Bullgaria shënon 149 vjetorin e Epopesë së Shipkës

Kujtesë për rrugën drejt lirisë

Bullgaria shënon 149 vjetorin e Epopesë së Shipkës

FOTO: Parku Kombëtar Muzeor “Shipka-Buzlluxha”

Madhësia e shkronjave

Shipka do të mbledhë sërish bullgarë nga vendi dhe diaspora për kremtimin kombëtar të 149-vjetorit të Epopesë së Shipkës, një seri betejash heroike për pushtimin dhe mbrojtjen e Grykës së Shipkës gjatë Luftës Ruso-Turke të viteve 1877-1878. Në kujtesën historike bullgare, Shipka është simbol i vetëmohimit dhe luftës për çlirim, ndërsa mbrojtja heroike e Grykës së Shipkës pati një rëndësi vendimtare për përfundimin e luftës dhe rivendosjen e shtetësisë bullgare pas gati pesë shekujsh sundimi osman.

“Mbrojtja e Folesë së Shqiponjës në Shipka” (piktor: Aleksej Popov)

“Mbrojtja e Folesë së Shqiponjës në Shipka” (piktor: Aleksej Popov)

FOTO: arkiv

Në gusht të vitit 1877, disa mijëra ushtarë rusë dhe vullnetarë bullgarë, të cilët iu bashkuan ushtrisë ruse, zmbrapsën në mënyrë të përsëritur forcat osmane, shumë më të mëdha në numër. Veçanërisht të ashpra ishin luftimet më 21-23 gusht, kur mbrojtësit arritën ta mbanin kalimin nën kontroll. Heroizmi i tyre mbetet një nga simbolet më të fuqishme të Çlirimit të Bullgarisë dhe është përjetësuar në letërsi, art dhe në kujtesën kombëtare.

149 vjet më vonë, më 22 gusht 2026, kulmi i kremtimeve do të zhvillohet pranë Monumentit të Lirisë, një monument i ngritur në majën e Shipkës në kujtim të atyre që ranë për lirinë e Bullgarisë.

Bullgaria shënon 149 vjetorin e Epopesë së Shipkës

FOTO: BTA

Mbi 400 pjesëmarrës nga Shoqata Kombëtare “Tradita” do të rikrijojnë betejat historike, ndërsa para këtij rikrijimi do të mbahet një ceremoni zyrtare me vendosje kurorash dhe lulesh. Në rrëzë të monumentit, vizitorët do të mund të shohin një ekspozitë me mostra të pajisjeve ushtarake, do të paraqiten edhe formacione të Ushtrisë Bullgare.

Nga ora 10:00 deri në 15:00 do të jetë i vendosur edhe një kamp i Shoqatës Kombëtare “Tradita”, ku do të ekspozohen një tendë e shtabit ushtarak, uniforma dhe armë, si dhe do të ketë një zonë fotografimi për vizitorët, njofton BTA.

Bullgaria shënon 149 vjetorin e Epopesë së Shipkës

FOTO: BGNES

Më 22 gusht, qarkullimi tranzit përmes Grykës së Shipkës do të ndërpritet nga ora 09:00 deri në 15:00. Vizitorët do të kenë mundësi të arrijnë në zonën e monumentit, ndërsa nga Gabrovo do të sigurohet transport falas me autobus.

Bullgaria shënon 149 vjetorin e Epopesë së Shipkës

FOTO: Parku Kombëtar Muzeor “Shipka-Buzlluxha”

Kremtimi i këtij viti do të ketë edhe një rëndësi të veçantë, pasi në shtator do të nisë më në fund procesi i shumëpritur i konservimit dhe restaurimit të Monumentit të Lirisë. Për këtë arsye, qasja e vizitorëve në monument do të ndalohet gjatë punimeve.

Për restaurimin janë siguruar mbi 3,15 milionë euro, ndërsa afati i parashikuar për përfundimin e projektit është 1095 ditë (tre vjet).

Bullgaria shënon 149 vjetorin e Epopesë së Shipkës

FOTO: BTA