Artikull
BE i dërgon Bullgarisë opinion të arsyetuar për riciklimin e mbetjeve shtëpiake
Premte 10 Korrik 2026 17:24
Premte, 10 Korrik 2026, 17:24
FOTO: Dhoma Ekonomike e Bullgarisë
Madhësia e shkronjave
Komisioni Evropian i dërgoi Bullgarisë një opinion të arsyetuar për moszbatimin e objektivave për përgatitjen për ripërdorim dhe riciklimin e mbetjeve shtëpiake, si letra, metali, plastika dhe qelqi, njoftoi Ministria e Mjedisit dhe Ujërave. Procedura e shkeljes ndodhet në fazën e fundit të etapës para gjyqësore dhe hapi i ardhshëm do të jetë dërgimi i çështjes në Gjykatën e Bashkimit Evropian. Bullgaria ka një afat prej dy muajsh për të paraqitur qëndrimin e saj lidhur me opinionin e arsyetuar. Objektivi për përgatitjen për ripërdorim dhe riciklimin e 50% të mbetjeve shtëpiake duhej të ishte përmbushur që në vitin 2020. Vite më vonë, Bullgaria jo vetëm që nuk ka arritur ta kapërcejë këtë vonesë, por nivelet e raportuara të riciklimit janë ulur. “Kjo tregon se vendi nuk përballet me një problem të përkohshëm, por me një problem sistematik të krijuar ndër vite, kapërcimi i të cilit është një sfidë e madhe dhe do të jetë ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Mjedisit dhe Ujërave në të ardhmen”, deklaruan nga ministria. Nga aty kujtuan se që në ditët e para të mandatit të saj, ministrja e mjedisit, Rosica Karamfillova, urdhëroi kryerjen e një analize të plotë të politikave të zbatuara deri atëherë në fushën e menaxhimit të mbetjeve shtëpiake. Analiza tregoi se infrastruktura për trajtimin paraprak dhe riciklimin e mbetjeve nuk është ndërtuar në masën e nevojshme, sistemet për grumbullimin e ndarë të mbetjeve nuk janë zhvilluar në nivelin që lejon përmbushjen e objektivave evropiane, ndërsa zbatimi i parimit “ndotësi paguan” është shtyrë vazhdimisht.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova