SHOQËRI

Artikull

Fillon Seminari Ndërkombëtar Veror për Gjuhën dhe Kulturën Bullgare

Premte, 10 Korrik 2026, 05:23

Fillon Seminari Ndërkombëtar Veror për Gjuhën dhe Kulturën Bullgare

FOTO: uni-vt.bg

Madhësia e shkronjave

Në Universitetin e Veliko Tërnovës “Shenjtor Kirill dhe Metodij” do të zhvillohet edicioni i 49-të i Seminarit Ndërkombëtar Veror për Gjuhën dhe Kulturën Bullgare. Mbi 80 pjesëmarrës nga 28 vende të katër kontinenteve – Evropë, Amerikë e Veriut, Afrikë dhe Azi – do të marrin pjesë në këtë aktivitet, i cili do të mbahet nga 13 korriku deri më 2 gusht. Numri më i madh i studentëve, doktorantëve, pedagogëve universitarë, mësuesve dhe përfaqësuesve të profesioneve të ndryshme pritet të jetë nga Gjermania, Greqia, Italia, Rumania, Polonia dhe Franca.

Programi i seminarit përfshin mësime të përditshme të gjuhës praktike bullgare, leksione të posaçme mbi historinë, letërsinë, folklorin, kulturën dhe artin bullgar, si dhe një program të pasur kulturor. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të takohen me shkrimtaren Elena Aleksieva, të mësojnë këngë dhe valle tradicionale bullgare, të njihen me traditën e punimit të qilimave tradicionalë të Çiprovacit , si dhe të marrin pjesë në demonstrime gatimi dhe degustime të ushqimeve tradicionale bullgare.

FOTO: uni-vt.bg

Gjatë seminarit, pjesëmarrësit do të vizitojnë qytetin e Rusës, Kishat Shkëmbore të Ivanovos, Kazanllëkun dhe tumullin trak të quajtur “Golema Kosmatka”. Ata do të ndjekin gjithashtu shfaqjen spektakolare “Dritë dhe Tingull” dhe do të shohin filma bashkëkohorë bullgarë. Në fund të seminarit, ata do të testojnë njohuritë e tyre të gjuhës bullgare përmes punëtorisë krijuese “Zbulo Bullgarinë” dhe një olimpiade gjuhësore.

Seminari Ndërkombëtar Veror për Gjuhën dhe Kulturën Bullgare është një nga aktivitetet më të njohura të Universitetit të Veliko Tërnovës. Për gati pesë dekada, ai ka ndihmuar në përhapjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditave bullgare te pjesëmarrës nga e gjithë bota, njoftohet në faqen zyrtare të universitetit në Facebook.


Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova