SHOQËRI

Artikull

Pas 22 vitesh jashtë vendit…

Jeta në fshat mund të jetë plot entuziazëm, kauza dhe emocione të lumtura

Pjetri, gruaja e tij Joanna dhe dy fëmijët e tyre - Marti dhe Maja

Pjetri, gruaja e tij Joanna dhe dy fëmijët e tyre - Marti dhe Maja

FOTO: Arkiv personal

Madhësia e shkronjave

22 vite të ndara mes Francës, SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar janë një kohë e mjaftueshme që njeriu të kërkojë tokë të qëndrueshme nën këmbët e tij në një vend të qetë, larg zhurmës dhe ritmit të shpejtë të qytetit të madh. Pikërisht këtë bëjnë Petër Gicoajka, bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e tyre, duke u vendosur para dy vitesh në një nga fshatrat pranë Sofjes, në komunën e Gorna Malinës. Puna në fushën e tregjeve financiare dhe kursimet e grumbulluara i mundësojnë familjes të marrë me qira një shtëpi në fshatin Negushevo, si dhe të blejë një truall për ndërtimin e shtëpisë së tyre, ndërtimi i së cilës ende nuk ka filluar.

“Kur vendosëm të ktheheshim në Bullgari, duhej të mendonim për arsimimin e fëmijëve. Kishim vendosur që nuk donim të jetonim në Sofje, sepse, megjithëse jemi me origjinë nga atje, pas 20 vitesh mungesë konstatuam se cilësia e jetës në kryeqytet kishte ndryshuar shumë. Donim të ishim më pranë natyrës dhe rastësisht mësuam për shkollën në fshatin Osojca. Bëmë një takim online me drejtoreshën dhe na pëlqeu shumë. U kthyem për dy javë dhe filluam të shikonim fshatrat përreth. Dhe, nga fjala në fjalë, arritëm te fshati Negushevo – tregon Petër. – Në maj të vitit 2024 patëm të ashtuquajturën javë provuese në shkollë, kur fëmijët mund të mësonin në klasën e tyre të ardhshme, për të vlerësuar nëse u pëlqente apo jo. Ndërsa ata ishin në shkollë, unë dhe bashkëshortja ime shkonim rrotull për të kërkuar një shtëpi dhe kur arritëm në Negushevo, thjesht u dashuruam me këtë vend. Në shtëpitë, te njerëzit dhe në gjithçka këtu ka diçka të pashpjegueshme dhe tërheqëse.”

Fshati Negushevo

Fshati Negushevo

FOTO: negushevo.org

Kështu, familja e Petër Gicoajkës kthehet në atdhe dhe vendoset në fshatin e rilindjes kombëtare, të fshehur në pjesën më lindore të Ultësirës së Sofjes. Ndërsa pyetjes së pashmangshme lidhur me mbiemrin e pazakontë për gjeografinë bullgare, ai i përgjigjet me një histori interesante:

Petër Gicoajka

Petër Gicoajka

FOTO: poveyi.com

“Gjyshi im është rumun nga fshati Petrești në Rumaninë Jugore. Si student, ai studioi kimi në Bukuresht, ku u takua me gjyshen time – bullgare, e cila gjithashtu studionte kimi. Ata u dashuruan dhe ai u kthye bashkë me të në vendin tonë. Ai është ende gjallë dhe në gjendje të mirë shëndetësore, në moshën 92-vjeçare, në shëndet të plotë fizik dhe mendor. Jeton në Sofje, por gjatë verës ka një shtëpi në një fshat pranë Samokovit, ku kalon kohën” – shpjegon me krenari Petër, i cili është shumë mirënjohës për mësimet e jetës që ka marrë nga gjyshi i tij, ndër të cilat është edhe njohja e llojeve të kërpudhave dhe bimëve mjekësore. Ndërsa jeta në fshat, përveç lidhjes së vazhdueshme me natyrën, rezulton se ofron edhe shumë mundësi të tjera:

“Një nga pyetjet tona ishte se çfarë bën njeriu në fshat, a ka çfarë të bëjë atje? U habitëm jashtëzakonisht shumë nga të gjitha nismat – veprimtaritë kulturore, vallet popullore, xhudoja për fëmijët çdo të shtunë ose të diel.

Jeta në fshat mund të jetë plot entuziazëm, kauza dhe emocione të lumtura

FOTO: negushevo.org

Dollno Kamarci, aty pranë, ndodhet galeria e artit e Vihroni Popnedelev, ku fëmijët vizatojnë dhe punojnë me baltë. Në Negushevo kemi kinema verore pothuajse çdo javë, me filma bashkëkohorë bullgarë, dhe shpesh krijuesit e tyre vijnë personalisht për diskutime. Zonat rurale po gjallërohen dhe po bëhemi më pak të varur nga qyteti i madh” – na tregon Petër. Vetë ai dhe familja e tij marrin pjesë aktivisht në nisma të ndryshme në fshatin Negushevo. Ndër to është edhe një kauzë e rëndësishme për vendbanimin – restaurimi i ndërtesës së shkollës dhe shndërrimi i saj në një qendër komunitare. Në fillim, ata përpiqen të mbledhin 20 mijë euro për riparimin e çatisë.

Ndërtesa e vjetër e shkollës në Negushevo

Ndërtesa e vjetër e shkollës në Negushevo

FOTO: Qendra Komunitare Negushevo / Facebook

“E ndërtuar në vitin 1894, ndërtesa është e mrekullueshme, me një oborr të madh dhe tavane të larta. Po zhvillojmë idenë për ta shndërruar këtë vend në një qendër për kulturë dhe arsim. Oborri i shkollës është një kopsht perimesh, i cili do të arrijë në rreth 3 dynymë. Me entuziastë punojmë edhe disa parcela të tjera, mbillet edhe gruri einkorn. E përdorim ndërtesën dhe oborrin si një vend për demonstrimin e praktikave të qëndrueshme bujqësore. Por funksioni tjetër do të jetë ai kulturor – përmes ekspozitave, koncerteve dhe shfaqjeve të filmave do të afrojmë edhe më shumë njerëz të rinj me komunitetin tonë.”

Jeta në fshat mund të jetë plot entuziazëm, kauza dhe emocione të lumtura

FOTO: negushevo.org

Disa herë gjatë vitit, në një skenë në oborrin e shkollës, Petër dhe familja e tij organizojnë koncerte, pasi për ta muzika është një hobi dhe pasion:

Jeta në fshat mund të jetë plot entuziazëm, kauza dhe emocione të lumtura

FOTO: Qendra Komunitare Negushevo / Facebook

“Fëmijët janë shumë të dhënë pas muzikës. Djali ynë Marti është 10 vjeç, ndërsa vajza jonë Maja është 9 vjeçe. Marti luan në ukulele, bateri dhe këndon, ndërsa Maja gjithashtu këndon shumë mirë, por edhe kërcen. Deri tani, të dy kanë filluar të mësojnë piano, violinë dhe madje edhe saksofon, sepse ne besojmë se njeriu duhet të bëjë me kënaqësi gjërat që dëshiron. Pra, kur fëmijët tregojnë interes për diçka, ne i mbështesim dhe mendoj se kështu rezultatet e tyre janë të mira.”

Jeta në fshat mund të jetë plot entuziazëm, kauza dhe emocione të lumtura

FOTO: Qendra Komunitare Negushevo / Facebook

Gjithnjë e më shumë janë shembujt që i tregojnë Petërit dhe familjes së tij se kanë marrë vendimin e duhur për të jetuar larg qytetit:

“Kalimi nga një jetë e ngarkuar në një jetë të këndshme dhe pranë natyrës është më tepër një përshtatje e lehtë. Gjithmonë kemi kërkuar këtë lidhje me natyrën. Ajo që nuk e prisnim dhe që na ndihmoi shumë ishin njerëzit. Nuk kishim jetuar në Bullgari për 22 vjet dhe kjo ishte e panjohura e madhe. Gjatë javëve të para, pothuajse çdo ditë dikush vinte të na dhuronte diçka – lutenicë, domate. Mënyra se si njerëzit ndihmojnë njëri-tjetrin na ngrohu zemrat dhe është një shembull i mirë se si duhet të funksionojë shoqëria.”


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski