Artikull
Gabriella Ilieva kultivon “lulen e parajsës” në Ballkanin e Vracës
“Prodhuesit e shafranit – erëza më e shtrenjtë dhe më e çmuar – nuk marrin asnjë mbështetje nga shteti”, thotë ajo.
Krokusi i shafranit
FOTO: Gabriella Ilieva
Madhësia e shkronjave
Çdo histori jetësore ka dramaturgjinë e saj – sikur një regjisor të vendosë hapat nëpër të cilët duhet të kalojmë, por më shpesh, pas udhëzimit të parë, timonin e marrim vetë. Prandaj nuk është e pazakontë që mësimet serioze të pianos në shkollën e muzikës, një ditë, të të çojnë në rrëzë të malit, ku t’i përkushtohesh me gjithë përkushtimin kultivimit të krokusit të shafranit.
Kjo është në fakt historia e Gabriella Ilievës nga Vraca, e cila në moshën pesëvjeçare, me idenë e nënës së saj, fillon të luajë në piano, por në klasën e nëntë, pasi lexon tekstin shkollor të kimisë inorganike, vendos të studiojë për laborante në shkollën teknike të kimisë. Përvoja e saj studentore në Universitetin e Teknologjisë Kimike dhe Metalurgjisë zgjat vetëm një vit, sepse nuk arrin t’i kombinojë leksionet me punën për të siguruar jetesën. Vala e radhës e jetës e çon në Britaninë e Madhe – atje fillimisht kujdeset për fëmijë të vegjël, më pas mëson profesionin e pastrueses dhe në fund, së bashku me një mik, fillon një biznes të vetin për shitjen e mobilieve të përdorura, të destinuara për njerëzit me probleme të shtyllës kurrizore. Por, duke qenë se e përkufizon veten si një njeri kureshtar, që i pëlqen të eksperimentojë, vendos të merret me diçka me kuptim dhe të ndihet si në shtëpi.
Gabriella Ilieva
FOTO: Shoqata e Prodhuesve të Shafranit në Bullgari
“Në vitin 2016 u ktheva nga Anglia, pasi kisha kaluar gjashtë vjet atje, ndërsa në vitin 2019 – pak pasi u njoha me bashkëshortin tim, vendosëm të bënim diçka së bashku – kujton Gabriela Ilieva. – Doja që të ishte diçka që lidhej me bujqësinë, sepse kemi toka, por diçka më interesante, ekzotike dhe sfiduese. Atëherë kërkova në internet dhe kështu arrita te shafrani. Blemë 100 kg qepujka nga prodhuesi Hasan Tahirov, sepse ai ofronte edhe blerjen e prodhimit, dhe i mbollëm në oborr, pa pasur asnjë ide se çfarë do të ndodhte.”
FOTO: Shoqata e Prodhuesve të Shafranit në Bullgari
Rezultati rezulton të jetë çuditërisht i mirë për prodhuesit fillestarë, të cilët me korrjen e parë mësojnë se gjithçka bëhet me dorë, se shafrani lulëzon nga mesi i tetorit deri në mesin e nëntorit, se mblidhet çdo ditë në lindje të diellit, se për një gram produkt nevojiten rreth 150 lule, si edhe shumë gjëra të tjera të dobishme – për shembull, se lulet mund të përdoren në pastiçeri. Kështu lind edhe ëmbëlsira prej krokusit të shafranit, por tani për tani vetëm si produkt shtëpiak, pasi nevojiten “një mori lejesh”, përfshirë edhe kushtin që ajo të prodhohet në një punishte të licencuar.
Ndërkohë, Gabriella Ilieva regjistrohet si prodhuese bujqësore dhe përballet me mure që duhet t’i rrëzojë vetë.
FOTO: Shoqata e Prodhuesve të Shafranit në Bullgari
“Doli se Hasan Tahirov nuk e blinte shafranin, nuk përgjigjej në telefon dhe u gjenda në një situatë ku duhej ta kërkoja vetë tregun – tregon ajo për gazetaren Zornica Gërkova nga programi “Hristo Botev” i Radios Kombëtare Bullgare. – Kjo përsëri ishte një pengesë, sepse në vendin tonë njerëzit pothuajse nuk e njohin këtë erëz dhe, për të shitur një produkt kaq cilësor, duhet të shpjegosh se çfarë është dhe për çfarë përdoret. Përveç kësaj, kur dëgjojnë çmimin, nuk duan ta blejnë, sepse u duket i shtrenjtë. Vërtet, në dyqane ka shafran të lirë, por ai është me cilësi të ulët. Njerëzit nuk e kuptojnë se gjithçka e bëjmë ne dhe nuk ka asnjë makineri që të të ndihmojë.”
FOTO: Shoqata e Prodhuesve të Shafranit në Bullgari
Gabriela Ilieva fillon të vizitojë dyqanet në Vraca dhe të ofrojë shafranin e saj. Nga tre dyqane të specializuara për produkte bio, vetëm një pranon ta marrë produktin, dhe atë vetëm për një periudhë të shkurtër, pasi së shpejti gjen një alternativë më të lirë. Më pas arrin marrëveshje që ta lërë shafranin me dërgesë në një dyqan tjetër, ndërsa e shet gjithashtu te miqtë dhe të njohurit. Shpresa e saj për një treg më serioz është te Shoqata e Prodhuesve të Shafranit, e cila do të mundësojë eksportimin e produktit të prodhuar jashtë vendit.
Vjeshtën e kaluar, Gabriella Ilieva përballet me një fatkeqësi të vërtetë, e cila shkatërron të korrat. Poshtë shtëpisë, e cila ndodhet në Ballkanin e Vracës – “fjalë për fjalë në rrëzë të pyllit me pisha” – shpërthen një tubacion uji. Punëtorët e dërguar hapin tokën e pronës, për një muaj të tërë lënë ujin të rrjedhë, duke përmbytur gjithçka përreth, dhe qepujkat zhduken. Megjithatë, Gabriela nuk dorëzohet, madje vendos ta zgjerojë aktivitetin e saj edhe me kultivimin e kërpudhave. Por cila është rregullativa ligjore që lidhet me prodhuesit e shafranit në vendin tonë?
FOTO: Shoqata e Prodhuesve të Shafranit në Bullgari
“Ende nuk ka dispozita ligjore që ta klasifikojnë atë si shafran – përgjigjet Gabriella Ilieva. – Jam e regjistruar si prodhuese bujqësore e një kulture vajore-eterike, por kjo nuk është shafran – erëz, bimë mjekësore, shumë gjëra të tjera. Aktualisht, shoqata jonë po punon intensivisht për çështjen që shteti të na shohë me një sy tjetër dhe shafrani të bëhet një kategori e veçantë, sepse është erëza më e shtrenjtë dhe më e çmuar në shkallë botërore. Pra, ne po luftojmë për diçka në të cilën shtetet e tjera janë shumë më përpara se ne për sa i përket legjislacionit dhe mbështetjes. Ndërsa ne nuk marrim asnjë mbështetje nga askush. Megjithatë, studimet tregojnë se në të gjithë botën ka mungesë të shafranit.”
FOTO: Shoqata e Prodhuesve të Shafranit në Bullgari
“Lulja e parajsës”, siç quhet shafrani, herët a vonë do të hapë portat e merituara përpara Gabriella Ilievës, e cila eksperimenton jo vetëm me një bimë të bukur, por edhe me qëndrueshmërinë e shpirtit të saj dhe besimin në sukses. Fillimi ishte hedhur dikur nga një vajzë që kalonte orë të tëra përpara tastierës së pianos, për të krijuar një frazë të bukur ose për të zotëruar në përsosmëri një pasazh virtuoz.
Shihni gjithashtu:
Teksti: Diana Cankova (Është përdorur një intervistë e Zornica Gërkovës nga programi “Hristo Botev” i Radios Kombëtare Bullgare.)
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski