Artikull
Presidenca bullgare prezantoi në Bruksel rolin e Strategjisë së Danubit
Enjte 9 Korrik 2026 16:11
Enjte, 9 Korrik 2026, 16:11
FOTO: mrrb.bg
Madhësia e shkronjave
Presidenca bullgare e Strategjisë së Bashkimit Evropian për Rajonin e Danubit, e cila koordinohet nga Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Punëve Publike, prezantoi kontributin e Strategjisë së Danubit në mbështetjen e procesit të zgjerimit të BE-së. Prezantimi u bë gjatë një paneli kushtuar rolit të strategjive makro-rajonale dhe detare në mbështetje të vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Diskutimi u zhvillua në kuadër të Ditëve të Strategjive Makro-rajonale dhe Detare në Bruksel, të organizuara nga Komisioni Evropian. Vjara Minçeva, koordinatore kombëtare për Strategjinë e Danubit për Bullgarinë, theksoi se Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Moldavia dhe Ukraina kanë mundësi të marrin pjesë në kushte të barabarta me vendet anëtare të BE-së në të gjitha mekanizmat e kësaj strategjie. Në këtë mënyrë, këto vende krijojnë kapacitete administrative, përvojë praktike dhe partneritete të qëndrueshme edhe para anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian. Koordinatorja kombëtare prezantoi gjithashtu një nga nismat e presidencës bullgare: zhvillimin e bashkëpunimit mes Strategjisë së Danubit dhe Agjendës së Përbashkët Detare të BE-së për Detin e Zi. Qëllimi është që të shfrytëzohen më mirë mundësitë e bashkëpunimit në fusha si lidhjet e transportit, mbrojtja e mjedisit, logjistika, turizmi, kultura dhe zhvillimi rajonal.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova