SHOQËRI

Artikull

Po mbetemi prapa tendencës botërore të të mësuarit gjatë gjithë jetës

Brenda 10 viteve, aftësitë që kemi sot do të zëvendësohen me të reja, por vetëm 21% e bullgarëve vazhdojnë të arsimohen

Hënë, 13 Korrik 2026, 06:56

Po mbetemi prapa tendencës botërore të të mësuarit gjatë gjithë jetës

FOTO: Pixabay

Madhësia e shkronjave

Mendësia se, pasi përfundojmë universitetin, zotërojmë njohuri që do të na mbajnë konkurrues në tregun e punës deri në pension, po i përket së kaluarës. Me shfaqjen e profesioneve të reja, ndryshimin e atyre ekzistuese dhe zhvillimin e teknologjisë, tashmë është e domosdoshme të përmirësojmë vazhdimisht aftësitë dhe njohuritë tona. Në të kundërt, vendin tonë do ta zërë dikush më i përgatitur, duke fshirë ekzistencën tonë monotone bashkë me rutinën, qetësinë dhe iluzionet.

Vetëm 21 për qind e bullgarëve vazhdojnë të mësojnë gjatë gjithë jetës – problemi nuk është mungesa e kurseve, por mungesa e motivimit. Në vendin tonë, diploma universitare shihet si pika e fundit e rrugëtimit arsimor. Këto konstatime shqetësuese tingëllojnë si një aktakuzë, po të krahasohen me traditën e konsoliduar në vende si Estonia, Danimarka, Finlanda dhe Luksemburgu, ku arsimi i vazhdueshëm dhe rikualifikimi praktikohen edhe nga njerëz mbi 60 vjeç.

Magdalena Dimitrova

FOTO: Kostadin Krëstev

"Tek ne ekziston një kulturë sipas së cilës prindërit kujdesen që fëmijët e tyre të kryejnë studimet universitare, por më pas motivimi për të vazhduar të mësojnë zbehet - thotë Magdalena Dimitrova, drejtuese e Grupit Arsimor "Svetlina", i cili organizoi së fundmi një forum ekspertësh kushtuar arsimit.  – Megjithatë, ndryshime po afrohen në pothuajse të gjitha industritë dhe njerëzit që duan të ruajnë përparësinë konkurruese do të duhet të mësojnë gjatë gjithë jetës dhe t'u përshtaten ndryshimeve të botës."

Sipas Magdalena Dimitrovës, një nga arsyet pse tendenca botërore e të mësuarit të vazhdueshëm nuk ka zënë ende vend te ne është ekonomike. Ajo sjell si shembull sektorin e teknologjisë së informacionit (IT), ku punëdhënësit nuk i kushtojnë aq rëndësi diplomës, sa përvojës praktike. Arsyeja tjetër lidhet me mënyrën se si është organizuar arsimi – nga shkolla fillore deri në universitet.

 

FOTO: Pixabay

"Në Bullgari, arsimi është shumë konkurrues - shpjegon ajo. – Stresi nga frika e dështimit shtohet gjithnjë e më shumë te nxënësit me çdo vit shkollor, ndërsa motivimi i brendshëm për të mësuar vjen duke u zbehur

dhe në fund të ciklit arsimor është thuajse i shteruar. Edhe nxënësit e klasës së dytë fillojnë ta urrejnë procesin e të nxënit, shkojnë në shkollë pa dëshirë, përjetojnë stres të lartë nga testimet dhe madje reagojnë edhe në aspektin fizik, me probleme shëndetësore. Në të vërtetë, shumë më e rëndësishme është të kemi një mjedis arsimor të qëndrueshëm, ku të nxisim kureshtjen e nxënësit dhe të mos ketë një ngarkesë e presion kaq të madh nga prindërit dhe mësuesit. Atëherë motivimi i brendshëm do të ruhet dhe vetë individi do të ketë burimet e nevojshme për të vazhduar të mësojë dhe të kualifikohet. Prandaj, këta dy faktorë – ai ekonomik dhe ai kulturor e shoqëror – ecin krah për krah."

Një aspekt tjetër i rëndësishëm lidhet me profesionin e mësuesit – gjithnjë e më shumë pedagogë hyjnë në klasë si një karrierë e dytë. Sipas Magdalena Dimitrovës, kjo është një tendencë pozitive, por nga ana tjetër, shumë prej tyre qëndrojnë në sistemin arsimor vetëm për disa vite. "Shpresoj që gjithnjë e më shumë njerëz t'i drejtohen këtij profesioni, sepse nxënësit kanë nevojë për ekspertë të ndryshëm, të cilët nuk zotërojnë vetëm njohuri teorike për një lëndë të caktuar, por edhe përvojë praktike. Kur ata ndajnë përvojën e tyre personale, të mësuarit bëhet më i shpejtë dhe më i motivuar", shprehet ajo.

FOTO: Pexels

Por si mund të integrohemi në një botë ku profesionet ndryshojnë brenda pak vitesh dhe inteligjenca artificiale po hyn në zyra, media, banka, administratë dhe shkolla?

"Vërtet, inteligjenca artificiale po zhvillohet me ritme jashtëzakonisht të shpejta dhe do të ndryshojë rrënjësisht të gjitha industritë - thotë Magdalena Dimitrova. - Ajo tashmë ka hyrë fuqishëm në sektorë si dizajni grafik dhe animacioni, marketingu, sektori financiar, madje edhe ai juridik. Në këto fusha, pozicionet e nivelit fillestar mund të mbulohen pa problem nga inteligjenca artificiale. Dhe kur njerëzit fillojnë ta kuptojnë këtë, nuk duhet t'i qasen situatës me frikë, por me besim, optimizëm dhe gatishmëri për të mësuar gjatë gjithë jetës."

FOTO: Pixabay

Magdalena Dimitrova citon të dhëna nga Forumi i fundit Ekonomik Botëror, sipas të cilave deri në vitin 2030 inteligjenca artificiale do të zhdukë 72 milionë vende pune, por do të krijohen rreth 170 milionë të tjera. Një përfundim tjetër i forumit tregon se gjysma e aftësive që zotërojmë aktualisht do të zëvendësohen plotësisht me aftësi të reja dhe se brenda 5–10 vitesh diploma do të humbasë vlerën e saj. "Kurba e ndryshimit është shumë e pjerrët, por duhet të jemi të gatshëm të përshtatemi", thekson ajo.

Në këtë sfond, Bullgaria duket çuditërisht e qetë sa i përket të mësuarit gjatë gjithë jetës, ndërsa shumë njerëz nuk shohin arsye për t'u zhvilluar më tej, pasi nuk besojnë se kjo do të ndryshojë jetën e tyre.

FOTO: Universiteti Ekonomik - Varna

"Madje nuk jemi thjesht çuditërisht të qetë, por jemi edhe një fazë më prapa – deri në letargji - thotë Magdalena Dimitrova. - Për një përqindje shumë të madhe të të rinjve, me marrjen e diplomës gjithçka përfundon. Pas përfundimit të arsimit të lartë, të rinjtë madje nuk duan të hyjnë në tregun e punës dhe të fillojnë të fitojnë përvojë. Një nga arsyet për këtë është presioni i sistemit arsimor, sepse ata janë brezi i parë, programet mësimore të të cilit që nga fëmijëria e hershme kanë qenë jashtëzakonisht të ngarkuara. Ata nuk kishin kohë për lojëra, pasi programet mësimore fillonin në orën 8:00 dhe shumë shpesh, pas shkollës me orar të plotë, shkonin në aktivitete shtesë, ndërsa më pas në shtëpi i prisnin detyrat deri në orën 22:00–23:00. Dhe në fakt, rezultati është se ata diplomohen dhe thonë: "Më lini të qetë!" Por si ia dalin të jetojnë? Në shumicën e rasteve ende jetojnë me prindërit e tyre, pra kjo sjellje mbështetet nga mjedisi familjar."

 

FOTO: Pexels

Megjithatë, Magdalena Dimitrova nuk e humbet shpresën: "Brezi Z është rebel dhe do ta kërkojë ndryshimin. Shpresoj që, pas një pushimi të shkurtër, të rikthehen me forca të freskëta dhe me energjinë e rinisë." Ndërkohë, ndryshimet do të jenë aq intensive saqë, më herët sesa vonë, do të përballemi drejtpërdrejt me to dhe do të na duhet të marrim masa të shpejta.


Lexoni më shumë:


Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova