Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
“Delfinët”, me të cilët, nëpër shtegun e hënës, Jordanka Hristova u bë yll
Premte 10 Korrik 2026 19:54
Premte, 10 Korrik 2026, 19:54
Jordanka Hristova
FOTO: Arkiv
Madhësia e shkronjave
Jordanka Hristova, një nga zërat më të mëdhenj të muzikës së lehtë bullgare, e nisi karrierën e saj solo që kur ishte vetëm 20 vjeçe – në vitin 1963, kur regjistroi këngën “Serenata”, me muzikë të Ivan Marinovit, tekst të Nikollaj Nikollovit dhe një aranzhim mbresëlënës nga i riu Millço Leviev. Në atë periudhë, Levievi ishte pedagog në shkollën e parë të këtij lloji në Bullgari për këngëtarë të muzikës pop, të quajtur “Studioja e interpretuesve të muzikës së lehtë”. Jordanka Hristova ishte ndër nxënëset e brezit të parë të kësaj shkolle, që morën diplomat në vitin 1964. Bashkë me të, shkollën e përfunduan edhe emra që më vonë do të bëheshin yje të skenës bullgare, si Boris Guxhunov dhe Margarita Radinska. Bashkëpunimi mes këngëtares Jordanka Hristova dhe muzikantit Millço Leviev vazhdoi me regjistrimin e dy këngëve me tekste të poetit Radoj Ralin: “Një gabim i bukur”, me muzikë të Millço Levievit, dhe “Fqinji trumbetar”, me muzikë të kompozitorit të njohur Petër Stupell. Këto këngë e çuan atë drejt suksesit të madh të radhës – një kënge simbol që i solli këngëtares së re, me zërin e fuqishëm dhe paraqitjen tërheqëse, çmimin e parë për këngën bullgare në konkursin “Këngë për bregdetin bullgar të Detit të Zi’”. Kjo këngë ishte “Delfinët”, me muzikë të Dimitër Vëllçevit dhe tekst të Dimitër Kerelesovit. Viti ishte 1966. Një vit më pas, në 1967, ky konkurs mori emrin që do të bëhej legjendar: “Orfeu i Artë”.
FOTO: Arkiv
Jordanka Hristova me zërin e saj karizmatik e interpreton “Delfinët” me frymëzim dhe emocion të thellë, me atë vulë të veçantë artistike që e karakterizon dhe që e kishte formuar në “Studion e interpretuesve të muzikës së lehtë”, nën drejtimin e regjisorit Vili Cankov. Vite më vonë, në një intervistë për radion Jazz FM, Jordanka tregon:
“Në studio, Vili Cankovi më jepte mësim për regji dhe mjeshtëri të aktrimit. Ai më thoshte se çdo këngë është një etyd prej 3-4 minutash, gjatë të cilave duhet ta emocionosh dëgjuesin përmes tekstit dhe të jesh bindëse. Unë i besova… Prandaj nuk përpiqesha t’i zbukuroja shumë këngët vetëm me anë të zërit; më shumë vëmendje i kushtoja tekstit. Hyja në atmosferën e këngës dhe përpiqesha të krijoja një gjendje që, sipas mendimit tim, i përshtatej tekstit dhe temës.”
Regjisori Vili Cankov
FOTO: homoludens.bg
Jordanka Hristova ka korrur suksese në më shumë se 40 vende të botës: nga Rusia dhe Çekia deri në Gjermani e Francë, nga Spanja dhe Greqia deri në Algjeri e Siri, nga Kanadaja deri në Nikaragua. Ajo njihet si bullgarja më e njohur në Kubë. Sot, këngëtarja e njohur i kujton me kënaqësi vitet 60-të të shekullit të kaluar:
Jordanka Hristova sot
FOTO: BTA
“Te teatrot kishte disa klube – te Teatri Popullor, te Teatri i Ushtrisë dhe, sigurisht, te Teatri Satirik, ku mblidheshim shumë shpesh. Dimitër Vëllçevi ishte dirigjent i Orkestrës së Teatrit Satirik dhe ai më propozoi këtë këngë… Ishte një muzikant i jashtëzakonshëm! Shumë inteligjent, shumë emocional dhe i këndonte këngët e tij në një mënyrë që unë madje nuk arrija ta bëja – me aftësi të jashtëzakonshme vokale, me ngritje graduale të interpretimit dhe me modulime. Dimitër ishte vërtet shumë i mirë; e kam dashur gjithmonë shumë. Deço Taralezhkovi bëri një aranzhim shumë të përmbajtur, jo si shumica e këngëve të festivaleve – me orkestrat e mëdha… Ai arriti të krijonte një tingëllim intim, duke të bërë të përfytyrosh skenën… Dhe je aty, bashkë me delfinët…”
Dimitër Vëllçev
FOTO: Teatri Satirik "Aleko Konstantinov"
Kënga e pavdekshme “Delfinët” edhe sot është ndër krijimet më të spikatura të muzikës së lehtë bullgare dhe një nga dëshmitë e talentit të jashtëzakonshëm të kompozitorit Dimitër Vëllçev. Si një mbështetës i vendosur i identitetit kombëtar në krijimtarinë tonë muzikore, në librin e tij me kujtime “Teli tjetër”, ai shkruan: “... “Në ato vite, një brez autorësh u angazhuam për t’i dhënë këngës së lehtë bullgare një karakter të veçantë, për t’i dhënë asaj një frymë kombëtare dhe një nuancë të shpirtit tonë, në mënyrë që ajo të ishte e dallueshme, ashtu siç janë këngët e lehta të shumë popujve të tjerë... Unë nuk kam qenë kurrë për muzikën e lehtë komerciale, por për atë që krijon një urë në shijen e dëgjuesit... Unë jam për këtë: ajo që krijohet, edhe pse është për argëtim, duhet të ketë atmosferën e vet dhe ngjyrimin kombëtar, të ketë personalitetin e vet... Është e vërtetë se një vend i vogël nuk mund të depërtojë në kulturën botërore, por për të ruajtur dinjitetin e vet, a duhet të harrojmë grimcat e vogla të kristalta të potencialit tonë shpirtëror, të mbuluara nga mungesa e traditës dhe e kujtesës?”
“Delfinët” – prezantimi i parë dhe çmimi i parë për Jordanka Hristovën dhe Dimitër Vëllçevin në Festivalin “Orfeu i Artë” në vitin 1966. Një këngë që ka lënë gjurmë në kulturën muzikore bullgare.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova