën këtu. Pranoj gjithçka, sepse ndihem bullgare. Nëna ime ka qenë mike e mirë me Baba Vangën, dhe ajo i ka thënë se para 400 vitesh unë dhe nëna ime kemi qenë bullgare. Prandaj në këtë jetë kemi ardhur këtu me mirënjohje – për t’u shërbyer bullgarëve dhe për të ushtruar mjekësinë në Bullgari gjatë gjithë jetës. Ndoshta prandaj i pranoj të gjitha këtu dhe më pëlqen çdo gjë. E vetmja gjë që nuk ha është djathi i dhisë”, tregon me buzëqeshje Dr. Lu Tien.

Dr. Lu Tien kujton se, sipas parimeve të mjekësisë kineze, gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjmë për një jetë të shëndetshme dhe të plotë është të ruajmë energjinë pozitive. Të shmangim stresin, të ruajmë ekuilibrin dhe të qëndrojmë larg emocioneve të këqija dhe depresionit. Prandaj ajo tregon edhe një ngjarje të këndshme nga e kaluara, të cilën e mban mend.

Dr. Lu Tien

FOTO: doctortien.com

“Më kujtohet kur erdha për herë të parë në vitin 1993 në Bullgari – çmimet ishin të tilla, sa për një akullore duhej të jepje disa mijë leva. Atëherë po mësoja gjuhën bullgare në Institutin për Studentë të Huaj dhe mund të thosha vetëm disa fjalë, ndërsa duhej të shkoja në dyqan për të blerë vezë. Në atë kohë nuk kishte zinxhirë të mëdhenj dyqanesh si sot, por vetëm dyqane të vogla. Në mësime mësova vetëm si të thosha fjalën “zogth”, jo “pulë”, por “zogth”. Dhe kur shkova të blej vezë, thashë: “A mund të blej fëmijët e zogthit?” Dhe shërbëtorja ishte e zgjuar dhe më solli vezë. Kjo ishte në vitin 1993, sot me siguri do të më sillnin një pulë të vogël”, thotë duke qeshur Dr. Tien.

“Bullgaria është një nga vendet me jetëgjatësi të lartë – shumë bullgarë jetojnë deri në moshën 90 vjeç. Dhe kjo ndodh sepse këtu keni kos të thartë, verë të mirë dhe raki. Në përgjithësi jeni një vend me shëndet të mirë. Por këtu ka edhe sëmundje, të cilat sipas mjekësisë kineze mund t’i ndajmë në tre grupe. Grupi i parë është ai i problemeve me funksionin e zemrës. I dyti përfshin njerëzit pa energji, me probleme të prostatës dhe veshkave. Ndërsa grupi i tretë ka të bëjë me problemet e kyçeve. Këto kryesisht lidhen me mungesën e lëvizjes dhe mungesën e sportit në Bullgari. Gjithashtu lidhen me zakone të këqija, si fakti që këtu ju pëlqen shumë i ftohti. Për shembull, në dimër vishni funde dhe jo pantallona, dhe kjo nuk është e mirë për kockat. Dhe gjithashtu – që në moshë të re duhet të fillojmë të përgatitemi për pleqërinë. Edhe gjumi me dritare të hapur, apo kondicioneri i fortë në makinë – si të mos të të dhembin pastaj kockat?”, pyet Dr. Tien.

FOTO: doctortien.com

Që nga vizita e saj e parë në Bullgari, para më shumë se 30 vitesh, ajo ruan kujtime të paharrueshme për atë se sa e bukur dhe e pastër i është dukur vendi. Sot, pas 18 vitesh jetë në Bullgari, ajo thotë se e ndien veten bullgare.

“Ndihem plotësisht bullgare, sepse çdo ditë shoh fytyrat tuaja bullgare dhe kështu harroj që jam kineze – mendoj se jam një nga ju. Dhe ndihem 100 për qind si në shtëpinë time këtu në Bullgari” – tregon Dr. Tien. Si një mjeke e vërtetë kineze, ajo u uron të gjithëve shëndet të mirë dhe jetëgjatësi. Duke ndarë urtësinë mijëravjeçare të mjekësisë orientale, Dr. Tien këshillon të mos harrojmë se një jetë harmonike dhe e plotë arrihet përmes ruajtjes së energjisë pozitive në trup dhe në psikikë, përmes lëvizjes dhe emocioneve pozitive, si edhe duke shmangur stresin dhe përjetimet negative. Ajo kujton gjithashtu se, për të qenë jetëgjatë dhe për të pasur pleqëri të shëndetshme, duhet të bëjmë përpjekje që në moshë të re.

 

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova