FOLKLOR

Artikull

"Jana e bukur" ndërthur traditën me tingullin modern

Enjte, 9 Korrik 2026, 14:12

"Jana e bukur" ndërthur traditën me tingullin modern

FOTO: facebook.com/IvaVelislavaKostadinovi

Madhësia e shkronjave

Iva dhe Velisllava Kostadinovi janë një duet i njohur i muzikës folklorike bullgare, që dallohen për interpretimet e tyre të freskëta dhe plot energji të këngëve popullore. Të frymëzuara nga trashëgimia e pasur artistike e gjyshes së tyre, këngëtares legjendare të folklorit bullgar Guna Ivanova, dy motrat krijojnë projekte muzikore që ndërthurin traditën me tingullin modern, duke e afruar folklorin me brezin e ri. Projekti i tyre më i ri, "Jana e bukur", i jep një tingull bashkëkohor këngës së njohur popullore bullgare "U bë e njohur Jana e bukur". Kënga përcjell një mesazh për forcën e dashurisë së vërtetë, që i reziston kohës, sprovave të jetës dhe ndërhyrjeve të të tjerëve.

Iva dhe Velisllava Kostadinovi

FOTO: facebook.com/IvaVelislavaKostadinovi

"Kur dy njerëz mallëngjehen për njëri-tjetrin, kur zemrat e tyre rrahin në të njëjtin ritëm, kur pavarësisht sfidave të jetës shpirtrat e tyre mbeten të bashkuar... Dashuria është e gjallë, e plotë, e vërtetë dhe u qëndron kohës e sprovave. Kemi kënaqësinë t'ju prezantojmë interpretimin tonë të kësaj kënge" – shprehen Iva dhe Velisllava Kostadinovi. Kënga është e njohur për publikun në interpretimin e këngëtares së madhe të folklorit bullgar, Ollga Borisov, krijimtarinë e së cilës dy interpretueset e kanë dëgjuar dhe e kanë vlerësuar me shumë dashuri ndër vite.

FOTO: facebook.com/IvaVelislavaKostadinovi

Muzika dhe teksti i këngës "Jana e bukur" janë popullore, ndërsa aranzhimi i ri u realizua nga Svetlin Këslev dhe Hristo Hristov. Në të, tingëllimi tradicional ndërthuret me një frymëzim muzikor bashkëkohor, ku një vend të veçantë zënë veglat autentike muzikore bullgare – fyelli, gajdja dhe gëdulka. Në regjistrimin e këngës marrin pjesë disa nga muzikantët më të mirë të këtij zhanri – Georgi Dobrev (fyell), Borisllav Gëllëbov (gadulka) dhe Hristo Hristov (gajde).

Alesandra Aleksandrova dhe Filip Bukov

FOTO: facebook.com/IvaVelislavaKostadinovi

Videoklipi i këngës "Jana e bukur" i është besuar sërish Stefan Marinovit dhe Buddubbaz Tape Company. Personazhe në video, përveç muzikantëve, janë edhe miqtë e tyre të skenës dhe të jetës – "Mjeshtrit e vallëzimit", me drejtues Krasimir Dimitrov. Alesandra Aleksandrova është pjesë e ansamblit, por këtë herë ajo luan rolin kryesor të Janës. Një pjesëmarrje të veçantë në videoklip ka edhe një nga aktorët më të dashur bullgarë – Filip Bukov. Ai rikrijon rolin kryesor të vojvodës së ri, të dashurit të Janës, duke treguar sa e fortë dhe e vërtetë mund të jetë dashuria e një burri për një grua.

Redaktoi: Diljana Traçeva

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova