SHOQËRI

Artikull

Të përshkosh Bullgarinë me një biçikletë retro

Shtunë, 11 Korrik 2026, 07:00

 Të përshkosh Bullgarinë me një biçikletë retro

FOTO: mgergov.com

Madhësia e shkronjave

Vazhdon udhëtimi rreth Bullgarisë i njërit prej ultraciklistëve më aktivë bullgarë, Martin Gergov, me biçikletën retro emblematike për vendin – "Ballkan". Pasi në fund të vitit 2025 bullgari përshkoi me dy rrota afro 5000 kilometra në itinerarin Sofje – Dubai, duke kaluar përmes Greqisë, Turqisë, Irakut, Kuvajtit, Arabisë Saudite, Bahrejnit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për 45 ditë, sot ai tërheq vëmendjen e ndjekësve të tij dhe të dashamirësve të sporteve ekstreme me një xhiro rreth atdheut.

FOTO: mgergov.com

Fillimi i ekspeditës me biçikletë u dha më 25 qershor në Sofje dhe parashikon një itinerar prej 2430 kilometrash. Rruga është zgjedhur të jetë sa më pranë kufijve të Bullgarisë, ndërsa çdo ditë Martin Gergov përshkon nga 70 deri në 100 kilometra, kurse data e planifikuar e përfundimit është 5 gushti në Sofje.

"Lëviz kryesisht në rrugë të asfaltuara, që të mund ta ruaj 'Ballkan'-in tim, i cili është afërsisht po aq i vjetër sa unë (prodhimi i biçikletave bullgare 'Ballkan' filloi në vitin 1957 në Lloveç ). Prandaj ngas në rrugë dytësore të asfaltuara, duke u mbajtur pranë kufijve të Bullgarisë. Për momentin po lëviz përgjatë lumit Danub. Pas ndalesës sime në Ruse më 8 korrik vazhdoj përmes Silistrës drejt Durankulakut dhe më pas përgjatë bregdetit të Detit të Zi, pastaj në malin Stranxha, Rodopet dhe nga Petriçi drejt pikës përfundimtare – kryeqytetit Sofje."

FOTO: mgergov.com

Martin Gergov ka lindur në vitin 1979 dhe është katër herë kampion i Bullgarisë në powerlifting, rekordmen kombëtar, i katërti në botë në deadlift, trajner fitnesi dhe vlogger. Ai beson se përgatitja fizike e bën njeriun edhe më të fortë psikologjikisht përballë sfidave të ditëve të sotme.

"Njeriu duhet të mësojë të dalë nga zona e tij e rehatisë. Vetëm atëherë ai do të mbetet vërtet njeri dhe nuk do të shndërrohet në një robot të kohës së sotme. Kur del nga zona e rehatisë, atëherë psikika jote fillon të funksionojë në një nivel tjetër – bëhesh më i sigurt në vetvete, sepse përballesh dhe kapërcen pengesa nga më të ndryshmet", beson bullgari.

FOTO: mgergov.com

Sfida e tij më e madhe sot është edhe frymëzimi i tij më i madh – "Ballkan"-i, të cilin e kujton nga fëmijëria e tij në vitet '80 në fshatin Sviraçi, pranë qytetit Ivajllovgrad. Biçikleta retro që përdor është plotësisht autentike nga ajo kohë, me rrota 18 inç, gjë që e bën jashtëzakonisht të vështirë për sprint dhe zhvillimin e shpejtësive të larta. Për këtë arsye Martin Gergov thotë në një intervistë për Hristina Dimitrova të BNR-Shumen se siguria gjatë udhëtimit është në vend të parë, ndërsa kënaqësia e rikthimit te kujtimet e fëmijërisë dhe bukuria e Bullgarisë janë të pakrahasueshme.

"Doja ta ndieja sërish atë kohë kur jetoja në fshat, në fshatin Sviraçi, ngisja biçikletën time dhe ndieja lirinë absolute. Njëkohësisht dua t'u tregoj njerëzve natyrën unike të Bullgarisë përmes këndvështrimit të një biçiklete të vogël. Dua t'ia kujtoj brezit të ri të kaluarën. Dua t'ua kujtoj edhe politikanëve tanë se nuk duhet të harrojnë rrënjët e Bullgarisë – ato janë pikërisht fshatrat tona të vegjël, të cilët dikur gumëzhinin nga jeta."

FOTO: mgergov.com

I gjithë udhëtimi i Martin Gergovit mund të ndiqet drejtpërdrejt në kanalin e tij në YouTube dhe në platformën Komoot. Bullgari pranon se ka shumë ndjekës nga bota arabe dhe ka idenë të ftojë kolegë të tij nga rajoni, me të cilët ta përsërisë xhiron rreth Bullgarisë pas një ose dy vitesh, por këtë herë me biçikleta moderne.


Përpiloi: Vesella Krësteva

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski